Marrëdhënie

April 19, 2016 | 9:11

Mirela Shameti: I kam vënë rregulla sime bije

 1‘‘Vajza e di, s’e detyron mamin të ngrejë zërin. Klea nuk e di që ne jemi në nivel të mirë ekonomik. Kur shkojmë në market dhe kërkon lodra, mundësisht të gjitha, unë i them: Nuk kemi mundësi tani. Deri në moshën që ta kuptojë vetë, do të përpiqem t’i imponoj idenë që ajo është fëmijë normal’’.

T’ia plotësosh apo jo tekat fëmijës tënd?! Ta përkëdhelësh pa fund apo t’i qëndrosh strikt. Përpara kësaj dileme ndodhen të gjitha nënat e reja. Mirela Shameti, sipërmarrëse në fushën e arsimit privat, rrëfen se për të rritur bijën e saj të vetme, Klea, që sot është gjashtë vjeç, i është dashur të përdorë skema krejt ndryshe nga ato që kishte gjetur duke shfletuar në literaturë para se vajza e saj të vinte në jetë.

Fillimisht qe sakrifica

Për një mirërritje të fëmijës, Mirelës iu desh të hiqte dorë nga profesioni për rreth 14 muaj. “Klea që e vogël kërkonte shumë vëmendje. Qante, pavarësisht dashurisë dhe përkushtimit tim maksimal. Në çastet e para gjatë shtatzënisë fillova të lexoj literaturë, gjë e cila mendoja se do të më ndihmonte të rrisja vajzën time. Me pak fjalë, nga leximet arrita në konkluzionin se nuk duhej t’i jepja vëmendje tekave të fëmijës, në mënyrë që ime bijë të bëhej e pavarur. Nuk duhej t’i kushtoja vëmendje në maksimum vajzës nëse qante, mjaft që të isha e bindur se ishte e ndërruar, e larë, e ushqyer… por veprova ndryshe. Unë rrija gjithë natën pa gjumë. Edhe me qumështin e gjirit nuk e krijova dot rregullin të cilin kisha menduar fillimisht. Ajo qante dhe mënyra e vetme ishte ta ushqeja që të pushonte. Pinte apo nuk pinte, mjafton që ajo ndjente ngrohtësinë time. Kështu që sa ishte e vogël, rregullat ranë të gjitha njëra pas tjetrës”.

Rikthimi i hapësirave personale

Më pas nëna e re do të rivendoste të gjente hapësirat e saj. Një rikthim i vështirë, por mjaft i nevojshëm për gruan, energjitë e së cilës do të viheshin në funksion të një projekti ambicioz, pas të cilit do të shfaqte vlerat e veta. Mori një vendim sa hap e mbyll sytë. Vajzën do t’ia besonte vjehrrës dhe bashkë me Adnorin, të shoqin, vendosën të menaxhonin një universitet privat. “Muajin e parë u shkëputa me orare të caktuara, pastaj me kohë më të gjatë. Kjo periudhë zgjati katër vjet. Desha apo nuk desha kisha marrë një vendim, i cili duhet ta pranoj se më trishtoi pas shkëputjes për shumë orë nga vajza. Por duhej bërë. Deri 4 vjeç vajzën e ka mbajtur nëna e Adnorit, pastaj e regjistrova në një kopsht privat, për të pasur më shumë disiplinë dhe përkushtim në komunitet”.

Autoriteti me Klean

“Angazhimi i tepërt në punë, bënte që të takoheshim me Klean në orët e vona. Atëherë unë nuk kisha shumë alternativa dhe vetëm e përkëdhelja. Gjyshja e saj gjithashtu. Kështu Klea filloi të pretendonte të njëjtën gjë edhe në komunitetin e moshës së saj, në kopsht, aty ku i duhej të ishte e barabartë me të tjerët. Ndaj mora një vendim. Puna dhe karriera është e rëndësishme, por më e rëndësishme për mua ishte Klea. Prandaj Mirela i ripa prioritetet, bëri riorganizim të kohës dhe marrëdhënies me të bijën. “Përcaktova orare në punë dhe kur Klea ishte kthyer nga kopshti, edhe unë isha në shtëpi. U bënë dy vjet që funksionoj kështu, kam përcaktuar rregulla dhe disiplinë dhe na bën mirë të dyjave”. Por jo vetëm kaq. Rregulla ka edhe gjetiu, e jo çdo tekë plotësohet. Vajza, s’e detyron mamin të ngrejë zërin. “Klea nuk e di që ne jemi në nivel të mirë ekonomik. Kur shkojmë në market dhe kërkon lodra, mundësisht të gjitha, unë i them: Nuk kemi mundësi tani. Deri në moshën që ta kuptojë vetë, do të përpiqem t’i imponoj idenë që ajo është fëmijë normal, në një pozicion ekonomik normal. Tani dua më shumë t’i ushqej interesin për dijet e sigurisht për mbushjen e kohës në mënyrë të vlefshme, që kur të rritet të ketë si ta organizojë ditën e saj”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top