Me kalimin e viteve nisin të shfaqen edhe sëmundjet. Për femrat, problemet me shëndetin zakonisht fillojnë në kohën e menopauzës. Albana Daka, mjeke laboratori, njëherazi edhe nutricioniste, thotë se në këtë periudhë rritet risku për shfaqjen e sëmundjeve kronike…
“Menopauza është një dukuri normale që ndodh në një moshë të caktuar për çdo femër dhe fillimin e ka në kohën e menstruacioneve tuaja të fundit. Teksa nivelet e hormoneve ulen, mund të jetë e vështirë të mbani një peshë të qëndrueshme dhe rrjedhimisht rritet edhe rreziku i sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe kancerit”.
Ndaj, edhe ndjekja e një diete të shëndetshme që përfshin më pak kalori dhe ushqime të pasura me vlera ushqyese, sipas mjekes, mund t’ju ndihmojë shumë në këtë aspekt.
“Ekzistojnë një sërë faktorësh rreziku dhe shenjash që lidhen me moshën dhe menopauzën, të cilat nuk mund të ndryshohen. Por ushqyerja e shëndetshme mund të ndihmojë në parandalimin apo lehtësimin e disa sëmundjeve, të cilat mund të zhvillohen gjatë dhe pas menopauzës”.
Këshilla lidhur me regjimin ushqimor që rekomandohet
REGJIMI USHQIMOR
Gjatë menopauzës konsumoni shumëllojshmëri ushqimesh për të marrë të gjithë elementët ushqimorë që ju nevojiten. Duke qenë se dietat e femrave shpesh janë të varfra në hekur dhe kalcium është mirë të merrni mjaftueshëm kalcium. Hani dhe pini dy deri në katër racione bulmeti dhe ushqime të pasura me kalcium çdo ditë. Kalciumi gjendet në produktet e bulmetit, peshk (sardele, salmon) brokoli dhe bishtajore. Synoni të merrni 1.200 miligramë në ditë. Shtoni sasinë e hekurit. Hani të paktën tri racione me ushqime të pasura me hekur çdo ditë.
Hekuri gjendet te mishi kuq i viçit, peshku, vezët, perimet me gjethe jeshile, arrat dhe prodhimet e grurit. Sasia e rekomanduar ditore për hekur te gratë e kësaj grupmoshe është 8 miligramë në ditë.
Merrni mjaftueshëm fibra. Konsumoni ushqime të pasura me fibra të tilla si: bukë me grurë të plotë, makarona, oriz, fruta të freskëta dhe perime. Femrat duhet të marrin rreth 21 gramë fibra në ditë. Hani fruta dhe perime. Konsumoni të paktën një kupë e gjysmë fruta dhe dy kupa perime çdo ditë. Në menopauzë është e rëndësishme të ndiqet një plan ushqimor i pasur me estrogjen. Limitoni konsumin e alkoolit, kafeinës dhe ushqimeve pikante, të cilat mund të përkeqësojnë afshet e nxehta që ndjeni herë pas here.
Burimi: Gazeta “Panorama”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.