Në fokus

May 11, 2019 | 8:04

Mos u pendoni pse jeni njeri i mirë

Mos u pendoni asnjëherë pse jeni njeri i mirë. Sa herë keni menduar se nuk ia vlen të silleni mirë me të tjerët? Që gjërat ju shkojnë gjithnjë keq? Që shpesh veprimet e mira, nuk shoqërohen me mirënjohje? Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për mirënjohjen, shumë herë thjesht keni kuptuar se veprimet e mira që keni bërë, personi tjetër as që i ka kuptuar e perceptuar si të tilla.

Kur një gjest mirësie nga ana jonë, nuk kuptohet nga të tjerët, frustrimi dhe pafuqia shumë herë zënë vend brenda nesh. Sidomos kur kjo ndodh me njerëz që i duam dhe i vlerësojmë. Megjithatë, njerëzit që adhurojnë të kujdesen për të tjerët dhe që i bëjnë ata të ndihen mirë, nuk duhet asnjëherë ta shterojnë këtë instinkt dashurie, vetëm sepse të tjerët nuk e kuptojnë.

“Teoria e botës së duhur” bën të qartë një aspekt konjitiv që të gjithë e përdorim në një mënyrë a një tjetër për të përpunuar informacionet. Shumë herë presim të marrim nga të tjerët atë që japim, si të bëhej fjalë për një veprim të matematikës ekzakte. E ushqejmë mendimin, sipas të cilit do të marrim gjithmonë atë që japim, kur në të vërtetë nuk është kështu.

TË JESH NJERI I MIRË NË NJË BOTË TË GABUAR

Bota nuk është kështu. Bota habit me ekuilibrin e forcave dhe shkallën e përparësive të banorëve të saj. Banorë, që në shumë raste vendosin mbi drejtësinë interesin e tyre personal apo që tregojnë një ndjeshmëri të veçantë përkundrejt gabimeve dhe mungesave të të tjerëve. Banorë që, shumë shpesh ndëshkojnë (në mënyrë të vetëdijshme ose jo) mirësinë e të tjerëve me gjeste që lindin nga keqdashësia ose nga urrejtja. Në fakt, zakonisht ne mendojmë se njerëzit e mirë shpërblehen dhe ata të këqijtë ndëshkohen. Nuk ekziston një ligj i tillë në jetë. Jeta na habit me rastësitë e saj. Kjo ide e gabuar, gjeneron shumë pritshmëri që janë mjaft larg realitetit. Është njësoj si ta merrnim të mirëqenë një gjë që do të na ndodhë.

Askush nuk mund të bëjë të mira në jetë, nëse u ka bërë keq të tjerëve më parë. Jeta është një bashkësi e pandashme. Në këtë kuptim, jeta nuk është e drejtë. Ka njerëz të mirë që vuajnë dhe njerëz të këqij që triumfojnë në një botë ndonjëherë konfuze. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që mirësia të mos e ketë një kuptim, që nuk vlerësohet. Është diçka tmerrësisht e nevojshme, që dhuron një cilësi ndryshe në marrëdhëniet mes njerëzve.

MIRËSIA KTHEHET GJITHMONË

Veprimet e mira sjellin dritë dhe pozitivistet në marrëdhëniet ndërpersonale. Mos u mendoni asnjëherë se jeni njerëz të zotë vetëm sepse shumë herë mirësia juaj nuk perceptohet apo vlerësohet nga të tjerët. Ndaj, gjëja më e rëndësishme, siç mund ta imagjinoni, nuk është që të tjerët të pranojnë atë që ne jemi, por të ndihemi rehat me mënyrën se si e duam jetën tonë dhe të tjerët.

Të qenit njerëz të mirë, do të thotë të mbledhim shigjetat që i hedhim botës me harkun tonë delikat. Shigjetat që hedhim, kthehen gjithmonë te ne me një ndjenjë paqeje dhe qetësie. Nëse veprimet tona janë të pastra dhe pa interes, atëherë do të ndihemi mirë me veten dhe nuk do të pendohemi asnjëherë se jemi njerëz të mirë. Brenda nesh kemi të gjithë fuqinë për t’u përballur.

Kur bëjmë diçka sepse e ndjejmë brenda nesh, jemi të drejtë me veten dhe me të tjerët. Megjithatë, nëse duam diçka nga të tjerët, mund ta kërkojmë atë. Ndoshta do ta gjeni veten te ky shembull: ka njerëz që, për të marrë dashurinë dhe vëmendjen e partnerit, janë shumë korrektë dhe bujarë dhe kur nuk marrin të njëjtën gjë në këmbim të asaj që duan, inatosen duke e fajësuar.

NDONJËHERË E MASKOJMË MANIPULIMIN ME MIRËSI TË PAMATË

Shumë herë manipulimi maskohet nga një mirësi e butë dhe kjo gjë sjell keqkuptime, diskutime dhe shpërdorim energjish të tepërta. Nëse duam që dikush të na kushtojë vëmendje, mund t’ia kërkojmë, por duhet edhe të pranojmë faktin që do ta bëjë i sforcuar dhe jo në mënyrë spontane. A duam realisht këtë gjë?

Ndoshta, për shëndetin tonë mendor, është mirë të pranojmë që tjetri, me shumë gjasa nuk do të tregojë mirënjohjen e tij si dhe kur e duam. Të jemi njerëz të mirë do të thotë që nuk na intereson të marrim ndonjë gjë në këmbim, por është një akt pastërtie, të cilin nuk duhet ta humbasim.

Nëse jeni duke u sjellë si njerëz të mirë, sepse doni të merrni diçka në këmbim, atëherë jini të ndershëm me veten dhe mendoni se si të veproni në mënyrë më të matur, pa u mbështetur në këto manipulime të vogla, që nuk bëjnë gjë tjetër, përveç se ju dëmtojnë ju dhe të tjerët.

Mos u pendoni asnjëherë pse jeni njerëz të mirë. Mirësia kthehet gjithmonë dhe na bën të jemi në paqe me veten.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top