Për të puna flet mbi gjithçka. Një sentencë e rëndësishme që e ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës. Monika Lubonja rend pas saj, edhe kur atë kohë mund ta ketë të lirë vetëm për veten. Sepse kjo është Monika, jo vetëm një aktore e bukur, por mbi të gjitha një grua e bukur, që i do sfidat.
Paralel me profesionin e bukur të artistes, ajo ka zgjedhur një angazhim të ri, që jo rastësisht edhe këtë herë gjendet aty. Pas sukseseve si drejtoreshë e Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve dhe Teatrit të Kukullave, producente teatrore dhe jo vetëm, Monika do të drejtojë një ndër departamentet më të rëndësishme në televizionin e njohur informativ “News 24”.
Artistja e njohur është zgjedhur në postin e rëndësishëm të drejtoreshës së Marketingut, detyrë e cila i është besuar nga drejtuesit e këtij televizioni.
Si e pritët këtë angazhim të ri?
Duke qenë se kam përvojë në pozicione drejtuese, le të themi që nuk ndjeva që do përfshihesha në një terren të panjohur. Angazhimi dhe përkushtimi në atë ambient erdhi natyrshëm duke qenë se punojnë njerëz profesionistë që e duan atë çka bëjnë dhe më mirë akoma dinë çfarë bëjnë. Të gjitha këto bënë që në këtë angazhim të ri, të ndjehesha dhe më e frymëzuar. Gjithsesi kam ende për të mësuar, dhe kjo më bën edhe më të etur për të dëgjuar këshilla nga ata të cilët e kanë prekur më herët këtë profesion.
Sa ju ka ndihmuar përvoja si drejtuese por edhe producente private në një terren si marketingu?
Siç ju thashë më sipër, më ka ndihmuar të kuptoj çfarë kërkojnë njerëzit. Marketingu është një fushë interesante që u jep vëmendje vlerave dhe cilësive, të cilat fatkeqësisht në kohën që jetojmë ndonjëherë kalojnë pa u vënë re, për këtë arsye çdo hallkë në marketing bën më të lehtë që gjithçka e bukur të marr vëmendjen e duhur.
Sa i vështirë është marketingu në Shqipëri dhe cili është sekreti i suksesit?
Sekreti i suksesit (qesh), dështimet, gabimet dhe të përpiqesh pafund. Të mos reshtësh së përpjekuri, të mos reshtësh së jetuari, është sekreti i suksesit për mendimin tim. Nuk më duket se marketingu është tanimë në vitin 2019 i vështirë. Koha ka ecur aq shpejt, njerëzit dhe vetë marketingu ka ecur edhe në vendin tonë me hapa të shpejtë. Përsëris së sigurisht gjithmonë ka vend për të mësuar edhe më tepër.
Intuita është një armë e mirë, sa ju ka shërbyer për t’ia dalë?
Intuita me masë pa u kthyer në paranojë të ndihmon të marrësh shpeshherë vendimet e duhura në momentet e duhura. Është një aset që fatmirësisht femrat e kanë të lindur. Bashkë me pak fat të ndihmon t’ia dalësh.
Përpos këtyre angazhimeve, teatri është JETA juaj. Ka diçka konkrete?
Mbaj mend, kam lexuar diku ‘Kur tregojmë planet për të ardhmen, Zoti qesh me ne’. Për këtë arsye jam mësuar të mos tregoj për planet e mija në të ardhmen nuk dua që Ai të qeshë. Teatri është dashuria e parë, e si e tillë nuk harrohet kurrë!
*Monika Lubonja njihet si aktore e teatrit dhe filmit, ku ka interpretuar disa role, duke filluar nga viti 1992. Ndër filmat ku ka luajtur përmendim: “Dyer, Dyer, Dyer” (2011), “Në kërkim të kujt” serial (2011), “Tingulli i heshtjes” serial (2010), “Tirana viti 0” (2001), “Dasma e Sakos” (1998), “Plumbi prej plasteline” (1995), “Përdhunuesit” (1995), “Pas fasadës” (1992), etj. Në teatër: “Komedia që shkon për dreq” (2018), “Menaxheria e Qelqtë” (2012), “Ah veshkat e mia” (2005), “Dashi pa brirë” (1993).
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.