Marrëdhënie

June 5, 2016 | 9:18

Mira dhe Piro Misha: Rastësia na bashkoi!

Një mik i tyre i përbashkët piktor bëri të mundur prezantimin mes të dyve… Në takimin e parë, ajo ishte tërësisht indiferente. Por, një takim i radhës dhe një bisedë e ngrohtë me inteligjencën e një njeriu të letrave, që dinte të zgjidhte fjalët për ta bërë për vete “zonjën” e ardhshme Misha, do ta bënin të ishte më e vëmendshme. Inteligjenca, butësia, por jo vetëm… ai mashkull, tjetërsoj nga ata që kishte njohur deri në atë kohë, e bënë ta mendonte ndryshe mashkullin që kishte përballë, duke vendosur për fatin e mëtejshëm të raportit mes tyre. Fat i cili do t’i bashkonte për 35 vite me radhë… Piro dhe Mira Misha duket se e kanë jetuar marrëdhënien e tyre me të gjithë dimensionin e saj, që prej takimit të parë e deri më sot kur ata gëzojnë statusin e gjyshërve. Përvoja e gjatë në çift, eksperienca dhe tek e fundit e gjithë jeta e tyre është një kapitull që duhet shfletuar. E disa faqe të tij i kemi shkëputur dhe ne për revistën “Psikologji”…

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Është shoqja më e afërt e jetës. Njeriu që të shoqëron, si bashkudhëtare, në pjesën më të madhe të saj.

Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?

S’kam një përkufizim, sepse, për mendim tim, gjithçka më tepër sesa në nivelin racional, është në nivel intuitiv, emotiv. Padyshim, elementi i parë është bukuria, kimia fizike, e cila të bën të ndihesh i tërhequr nga një femër. Por sigurisht, vetëm ajo s’mjafton për të mbajtur gjallë në vite një lidhje. Janë një kompleks cilësish të tjera që vijnë dhe e plotësojnë tërheqjen e parë.

Shpesh, në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës. Po ju? Zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo, modeli u fashit?

Unë s’para besoj shumë tek modeli. Përpara se të njihesha me bashkëshorten e ardhshme, sigurisht që kisha disa ide në kokë se si do të ishte femra ideale, siç i ka çdo njeri në atë moshë, por ma ha mendja se bëhej fjalë më tepër për një shëmbëlltyrë ireale. S’ka dyshim se ishte bukuria e Mirës grepi i parë që më tërhoqi tek ajo. Pastaj, erdhën njohja e karakterit, personalitetit dhe shumë gjëra të tjera që formuan atë tërësi që krijuan bindjen për martesë, duke bërë po ashtu të mundur që kjo martesë të rezistojë me sukses për tërë këto vite.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?

S’para u besoj shumë shpjegimeve apo interpretimeve psikoanalitike….

Çfarë vjen pas pasionit, në një marrëdhënie burrë- grua?

Pas pasionit, vjen miqësia mendoj! Krijohet një varësi e domosdoshme mes dy njerëzve. Janë dy njerëz që gjatë gjithë kohës japin e marrin për njëri-tjetrin, duke krijuar ato ekuilibra aq të rëndësishëm për të cilët ka nevojë çdo njeri. Pastaj, krijohet familja, që është një ndër dimensionet e pazëvendësueshëm që të mundëson të përballosh një nga sfidat më të mëdha dhe ekzistenciale të individit, që është vetmia.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Besoj tek kombinimi i të dyjave! Unë dhe Mira sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri…

Pse gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan?

Misteri është një nga magjitë njerëzore dhe gruaja më shumë se kushdo tjetër e mishëron atë. Është misteri i diçkaje që kurrë s’i shkon dot deri në fund. Në psikologji ka një premisë, sipas së cilës kur njeriu e arrin fundin e diçkaje, humbet interesin për të. Gruaja ideale është ajo që asnjëherë nuk e humbet misterin e saj. Ne kemi mbi 30 vjet së bashku, por besoj se ende nuk e kam zbuluar deri në fund atë që mishëron Mira. Vazhdimisht befasohem nga gjëra të reja dhe është pikërisht kjo, besoj, që e mban gjallë jetën e çiftit.

A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijëve të tij?

Unë u bëra baba kur isha shumë i ri, aty te 25 vjeç, pa u penduar asnjëherë për këtë gjë. Ishte një ngjarje që, pavarësisht nga vështirësitë që solli me vete, e ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës sonë, për mirë. Mendoj se me lindjen e fëmijës, në çift futet ndjenja e përgjegjësisë, që për mua përbën një nga elementët më të rëndësishëm të jetës së çiftit. Po ashtu, duke u bërë prind brenda vetes sikur të plotësohet një dimension tepër i rëndësishëm.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Nuk jemi familje e tipit tradicional, ku rolet janë krejt të ndara. Duke iu referuar natyrës së punës dhe angazhimeve të shumta profesionale, më ka rastisur që jo rrallë të jem i larguar nga shtëpia… por, gjithsesi, mundohemi t’i jemi pranë e ta ndihmojmë njëri-tjetrin. …Që të dy jemi mjaft aktivë në profesionet tona (Mira është dentiste), çka ndihmon për të krijuar ekuilibra më të qëndrueshëm në një familje jo krejt tradicionale, së paku nga konceptet për jetën. Për sa i takon roleve në familje, besoj se me kalimin e viteve mund të bëhet fjalë për një të ndërtuar hap pas hapi, në bazë të afeksionit, por dhe respektit reciprok, ku secili ka vendin dhe hapësirën e vet.

Një burrë përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?

Unë i jam mirënjohës Mirës për sakrificat që ka bërë, sepse në një sërë aspektesh, gjatë tërë këtyre viteve barra e saj në mbarëvajtjen e familjes ka qenë më e madhe. Nuk mendoj se ndihem i përkëdhelur… më shumë besoj se thellë brenda vetes kam një ndjesi faji, sepse, si në çdo familje shqiptare, fatkeqësisht është gruaja ajo që sakrifikon më tepër. Për ta shlyer disi “fajin” përpiqem të tregohem i vëmendshëm, pavarësisht se s’mund të them se gjithmonë kam qenë i suksesshëm.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift?

Që burri e gruaja të kishin të njëjtin profesion ndoshta do të ishte ideale, por jo domosdoshmëri. Unë dhe Mira, jemi të profesioneve krejt të ndryshëm… por kemi mjaft interesa të përbashkëta në jetë. Sepse, pavarësisht profesionit, mund të gjenden pika përkimi në hapësira të tjera të jetës në çift.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj “vogëlimave”, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? A bëni dhurata? A pretendoni dhurata nga bashkëshortja juaj?

Përgjithësisht nuk jam shumë i vëmendshëm, por për fat të mirë më kanë pranuar kështu siç jam. Më pëlqen të bëj dhurata, sigurisht, edhe të marr. Dhuratat përbëjnë një simbolikë tepër të rëndësishme në marrëdhëniet mes njerëzve. Për mua më shumë sesa vetë dhurata, ajo që ka rëndësi është gjesti. Sendet pastaj, janë diçka dytësore.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni?

Udhëtimet jashtë shtetit janë një mundësi e mirë për të soditur dyqanet dhe për të blerë dhurata. Hera e fundit ishte një udhëtim në Paris, ku unë i bleva diçka Mirës. Nga ana tjetër, dhuratat nga fëmijët apo gruaja, i çmoj pa masë… sepse ndjen që të tjerët mendojnë për ty. Përndryshe, dhuratat e të tjerëve nuk i vlerësoj shumë.

Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…

Unë mendoj dhe besoj se në shoqërinë shqiptare, gruaja akoma nuk e ka fituar pozitën që meriton. Madje mund të them se gjatë dekadave të fundit, në një sërë aspektesh e ambientesh, kemi bërë hapa mbrapa në këtë drejtim. Sheh mjaft pjesë të Shqipërisë ku ekziston prirja që gruaja po kthehet në modelin tradicional të një Shqipërie që pandehnim se qe zhdukur. Mjafton të shohësh gjendjen në të cilën janë mjaft gra në zonat rurale, apo dhe qytete të provincës… Në përgjithë- si në shoqërinë shqiptare, gruaja s’e ka atë vend që meriton, në realitet. Pavarësisht nga retorika, ende s’janë krijuar mundësi e shanse të barabarta. Dhe ç’është më e keqja, ende s’ekziston ndërgjegjësimi i duhur për këtë gjendje.

 

Mira Misha: S’e desha burrin identik me babanë

 Në formë postulati: çfarë është burri për ju?

Për mua burri, në radhë të parë, duhet të jetë shok, mik që të të ndjejë dhe ta ndjesh në hall e gëzim. Deri në njëfarë mase, unë mendoj se në lidhjen tonë kjo është arritur.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?

…Mençuria, zgjuarsia, xhentilesa, mënyra e të komunikuarit… janë për mua gjërat më të rëndësishme tek një mashkull.

E mbani mend takimin e parë?

Ka qenë një takim që Piro ia kishte kërkuar një mikut tonë të përbashkët, piktor. Një takim normal, me një njeri që nuk më interesoi fare… qeshë indiferente. Në takimin e dytë më tërhoqi mënyra se si shprehej dhe se si komunikonte, xhentilesa dhe butësia… ndryshe nga djemtë që unë kisha njohur në jetën time, apo në shkollë.

Shpesh, në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës. Po ju? Zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo, modeli u fashit?

Kur je i ri nuk ke ide fort të qarta për mjaft gjëra. Njeriu kërkon shumë në jetë dhe asnjëherë nuk i plotësohen të gjitha gjërat. Megjithatë, mua më është plotësuar pjesa më e madhe e kërkesave të mia.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë) te burrat e ardhshëm. Dëshironi ta kundërshtoni?

Babai im ka qenë një burrë xhentil, me buonsens dhe i mençur, cilësi këto që unë i kam gjetur edhe tek Piro dhe më pëlqen kjo gjë. Por jo të tëra gjërat e babait tim më pëlqenin. Kështu që nuk do ta doja burrin identik me babanë.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë- grua?

Mirëkuptimi dhe ajo së cilës i vura theksin më lart, në një çift duhet të bëhesh shok, të kesh interesa të përbashkëta. Gjithmonë, dikush, qoftë burri apo gruaja, duhet të tolerojë, ose të sakrifikojë për familjen… jo duke e pranuar këtë si hall që të bie në kurriz. Në njëfarë mënyre unë jam vetësakrifikuar për t’i lënë më shumë hapësirë Piros. Ka pasur momente revolte, sepse njeriu është egoist dhe do që edhe vetë të ecë përpara. Megjithatë, në qoftë se arrin të krijosh një marrëdhënie të butë në këtë gjë, them që lidhja ecën përpara.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Duhet të kenë të përbashkëtat e tyre, si dhe të veçantat e tyre që të krijojnë edhe debat.

Çfarë mund të më thoni për misterin që i është veshur gruas në të gjitha kohërat?

Në përgjithësi unë jam natyrë e mbyllur, por e sinqertë. Gjithnjë kam thënë atë që kam menduar, por ndërkohë kam pasur dhe rezerva, të cilat nuk i kam shprehur dhe kjo ndoshta përbën atë pjesën e mistershme. Pak mister është intrigues në një çift dhe jam e mendimit se kjo vlen si për femrat, ashtu edhe për meshkujt.

A ndryshon burri në këndvështrimin e gruas, pasi ai është bërë babai i fëmijëve të saj?

Ardhja e një fëmije mendoj se të ndryshon botën shpirtërore, të bën më të gjerë, më të përgjegjshëm. Fëmija përveçse realizim i një lidhjeje është dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Në këto momente lidhja bëhet më e fortë dhe prania e babait të fëmijëve të tu të jep siguri dhe qetësi shpirtërore.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe burri juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Në familjen tonë nuk ka ndarje me thikë të roleve. Piro nuk është burri tradicional shqiptar, autoritar dhe i ashpër, që të imponojë autoritetin e tij. Kjo gjë të krijon komoditet. Ndërsa unë jam pak më tradicionale. Në njëfarë mënyre plotësojmë njëri-tjetrin dhe punët në familje të ecin qetë.

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Po rasti juaj?

Piro është natyrë familjare, por jo praktike. Po t’i japësh një letër dhe laps apo një libër mund të bëjë çudira, por nuk funksionon kështu për cështje të shtëpisë. Po t’i thuash ma fshi një çikë këtë, do ta bëjë më shumë pis sesa do ta pastrojë. Megjithatë, në momente vështirësish apo hallesh familjare, ai është shumë prezent dhe i përgjegjshëm. Në qoftë se unë jam marrë me anën praktike të jetës sonë familjare, që nga punët e shtëpisë, çerdhja, kopshti, shkolla, apo dhe jeta shoqërore e fëmijëve, Piro është marrë me edukimin intelektual të tyre, duke u imponuar me shumë takt dashurinë për librin dhe kulturën. Dhe për të qenë plotësisht e sinqertë, duhet të them se me kalimin e viteve Piro është bërë më i kujdesshëm dhe i vëmendshëm ndaj problemeve familjare, qofshin këto edhe punë praktike. Ishte një gjë shumë e bukur, për shembull, që natën kur lindi nipi ynë, Jonas, Piro e gdhiu natën së bashku me mua dhe fëmijët në sallën e pritjes së maternitetit.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Duke qenë se ne kemi profesione të ndryshme diskutimet rreth angazhimeve tona janë të rralla. Profesioni im është shumë specifik, prandaj dhe s’mund të pretendoj që të kërkoj opinione nga Piro, ndërsa profesioni i Piros është më i gjerë dhe të lë hapësirë për diskutime. Dhe mua më pëlqen shumë kur më kërkohet të lexoj një libër, një artikull, apo një përkthim dhe të jap opinionin tim. Këto gjëra s’janë të përditshme, por mendoj se debati është gjithsesi i nevojshëm dhe s’duhet lënë jashtë dyerve të shtëpisë.

A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj vogëlimave? Pretendoni dhurata nga burri? A merrni?

Vetë jam shumë e vëmendshme. Dhe Piro është i kujdesshëm. Kjo puna e dhuratave është shumë e rëndë- sishme në shtëpinë tonë, madje dhe tek fëmijët. Nuk ka rëndësi vlera e tyre, sesa data e shënimit të tyre. Nuk e harroj njëherë, kam qenë në një trajnim në Amerikë me disa kolege të miat. Kur zbrita nga avioni, Piro më priti me një buqetë me lule. Dhe ato e tregojnë sot për të qeshur. Piro nuk është tradicional që të pëlqejë ditët e veçanta, si ditëlindjet etj., megjithatë është i kujdesshëm që mua të më kujtojë në momente të caktuara. Nuk është tipi i surprizave, por tregohet i vëmendshëm.

Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…

Është një teori. Fatkeqësisht në Shqipëri është një shoqëri maskiliste dhe këtë e ndjen në shumë momente…

Psikologji Shkurt 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top