Këshilla & Arsye

March 1, 2018 | 14:34

Mitet dhe të vërtetat e depresionit

Mitet për depresionin

Mbingarkesa me punë lehtëson depresionin

Nëse keni një depresion të lehtë, shpërqendrimi me punë, mund t’ju ndihmojë, por nëse gjendja është e rënduar, puna e tepërt, vetëm sa do t’ju përkeqësojë. Duhet të filloni trajtime të tjera.

Depresioni nuk është sëmundje e vërtetë

Depresioni është sëmundje, e cila ka edhe pasoja fizike. Qarqet nervore në zonat e trurit që rregullojnë gjendjen shpirtërore, duket se nuk funksionojnë normalisht kur vuani nga depresioni.

llaçet krijojnë varësi për gjithë jetën

As kjo nuk është e vërtetë. Gjithçka e përcakton mjeku në bazë të ecurisë suaj. Ai ju ndihmon për të vendosur limit kohor për përdorimin e ilaçeve. Kjo nuk do të thotë që do t’i përdorni gjithë jetën.

Personat në depresion qajnë shumë

Jo gjithmonë ata që vuajnë nga depresioni qajnë. Mënyrat e të shprehurit janë të ndryshme.

Depresioni është pjesë e plakjes

Duke menduar kështu, shumë të moshuar nuk trajtohen, me idenë se me kalimin e viteve, depresioni është diçka normale. Kjo është diçka e gabuar, sepse depresioni pengon të moshuarit të rikuperohen edhe nga sëmundje të zemrës, nga operacionet etj.

Të shprehësh atë që ndjen përkeqëson gjendjen

Të tregosh se çfarë ndjen lehtëson shumë dhimbjen tuaj. Flisni me një specialist, me një mikeshë, me këdo që ndiheni të afërt dhe i besoni.

Adoleshentët janë të mërzitur nga natyra

Edhe adoleshentët mund të preken nga depresioni. Nëse i shikoni të mërzitur vazhdimisht, mos i anashkaloni duke e menduar si diçka normale që ndodh në adoleshencë.

Trajtimi i depresionit është shumë i vështirë

Pjesa më e madhe e njerëzve që marrin masa për të trajtuar depresionin, shërohen. Studimet tregojnë se trajtimi më i mirë është shpesh një kombinim i ilaçeve dhe terapisë së bisedimeve.

Të vërtetat mbi depresionin

Depresioni te burrat është i vështirë për t’u dalluar

Duke qenë se burrat përgjithësisht nuk i shprehin emocionet e tyre, tek ata është shumë e vështirë të diagnostikohen me depresion. Edhe mjekët e kanë shumë të vështirë diçka të tillë.

Çdokush mund të preket nga depresioni

Pavarësisht moshës, statusit, profesionit, çdo person mund të preket nga depresioni, pa dallim.

Depresioni na prek ngadalë

Depresioni është një sëmundje që vjen me faza të ngadalta, derisa gjendja përkeqësohet.

Historia e familjes nuk është përcaktuese

Nëse paraardhësit tuaj janë prekur nga depresioni, kjo nuk do të thotë se ju detyrimisht do të vuani gjithashtu.

Mendimet pozitive ju ndihmojnë

Fuqia e mendjes suaj është e jashtëzakonshme. Mendimet pozitive, do t’ju japin energji, do ndiheni më optimistë dhe do të lehtësojnë shenjat e depresionit.

Ushtrimet fizike janë terapi e mirë

Studimet e fundit kanë treguar se aktiviteti fizik përmirëson gjendjen tuaj dhe largon depresionin.

Jo çdo mërzitje është depresion

Të gjithë mund të mërzitemi e trishtohemi herë pas here. Kjo nuk do të thotë se jemi të prekur nga depresioni.

Ka gjithmonë shpresë për ditë më të mira

Në gjendjen e një depresioni të thellë, njerëzit mendojnë se nuk ka shpresë për një jetë më të mirë. Kjo është pjesë e sëmundjes, por jo e realitetit. Pasi të kalojë kjo gjendje, do të shihni gjithçka me sy tjetër.

Burimi / www.pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top