Në fokus

October 14, 2019 | 11:07

Mirësjellja, respekti dhe dinjiteti

Termi dinjitet rrjedh nga latinishtja: dignitas, derivat i dignus, i denjë, i meritueshëm. Njeriu, për vetë natyrën njerëzore, gjendet përballë një kushtëzimi fisnikërie ontologjike dhe morale, ka vlera, duke qenë se është një qenie njerëzore unike dhe e papërsëritshme.

Vlera e secilit dhe respekti që meritojnë është baza e dinjitetit njerëzor. Respekti nuk parashikon dallim moshe, seksi, kushtëzimi ekonomik dhe social. Dinjiteti është një vlerë universale dhe absolute, një parim etik mbi të cilin formohen të gjitha vlerat e tjera.

Në ditët e sotme jemi përballë një fenomeni paradoksal: nga njëra anë jemi dëshmitarë të një përditshmërie me dhunë të pashtershme ndaj dinjitetit njerëzor, e cila shprehet nëpërmjet dhunës së çfarëdollojshme: te fëmijët, te femrat, në brendësi të familjes – njësoj si në vendin tonë ashtu edhe në të gjithë botën. Nga ana tjetër zhvillohen kudo iniciativa të natyrave të ndryshme, të cilat krijohen mbi mbrojtjen e dinjitetit të njerëzve, që nga lindja deri në vdekje.

Në të vërtetë, respekti ndaj çdo njeriu duket sikur nuk është më një vlerë në ‘modë’ dhe shpesh ndodh që pas atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit të njerëzve, fshihen persona që as vetë nuk respektojnë të tjerët në diversitetin e tyre. Aspekti thelbësor duhet të jetë që secili prej nesh të dijë të dallojë dinjitetin personal dhe vlerat, duke qenë se si qenie njerëzore duhet të mësojmë të respektojmë së pari veten. Duke nisur nga ky hap i parë, mund të mësojmë të formojmë respektin dhe dinjitetin për çdo qenie njerëzore pa dallim moshe, seksi, kushtëzimi fizik apo pozicion social.

Por duke folur për dinjitetin nuk është e mundur të qëndrojmë në një plan krejtësisht teorik, duke qenë se ai i përket jetës së përditshme të gjithsecilit. Është e lidhur me veprimet, me sjelljet dhe mënyrën e të ndërvepruarit, si dhe në plan komunikativ. Si rrjedhim, vetëm një edukim ndaj respektit dhe dinjitetit njerëzor, që përqafon të gjithë jetën e një individi, mund të ndërtojë një faktor parandalues ndaj diskriminimit, keqtrajtimit dhe abuzimit kundrejt njerëzve të tjerë.

Me përkushtimin tonë, me vullnetin e mirë, të gjithë së bashku mund të bëjmë të mundur që të kthehet në modë mirësjellja, respekti, ndjenja e mirë: dinjiteti. Dhe do të jetë shumë gjë e bukur… Çdo indiferencë mbretëron sovrane, nëse keni frikë nga hija juaj, ktheheni nga ana tjetër. Jetoni të mbyllur në njëfarë bunkeri personal dhe emotiv, e cila është frut i një kulture fortësisht individualiste dhe egoiste, ashtu edhe i paaftësisë për t’u ekspozuar, për t’u marrë me “punët e të tjerëve” në sens pozitiv.

Një gjigant i mendimit filozofik, Zygmunt Bauman, shkruante: “Në epokën tonë bota rreth e qark nesh është e prerë në fragmente pak të koordinuara, ndërsa jetët tona personale janë të fragmentarizuara në një pasardhëse të episodeve të lidhura keq me njëra-tjetrën”.

Ajo që konsiderohej e rëndësishme, parimi i përgjegjësisë, që nënkuptonte edhe sjelljet dhe mënyrën e të vepruarit, është tretur në atë ‘lëngun e modernitetit’ siç e konsideronte Bauman shoqërinë e sotme, duke u bërë një lloj parimi kënaqësie, një sjellje që mban në konsideratë vetëm fitimin personal, shpesh në dëm të tjetrit.

Në këtë xhungël nuk ka vend për ndjeshmëri, mirësjellje, edukatë. Çdo ditë dhe momentet e saj, përjetohen si beteja, si synime për t’u arritur, ku koha nuk është më diçka e kënaqshme, por një armik kundër të cilit duhet luftuar. Jemi bërë të gjithë përfaqësues të një ‘sëmundjeje’ të përhapur, kur urrejtja (jo ajo e sëmura) shndërrohet në një veshje të domosdoshme kundrejt të tjerëve. Nëse pasiguria është shndërruar në një shoqëruese jete aspak e kënaqshme, duke u mbyllur në atë bunkerin personal, nuk është se do të zgjidhni problemet, të cilat janë gjithnjë e më të vështira në këtë epokën tonë bashkëkohore. Nevojitet një dozë e madhe pozitiviteti, për ta shndërruar edhe ditën më të zymtë në një ditë me diell, me buzëqeshje e mirëqenie.

Shpenzojini energjitë tuaja duke dëgjuar nevojën për mbështetje apo kurajë të dikujt. Janë praktika dhe sjellje që formojnë jo vetëm bazat e një shoqërie civile, por sidomos të njerëzve të denjë për këtë emër. Shndërrohuni në ato femra dhe meshkuj që ‘veshin’ mirësjelljen si një rrobë, respektin si një parfum, pozitivitetin si një pardesy… dhe dinjitetin, si një lëkurë.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top