Mirëqenie

July 8, 2019 | 10:35

Mjeku endokrinolog: pasojat e të nxehtit tek diabetikët dhe kujdesi që duhet treguar

 

Kujdesi ndaj të nxehtit është një këshillë që vlen për të gjithë, por në rastin e diabetikëve kujdesi duhet të jetë i shtuar. Në kulmin e sezonit veror dhe kur temperaturat me gjasë pritet të rrisin vlerat, mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji ju vjen në ndihmë të gjithë atyre që vuajnë nga diabeti me disa këshilla, që në asnjë rast nuk duhet të neglizhohen.

“Temperaturat e larta kanë ndikim negativ te pacientët diabetikë. Së pari, në aspektin e përshtatshmërisë apo të ekuilibrimit të temperaturës trupore me temperaturën e jashtme, diabetikët nuk arrijnë përshtatshmërinë ideale; së dyti kemi humbje më të madhe të lëngjeve dhe elektroliteve të gjakut, çka sjell dehidrim; së treti rëndohen sëmundje të tjera bashkëshoqëruese; së katërti kemi reduktim të aktivitetit fizik dhe së fundmi temperaturat e larta shpesh janë shkak për kontaminime të ushqimeve si dhe mund të ulin efektin e barnave antidiabet.

Në këto kushte, duhen marrë masa që të mos ndodhë dehidrimi dhe parandalimi më i mirë në këtë rast është marrja e ujit dhe ushqimeve të lëngshme sa më shumë gjatë ditës si dhe duhet ta mbajnë të ekuilibruar diabetin. Duhet të ushqehen shpesh edhe me sasi të vogla, gjithmonë sipas këshillës së mjekut dhe në funksion të skemës së mjekimit që ato kanë. Duhet të përdorin ushqime të stinës, të pastruara dhe gatuara mirë”, thotë doktori.

Ndërlikimet

Sa u takon ndërlikimeve që mund të shfaqen, rreziku më i madh është, sipas doktorit, te diabetikët e paekuilibruar mirë, që paraqesin një lloj thatësie të trupit apo dehidrim.

“Në këtë sezon shtohet rreziku i dehidrimit. Gjithashtu, mund të kemi luhatje të vlerave të tensionit si dhe probabilitet të rritur që të përjetojnë goditjen e diellit apo të nxehtësisë së madhe”. Ndaj, edhe qëndrimi i hidratuar është i rëndësishëm e për këtë duhet të konsumohen sa më shumë lëngje.

Matja e sheqerit

Listën e këshillave për të sëmurët me diabet e kryeson matja e shpeshtë e sheqerit, kjo në varësi të mjekimit, çka nënkupton faktin që ata që trajtohen me insulinë, duhet të bëjnë matje më të shpeshta në harkun e 24 orëve.

“Për shkak të ndryshimeve të mëdha të sheqerit, i mosveprimit si duhet të barnave, i mosushtrimit të aktivitetit fizik, por edhe teprimit me fruta të stinës, akullore etj., të sëmurët duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të bëjnë matje më të shpeshta. Ata që trajtohen me insulinë, duhet të bëjnë 4 deri 6 matje në ditë, ndërsa ata që trajtohen me barna, 1 deri 2 herë në ditë do ishin të mjaftueshme”, këshillon më tej mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale. Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë, sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë afërsisht 500 milionë diabetikë, apo 6.3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.

 

 

Burimi / PanoramaOnline

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top