Mirëqenie

May 20, 2016 | 6:11

Mirësjellja dhe të mirat psikologjike të saj

“Mirësjellja nuk është përulje, të heqësh dorë nga gjërat… por një zgjedhje ndryshe e përkthyer nga gjeste të vogla…” Dita ndërkombëtare e mirësjelljes fillesën e saj e ka në Japoni, në vitet ’60, kur disa trazira ndodhën mes policisë dhe studentëve. Sot në shumë vende të botës njihet si “Lëvizja botërore e mirësjelljes”. Nën frymëzimin e presidentit të universitetit në Tokio për paqe dhe dashuri, u sugjeruan të realizoheshin lëvizje që përmbanin bashkëpunim dhe dhurimin e dashurisë midis njëri-tjetrit. Nga ndikimi i këtyre ngjarjeve, sot njihen 15 shtete anëtare të kësaj lëvizjeje, që e nisën këtë sipërmarrje duke caktuar një ditë për t’i dhuruar buzëqeshje fqinjit, për t’u ofruar ëmbëlsira banorëve përreth, thjesht edhe duke u përshëndetur dhe përqafuar… Ta bësh botën më të sjellshme nuk është aq e thjeshtë. Në këtë botë kaq individualiste dhe konkurruese…

Ndjeshmëria fillon që në djep

Disa orë pas lindjes, bebet janë të ndjeshme ndaj shqetësimit të tjetrit. Mjafton që të dëgjojnë të qarat e bebeve të tjera që të fillojnë edhe vetë të qajnë. Është bukur të arrijmë në këtë përfundim dhe studiuesit amerikanë kanë vërtetuar se empatia mund të jetë e stimuluar nga edukimi, por mund të jetë gjithashtu edhe një prirje e lindur.

Të ndihmosh të tjerët është si të ndihmosh vetveten

Fëmijët që janë të shoqërueshëm, të dashur dhe të vëmendshëm ndaj të tjerëve janë jo vetëm të vlerësuar nga shoqëria, por edhe me rezultate të mira në shkollë. Në nivelin e shkollor, studimi tregoi se fëmijët qe ndihmonin vullnetarisht shokët e tyre, kishin nota më të mira se ata që punonin vetëm për veten. Vetëvlerësimi më i mirë dhe imazhi pozitiv për shkollën, i shoqëruar me ndihmën për të tjerët kthehet në ndihmë për vetveten.

Të falësh bën mirë për zemrën

Për të vërtetuar se falja bën mirë për sistemin kardiovaskular, disa vullnetarë u bënë pjesë e një studimi, që u kërkonte atyre të nxisnin dy reagime të kundërta në përballje me një situatë agresioni. Për të treguar reagimin negativ, atyre iu kërkua të imagjinonin sikur po hakmerreshin për dhimbjen e pësuar… Në një situatë tjetër, atyre iu kërkua të falnin, të thoshin se agresori ishte një qenie humane si ata që bën edhe gabime… duke u treguar empatikë. Verdikti i elektro-kardiogramës dhe i pasojave psikologjike te njerëzit në të dy situatat: Emocionet negative dhe hakmarrja lidheshin me një rritje të ritmit kardiak dhe të presionit arterial, ndërsa në gjendje empatie, stresi psikologjik i personave që u vendosën në të njëjtat situata vinte drejt uljes. Mëria nuk është e mirë për shëndetin tonë fizik dhe psikologjik.

Mirësjellja “prodhon” mirësjelljen

Është e vërtetë që lojërat apo media televizive që shërbejnë si modele për sjelljen te fëmijët, influencojnë në shkallën e ndjeshmërisë së tyre. Lojërat e dhunshme antisociale, përkundrejt lojërave bashkëpunuese dhe prosociale janë një ndikues kryesor në atë që njerëzit përcjellin në marrëdhënie me të tjerët. Diferenca është e dukshme: Ata që kishin luajtur me lojëra bashkëpunuese dhe pa shenja dhune në subjekt të tyre, kanë treguar për shkallë më të lartë të mirësjelljes se të tjerët. Vullnetarizmi na bën më pak depresivë Të kujdesemi për të tjerët dhe të investojmë kapacitetet tona në angazhime të ndryshme është njëkohësisht e dobishme edhe për veten tonë. Personat që aktivizohen në gjëra vullnetare arrijnë pikë më të larta në terma vlerësimi kur bëhet fjalë për cilësinë e jetës, vlerësim për veten, ndjenjën e lumturisë etj. Por kujdes me angazhimin që ne ofrojmë: nëse ai teprohet dhe nuk i njohim kufijtë tanë. Mbingarkesa dhe gjithëpërfshirja mund të kthehet në një harresë për veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top