Në fokus

April 30, 2016 | 10:11

Monika Lubonja: Rastësisht nënë në moshën 23-vjeçare

Për një çast mendova edhe ndërprerjen e shtatzënisë, por këmbëngulja e sime mëje, mjeke, një grua e devotshme, e zonja dhe mbi të gjitha me një humanizëm të pashoq më shtyu e më dha forcë të madhe që unë ta mbaja atë fëmijë…

Thonë që rastësia është “mbreti” i fatit! Dhe ndodh të jetë surpriza më e bukur që mund të ndryshojë jetën. Duket se kështu ndodhi me Monika Lubonjën… kur mësoi se ishte shtatzënë, ndërsa qe një nga studentet më të hirshme asokohe në auditorët e Akademisë së Arteve, vetëm 23 vjeç… Ajo studionte e punonte fort, që një ditë emri dhe jehona e saj të kumbonin, siç ajo dëshironte. Por, njëkohësisht me skenarët e shfaqjeve, Monika në vitet e fakultetit po përjetonte edhe një subjekt real e të vërtetë dashurie, me njeriun që donte. Nuk e kishin zyrtarizuar marrëdhënien, e tyre, por ishin thjesht siç i cilësonin, “çifti më i bukur” i shkollës. …“Kur mora vesh që isha shtatzënë, për mua ishte si një rrufe në qiell të hapur. Isha ende studente dhe ora e mendja ime punonin vetëm që të ngjitesha në skenën e Teatrit Kombëtar, të bëhesha aktore e njohur. Mendoja veç të investoja për karrierën. Por, gjithçka ndodhi aq shpejt e aq papritur. Për një çast mendova edhe ndërprerjen e shtatzënisë, por këmbëngulja e sime mëje, mjeke, një grua e devotshme, e zonja dhe mbi të gjitha me një humanizëm të pashoq më shtyu e më dha forcë të madhe që unë ta mbaja atë fëmijë… E mblodha mendjen dhe gjykova që ajo krijesë ishte dhuratë e perëndisë dhe, si e tillë, më përkiste mua dhe partnerit tim”, rrëfen Monika Lubonja. I la gjërat të rrjedhin… vendosi të jetojë normalitetin, brenda asaj “të papriturës” që fati i solli në derë. “Në atë kohë kisha edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të prindërve të mi që vlerësonin jetën, por mbi të gjitha mua. Kuptova që një fëmijë ishte gjëja më e bukur që mund të më ndodhte”. Ishte herët? E ç’rëndësi kishte. Duhej ndërtuar karriera më parë? Fundja, pse kjo duhet të terë radha më e saktë… “Kur vajta për të lindur, në dhomë kisha disa gra të tjera të shtruara që kishin probleme… ndërsa unë vajzën e linda për 30 minuta. Duket edhe kjo ishte shenjë se sa e mirëpritur dhe sa mbarësi do të sillte ai fëmijë në jetën time. Kur ma vunë vajzën në krahë pasi ajo lindi… nuk them që u ekzaltova, as u përlota apo e prita keq… Ishte një nga ato ndjesitë normale dhe krejt njerëzore kur sheh që ke sjellë në jetë një fëmijë. Për mua femra ka lindur për të përcjellë jetën, lum ajo që e bën e mjerë ajo që nuk e provon njëherë këtë ndjesi”, vijon Lubonja. Monika Lubonja ishte ende e re për t’u dorëzuar, apo për të menduar se ai fëmijë mund ta pengonte për të bërë karrierë. Mamaja e saj po e mësonte me idenë se edhe pas nëntë muajve mund t’i rikthehej me vrull punës, për të vënë në vijë objektivat personale. Kaq iu desh aktores simpatike për ta besuar se realiteti nuk ishte i gënjeshtërt, apo i stisur. Ishte pikërisht ashtu siç i kishin treguar. Përveç angazhimit me vajzën e vogël, prindërve të saj u ra mbi supe “barra më e rëndë”. Ata të dy e ndihmuan Monikën me dashurinë e dy prindërve të përkushtuar, ashtu siç vetë ajo shtoi dozat e forcës tek vetja, për të zhvilluar projekte artistike e role në teatër. E kishte vështirë të besonte se ardhja në jetë e fëmijës mund t’i ndrydhte ëndrrat e një aktoreje premtuese. “Pasi u bëra nënë, përgjegjësitë si prind ishin edhe më të mëdha. Lindja e Teas më bëri më të ndjeshme, më të përkushtuar dhe të përgjegjshme për veprimet e mia. Sigurisht, ndonëse sot jam një nënë e divorcuar, tek ime bijë kam parë mishërimin e një vajze të mbarë, të dëgjuar, që do shumë studimet, leximet, por mbi të gjitha vlerëson sakrificat dhe dashurinë time si nënë. Jeta ime nuk ka qenë e lehtë, ashtu si e çdo njeriu tjetër, por Tea më ka dhënë edhe më shumë forcë për t’i përballuar situatat e ndryshme dhe për të bërë gjithmonë gjërat e ndjera në jetë”. E një nga pengjet që duket se ajo ende nuk ka mundur ta realizojë dot, është të pasurit e sa më shumë fëmijëve, jo vetëm një apo dy. “Duke qenë vetë fëmijë i vetëm, kam pasur gjithë kohës nevojë për një motër a vëlla, por sot të gjitha këto nevoja i shoh të plotësuara tek ime bijë, e të gërshetuara më së miri ashtu siç kurrë nuk e kisha imagjinuar. Jam më shumë se e lumtur që Tea më dha emrin nënë, që më plotësoi si grua dhe si femër. Sa mirë është kur ‘rastësia’ qëllon në shenjë tek një njeri….”.

Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top