Këshilla & Arsye

November 16, 2017 | 12:39

“Mos më lër të shkoj”, një rrëfenjë emocionale, një nga veprat më të mprehta të Kazuo Ishiguros

Ju duhet ta mbani mend mirë këtë. Nëse doni të keni jetë të rregullt, atëherë më parë duhet të dini se çfarë fshihet para jush, përpara secilit prej jush.

Një rrëfenjë me një thjeshtësi mashtruese do të zbulojë pak nga pak një thellësi emocionale të jashtëzakonshme: një nga veprat më të mprehta të Kazuo Ishiguros.

Foto nga filmi me të njëjtin titull

Rrëfimtarja e historisë, Keti, sot 31 vjeçe, gjatë fëmijërisë së saj ka jetuar në një shkollë private, një institucion pothuajse historik, të quajtur Heilsham. Në këtë shkollë, fëmijët ndiheshin të mbrojtur nga bota e jashtme dhe rriteshin të bindur se ishin të veçantë dhe se mirëqenia e tyre ishte jetësore për mbarë shoqërinë, pjesë e së cilës do të bëheshin një ditë. Keti e ka lënë pas prej kohësh fëmijërinë e saj idilike, por kur dy nga shokët e saj të vjetër të Heilshamit shfaqen sërish, ajo lëshohet në rrjedhën e kujtimeve.

Foto nga filmi me të njëjtin titull

Foto nga filmi me të njëjtin titull

Kështu, teksa rizgjohet miqësia e saj me Ruthin, edhe simpatia e saj rinore për Tomin shndërrohet në dashuri. Kujtesa do të luajë një rol kryesor në ballafaqimet dhe peripecitë e dy të dashuruarve, të cilët do të përballen haptazi me të vërtetën dhe fatin e tyre.

Kritika

… këtu shfaqen imazhe të një bukurie të çuditshme dhe një mosrehati ekzistenciale gjithmonë në rritje, që ndikojnë mbi lexuesin edhe shumë kohë pasi e ka mbyllur librin. – The New York Times Book Review

Kushti paraprak qendror i këtij libri është në thelb i njëjtë me atë të librit që e bëri Ishiguron të famshëm, The Remains of the Day (1989): edhe kur lumturia është përballë teje, ajo është tejet e vështirë për t’u prekur. Ka zgjuarsi në mënyrën se si përmenden “çuditë” dhe zbulimi i ngadaltë i historisë së fshehur është kënaqësia kryesore e librit.

Ishiguro nuk shkruan si realist. Ai shkruan si një njeri që luan rolin e një realisti, dhe kjo është arsyeja kryesore e tërheqjes së veçantë që ushtrojnë librat e tij. Në fakt, ai shkruan fabula ironike dhe, nën maskën e tij elegante, i ngjan kryesisht shkrimtarëve si Kafka dhe Beckett. Prandaj dhe proza e tij është gjithmonë pak sa më specifike seç duhet. Ky realizëm duket sikur

ndjek rregullat e një manuali: i saktë, tërësor, i vendosur për të mos lënë asgjë pa thënë. E megjithatë efekti është vagëllimthi absurd. – The New Yorker

Pra, çfarë trajton vërtet “Mos më lër të shkoj”? Ka të bëjë me gërryerjen e vazhdueshme të shpresës. Ka të bëjë me ndrydhjen e asaj që dihet, që në këtë jetë njerëzit e zhgënjejnë vazhdimisht njëri-tjetrin, plaken dhe shkërmoqen. Ka të bëje me faktin që duhet të ruajmë qetësinë, megjithëse ruajtja e qetësisë nuk do të ndryshojë asgjë.

Autori

kazuo-ishiguroKazuo Ishiguro (1954) është një shkrimtar britanik, skenarist dhe tregimtar, fitues i çmimit Nobel. Ai ka lindur në Nagasaki, në Japoni. Familja e tij u shpërngul në Angli, në vitin 1960, kur ai ishte 6 vjeç. Pasi u diplomua në letërsi dhe filozofi, ai kreu dhe një master për krijimtari letrare. Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lavdëruar të botës anglishtfolëse: ka qenë katër herë kandidat për Man Booker Prize, duke e fituar çmimin në vitin 1989 me romanin The Remains of the Day. Në vitin 2005, romani “Mos më lër të shkoj”, u shpall nga revista Time si romani më i mirë i vitit dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005). Ai është autor i shtatë romaneve. Në 2017, Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin Nobel në letërsi, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën.”

pppp

Titulli: Mos më lër të shkoj

Autori: Kazuo Ishiguro

Përktheu: Rudi Erebara

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2017

Numri i faqeve: 370

Shtëpia botuese PEGI

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top