Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo ka shpjeguar 8 arsye pse s’jemi prekur deri tani nga koronavirusi. Ai gjithashtu ka theksuar se duhet të jemi më pak dyshues dhe s’duhet të krijojmë panik.
“Më pak dyshues, pa më të voglin element paniku në të përditshmen e jetës suaj dhe ne bashkërisht e me mirëbesim reciprok, do t’ia dalim përsëri mbanë”, shprehet Kalo.
“Epidemitë janë dukuri jo të panjohura ndër trevat tona Arbërore, edhe në këtë Shqipëri të këndej Drinit, mantelbardhët janë përplasur me to, dhe janë treguar kurdoherë në lartësinë e profesionalizmit dhe të humanizmit të tyre edhe pse shpesh në kushte jo të favorshme për plotësimin e misionit të tyre. “Team-work” dhe “Team-spirit” ishin dhe mbeten çelësi i suksesit të tyre në përballjen me to”, tha Kalo.
Ai shtoi se, “sistemi hermetik i kohës, infrastruktura jo e zhvilluar mirë dhe relievi, ishin tre faktorët kryesorë që ndikuan po ashtu, edhe në mos përhapjen galopante të tyre në një vend me probleme jo të pakta të sistemit të tij Shëndetësor Publik. Ndryshimi i sistemit, hapja e tij politike dhe gjeografike, qarkullimi i lirë sjellin me vete edhe një qasje tjetër ndaj epidemive të sëmundjeve të ndryshme infektive, sepse edhe mundësia e tyre e hyrjes dhe përhapjes është disi më e favorizuar në kushtet kur epidemiologjikisht sot bota është transformuar në një “Krahinë të vetme”.
Kalo thekson se, “sfida e radhës quhet Sars-Cov-2/Covid-19. Shqipëria për momentin duket e kursyer nga ky rrezik ndërbotëror, duke mos patur asnjë rast të konfirmuar”.
Mjeku infeksionist, Tritan Kalo shpjegon 8 arsye pse s’jemi prekur deri tani nga koronavirusi.
1. Rastësi.
2. Masat e mara për të mbajtur nën kontroll fluksin e udhëtarëve si dhe sensibilizimin e tyre, kur ata vijnë nga zona me raste tashmë të konfirmuara me Sars-Cov-2/Covid-19 si Kina, Itali, Koreja etj.
3. Situata në përmirësim e gripit sezonal.
4. Mungesa në të shkuarën edhe e infeksioneve nga të tjerë Beta-Coronaviruse (Sars-Cov 2002-2003, Mers-Cov 2012).
5. Vendosja gjeografike e trevave tona.
6. Kryqëzimi i qarkullimit të disa infeksioneve të tjera respiratore dhe mekanizmat konkurencialë të tyre për invadimin e organizmave humane.
7. Imuniteti i fituar ndaj coronaviruseve minore shkaktare të riniteve e faringiteve mbarëvjetorë, që në mënyrë të kryqëzuar ndoshta na mbron edhe ndaj një koronavirusi madhor si Sars-Cov-2/Covid-19.
8. Alerti i sistemit tonë imunitar nga vaksinimi i rregullt i popullatës, etj.
Burimi / ata.gov.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.