Jemi në ditët e fundit të muajit të ndërgjegjësimit lidhur me shëndetin mendor. Në kuadër të tij, janë zhvilluar aktivitete që kanë pasur në fokus të folurit rreth problemeve të shëndetit mendor, stigmës dhe diskrminimit që i shoqëron ato si dhe mënyrat e parandalimit të këtyre sëmundjeve. “Shëndeti mendor në punë” është slogani mbi të cilën janë mbajtur trajnime e aktivitete të ndryshme sensibilizuese gjatë tetorit.
Para disa ditësh, Sektori i Shëndetit Mendor, në Departamentin e Promocionit të Shëndetit, Instituti i Shëndetit Publik ne bashkëpunim me APRA (Albaniana Psychosocial Rehabilitation Associtation), Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës, organizuan një trajnim me temë: “Shëndeti mendor në punë”. Në këtë trajnim morën pjesë, mjekë, psikologë, infermierë, studentë, etj. Temat që u trajtuan ishin: “Shëndeti mendor dhe parandalimi i problemeve të lidhura me të”, “Shëndeti mendor në punë”, “Stresi në punë dhe mënyrat e menxhimit të tij”. Pas secilit prezantim u la një hapësirë për pyetje, komente dhe ndarje eksperiencash nga të pranishmit. Në fakt, shëndeti mendor në punë, përbën një aspekt për të cilin pak është folur, por sigurisht që përmban një rëndësi të madhe për secilin, për ata që janë në marrëdhënie pune, për ata që e kanë humbur punën, për ata që po kërkojnë punë etj. Puna është një pjesë e qenësishme e individit në moshën e rritur. Ajo përbën një mënyrë për të shpalosur veten, është mënyrë për të siguruar mbijetesën dhe të ardhurat e nevojshme, për të pasur një pozicion në shoqëri, etj.
Çrregullimet mendore
Çrregullimi mendor është një sjellje klinikisht domethënëse, sindromë psikologjike apo model sjelljeje që shoqërohet me shqetësim, me paaftësi, apo me një rrezik të shtuar vdekjeje, dhimbjeje, disabiliteti apo humbje të rëndësishme lirie. 5% deri 15% e fëmijëve gjatë jetës provojnë një çrregullim psikiatrik që është mjaftueshëm i theksuar për të kërkuar trajtim. Për fat të keq, shumë prej çrregullimeve të fëmijërisë kalojnë pa u kuptuar dhe pa u trajtuar, prandaj identifikimi i hershëm dhe trajtimi zë një vend të rëndësishëm. Çrregullimet që shihen më shpesh në klinikat e psikiatrisë së fëmijëve ose në mjediset e praktikës familjare përfshijnë çrregullime të zhvillimit intelektual, çrregullime të komunikimit, çrregullime të spektrit autik, çrregullimin e vëmendjes së pamjaftueshme dhe hiperaktivitetin (ADHD), çrregullimet specifike të të mësuarit dhe çrregullimet motore. Përveç këtyre, një pjesë e atyre çrregullimeve që hasen te personat e rritur, zakonisht vihen re edhe te fëmijët, sikundër janë depresioni madhor, çrregullimi bipolar dhe rrallë skizofrenia.
Faktorët
Ndërsa simptomat variojnë dukshëm, çrregullimet mendore karakterizohen në përgjithësi nga disa turbullime të mendimeve, emocioneve sjelljes dhe marrëdhënieve anormale me njerëzit e tjerë. Dëshmitë shkencore moderne tregojnë se çrregullimet mendore dhe të sjelljes janë rrjedhojë e bashkëveprimit të gjenetikës dhe ambientit, me fjalë të tjera i bashkëveprimit të faktorëve biologjikë me ata psikologjikë dhe socialë. Nga periudha e paralindjes dhe gjatë gjithë jetës, gjenet dhe ambienti marrin pjesë në një varg bashkëveprimesh të pashmangshme. Këto bashkëveprime janë themelore në zhvillimin e çrregullimeve mendore dhe të sjelljes.
Masat parandaluese
Ekzaminimi i faktorëve të riskut ka zbuluar se shumë nga këto çrregullime mund të jenë të kthyeshme. Për shembull, përçarja e rrethit të bashkëmoshatarëve dhe atij familjar, ndodhin afër, madje edhe para fillimit të episodit të parë psikotik. Vëmendja ndaj këtyre sferave të jetës, si pjesë e trajtimit, ka potencialin që të kufizojë apo të riparojë dëmtimin. Ndërhyrja e hershme dhe e gjerë mund të kapë pacientet në stadin e tyre parapsikotik dhe mundësisht të parandalojë ose vonojë kalimin e tyre në psikozë. Aktualisht, më e mira që mjekët synojnë është parandalimi, ndërhyrja sekondare në individët të cilët tashmë janë simptomatikë dhe me dëmtim të funksionimit, për të reduktuar gjasat e përkeqësimit të gjendjes së tyre. Kujdesi për pacientët me rrezik shumë të lartë fokusohet në trajtimin e simptomave të ndryshme dhe deficiteve funksionale, pa pritur për një diagnozë strukturale. Në shekullin e 21, qëllimi i trajtimit të hershëm duhet të jetë shërim sa më i plotë i mundshëm, ku njerëzit në çdo stad të skizofrenisë do të konsiderohen si njerëz që mund të arsimohen, të punësohen dhe të jenë të aftë të jetojnë një jetë normale./gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.