Nga Orjona TRESA
Me ngjyrat ajo përshkruan emocionet e jetës, zhgënjimet, rilindjen… Madje guxon me ato më të fortat, të errëtat, dinamiket, për të shpërfaqur në telajo, një botë ku herë ndesh zbrazëti e herë nota optimizmi për jetën. Piktura për Monika Mollohollin është një mënyrë për të shprehur konceptet e jetës, mesazhet dhe vlerat e saj. Kjo është dhe një nga arsyet pse shumë artistë të huaj e kanë përzgjedhur në ngjarje të tilla kulturore, duke e vlerësuar me çmime për kontributin e saj.
E rritur me vlera qytetare dhe kulturore në Elbasanin e Normales, Monika Molloholli trashëgoi talentin për pikturën dhe muzikën nga familja e saj, si dhe u bë një arsimtare në profesion. Jeton në Itali, ku punon dhe jep kontributin e saj profesional dhe artistik, ndërsa kjo intervistë e rikthen për vlerësimin e fundit që mori në ekspozitën e artit të mbajtur në Romë më 8 maj.
“Prej vitesh tashmë ndodhem në Itali, më saktësisht në Cesena, ku përveç punës sime të përditshme, merrem edhe me artin, i cili është pasion i imi që në vogëli. Ashtu siç e kam përmendur edhe herë të tjera në intervista të ndryshme që kam dhënë në Shqipëri apo edhe këtu në Itali, këtë pasion e kam trashëguar nga xhaxhai im, piktori i njohur elbasanas Hilmi Molloholli. Me pikturat dhe me penelat e tij më mahniste dhe më frymëzonte që edhe unë ta dashuroja artin. Shpeshherë marr pjesë në ekspozita të ndryshme që bëhen në Itali dhe në vende të tjera të botës ku jam vlerësuar me çmime dhe me Certifikata të ndryshme për punën time. Para disa javësh, më saktë në 08 maj të këtij viti, mora pjesë në një ekspozitë arti në Romë. Konkurruesit e këtij eventi të rëndësishëm ishin të shumtë, si nga e gjithë Italia, ashtu edhe nga vende të tjera evropiane, nga ku do të zgjidheshin vetëm pak artistit për këtë ngjarje. Unë pata fatin e mirë të përzgjidhesha në stafin e artistëve. Tashmë ky staf përbëhet nga 33 artistë, ku pjesëmarrëse jam edhe unë tashmë. Ndihem e lumtur që punoj me këta artistë të mrekullueshëm dhe do të punoj edhe më tepër për ta çuar më përpara detyrën tonë të artistit.
Në këtë ngjarje kulturore, përveç gazetarit të njohur (roman), Dr. Fabio Sermoneta nga shtëpia botuese ‘Pagine’ në Romë, (njeri me vlera të papërshkrueshme për mua), Mauro Colaiacomo (Drejtues i këtij eventi) dhe drejtuesit e shtëpisë botuese në fjalë, Luciano Lucarini, merrnin pjesë edhe kritikë të ndryshëm të artit ku pata nderin dhe kënaqësinë të intervistohem nga poeti i njohur italian dhe njëkohësisht një nga kritikët e njohur të artit internacional Plinio Perilli.”
Me gazetarin e njohur Dr. Fabio Sermoneta
Padyshim që lajme të tilla na bëjnë të ndihemi krenarë, ndryshe nga ato që kohët e fundit na e kanë rënduar edhe më shumë imazhin. Edhe pse në formulën e saj si piktore, Molloholli ka zgjedhur të ndajë pikërisht këto ndjesi që e mundojnë shpirtin e artistit. “Artista Notturne” e kanë konsideruar kritikët veprën e saj në përgjithësi, dhe kjo e ka një shpjegim nga vetë piktorja.
“Në këtë event përfaqësova Italinë (vendin ku jetoj dhe punoj tashmë) dhe Shqipërinë (vendin ku jam rritur). Shqipëria qëndron gjithmonë në zemrën time dhe ndjehem krenare që mbaj lart emrin shqiptar. Tek unë shumica e artistëve dhe sidomos e kritikëve të pranishëm, vunë re praninë e punës sime notturne (natën), sepse pothuajse të gjitha pikturat e mia shprehin nuancat dhe ngjyrat e errëta të natës. Kjo është mëse e vërtetë, sepse ngjyrat luajnë për mua një rol të rëndësishëm midis elementëve të pikturës dhe vetë domethënies së saj. Është sikur të luaj me to derisa nuk gjej kënaqësinë e duhur. Intensiteti i ngjyrave në pjesën më të madhe të interpretimit të pikturave të mia shpreh frikën, pasigurinë dhe emocionet e brendshme që unë kam. Pikturën e shoqëroj gjithmonë me muzikë, sepse kjo e fundit përmirëson atmosferën dhe ritmin tim të punës dhe më influencon në përdorimin pse jo dhe të ngjyrave.”
Një tjetër pasion i Monikës është edhe muzika. Të mësuar herët, rreth moshës 8-vjeçare, ajo mori mësimet e para në kitarë me kompozitorin e shquar elbasanas Eduart Zdrava. Prej asaj kohe thotë se muzikën nuk e ka ndërprerë edhe në këtë moshë, ndërsa ka shtuar ambiciet për një instrument tjetër, më të sofistikuar.
“Tashmë po mësoj t’i bie edhe pianos (natyrisht e bëj për vajzën time të madhe pasi frekuenton një kurs pianoje). Më pëlqen dhe të këndoj dhe po eksperimentoj edhe në këtë fushë, pasi mësimi nuk njeh moshë. Arti në përgjithësi nuk njeh limit, nuk njeh moshë. Piktura për mua është një mënyrë për të shprehur konceptet e jetës. Me pikturat e mia më pëlqen të jap një mësim, sepse jeta ka parime dhe vlera që tashmë janë humbur krejtësisht. Parimi im është ky: Nëse dëshiron të bësh diçka të bukur në jetë, mjafton të studiosh, të kesh vullnet dhe ia arrin qëllimit. Tashmë nuk më ndalon asgjë. Një artist vazhdon rrugëtimin e tij duke tentuar, sepse është pikërisht kjo që na bën të ecim më tej, të rritemi, të ndryshojmë etj. Kërkoj gjithmonë frymëzim në diçka të re, të ndryshme, sepse arti është i drejtë kur ai zhvillohet në periudha të ndryshme, pa limit.
Pasionin tim të bukur rreth muzikës dhe artit kërkoj si mësuese në profesion t’ia transmetoj edhe dy vajzave të mia të mrekullueshme Viola dhe Virginia dhe t’i bej që edhe ato ta duan artin, të bukurën, madhështinë, sepse arti rrjedh në venat e mia dhe duhet transmetuar te brezat në vazhdim.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.