Marrëdhënie

July 20, 2016 | 10:22

Monika Stafa: Tradhtia… jo akt shpagimi!

Në perceptimin e saj, “tradhtia” nuk mund të konsiderohet si akt shpërfilljeje. Nëse ajo ndodh, sipas Monika Stafës, jo çdo “i tretë” në jetën e një familjeje përbën tradhti. Ndaj, në gjykim të situatës në të cilën përfshihet çifti, të panjohurat – thekson ajo – duhen parë te të dy. Dhe, “nëse ka një rrugë drejt përkryerjes, kjo është ta pranosh jetën tënde ashtu si je në të vërtetë”, vlerëson Monika Stafa.

Si e konsideroni tradhtinë?

Në cilat pozita mund ta falnit atë? E shprehur kështu, me fjalën “tradhti”, është pyetje shumë e ashpër. Kam përshtypjen se “tradhtia” dhe “konsekuenca” janë ngjyrosur shumë gjatë luftës së ftohtë. U bënë mite dhe antimite. Ndoshta gabohem, por jo çdo “i tretë” në jetën e një familjeje përbën tradhti. Nuk e kam konsideruar asnjëherë si një akt shpërfilljeje dhe shpagimi. Thjesht do doja shumë të kërkoja të panjohurat tek të dy. Epo bashkë, nëse na bashkojnë dy ose më shumë kauza e s’ka asgjë për t’i dhënë fund marrëdhënies, do të shihja larg drejt një bote ku ndihem edhe më e bukur. Një “i tretë” mund të jetë edhe rastësor, mund të jetë edhe thjesht episod, mund të jetë edhe romancë. Varet nga situata. Nuk mund t’i vihet emri tradhti menjëherë. Tjetër gjë është një lidhje e qëndrueshme paralele, e fortë dhe jetëgjatë. Në një rast të tillë do të ishte e pafalshme.

A mund të ndikojë pozitivisht në çift të rrëfesh tradhtinë?

Mendoj se edhe Zotit nuk mund t’i tregohen të gjitha, megjithëse është tërheqëse të ndjekësh këngën tënde. Nëse ka një rrugë drejt përkryerjes, kjo është ta pranosh jetën tënde si ti je në të vërtetë. Mjafton që në fund të ditës të mos pendohesh për rrugën tënde sot.

Cilat janë hapat e duhur për të mbajtur të qëndrueshëm raportin në çift, për të mos rrezikuar një tradhti?

Për mua, një marrëdhënie e qëndrueshme në çift varet shumë nga komunikimi. Shqiptarët e kanë zakon të keq që flasin pak e pothuajse nuk të dëgjojnë fare. Mungon shqisa e dëgjimit kudo ku hyn e ku del. Për mua, më mirë edhe të grinden se të heshtin në indiferencë. Grindja është pasion dhe ku ka pasion, ka këmbëngulje që jeta të vazhdojë me të gjitha ngjyrat. Por, kujdes, ngjyrat s’duhet të jenë vetëm të njërit kah të ylberit. Duke diskutuar e komunikuar mësohet vazhdimisht prej njëri-tjetrit, mësohet e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e dëmshmja. Dhe kështu lidhja forcohet. Por aspak s’duhet që një marrëdhënie të ndikohet nga njerëz të tjerë, jashtë premtimeve që keni dhënë në çastin e bekimit të madh. Çdo ndërhyrje tjetër që mund të vijë nga shumë shkaqe të natyrës njerëzore, mes tyre dhe zilia, do ta shembte lidhjen pa diskutim. Asnjëherë problemet e tua nuk do t’i zgjidhte një i huaj. E ke ngritur vetë kështjellën e bukur të jetës dhe nëse ajo ka pasur dashuri që në çastin e parë, ji i bindur të kthehesh sërish aty.

Botuar në revistën Psikologji, nr. 73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top