Në fokus

June 28, 2017 | 10:59

Mosfunksionimi i gjendrës mbiveshkore, shkak stresi

Dobësi trupore mungesë energjie, sidomos në mëngjes kur zgjohen, çrregullime të gjumit mendime të zymta, mosdëshirë për të kryer aktivitetet e përditshëm profesionale dhe sociale. Janë këto disa nga shqetësimet që një pjesë e mirë e jona i neglizhon me mendimin se janë kalimtare. Por, në fakt, këto shenja nuk janë veçse tregues të mosfunksionimit si duhet të gjëndrës mbiveshkore.

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji

Kjo lodhje kronike e mbiveshkores, sipas mjekut endokrinolog Dashamir Gjergji, manifestohet edhe me irritime të shpejta, çrregullime të tensionit arterial dhe të nivelit të sheqernave në gjak, alergji të shpeshta, marrje mëndsh, lëkurë e thatë dhe urinim të shpeshtë.

“Është sindromë që sa vjen e po prek më shumë individë si rezultat i ndryshimeve në stilin e jetesës, sidomos si shkak i shtimit të stresit të përditshëm”, pohon doktori, i cili na njeh edhe me skemën e mjekimit që më shumë sesa medikamentoze është e lidhur me stilin e jetës. Gjumë i rregullt, minimizimi i stresit, vakte të shëndetshme janë ato që mund të sjellin përmirësimin e dëshiruar.

Çfarë janë gjëndrat mbiveshkore dhe cili është funksioni i tyre?

Gjëndrat mbiveshkore janë gjëndra të vogla endokrine, por me rëndësi shumë të madhe për organizmin tonë. Këto gjëndra vendosen në pjesën e sipërme të secilës veshkë dhe prodhojnë hormone të ndryshme. Hormonet e prodhuara nga gjëndra mbiveshkore luajnë një rol thelbësor në mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, marrin pjesë direkt në rregullimin e djegies së yndyrave dhe proteinave, kanë rol në imunitetin e njeriut dhe në proceset riprodhuese për secilën gjini. Hormonet e mbiveshkoreve janë lëndë kimike shumë të rëndësishme në përshtatjen e organizmit ndaj streseve të ndryshme si psikike, fizike, sëmundje të rënda etj. Të gjitha efektet e saj fiziologjike kjo gjëndër i realizon si pjesë përbërëse e gjithë sistemit endokrin dhe më gjerë. Duke qenë një gjëndër kaq e rëndësishme, sidomos në përshtatshmërinë e organizmit me faktorë stresantë të jashtëm dhe të brendshëm, kërkohet që kjo gjëndër të jetë gjithmonë e gatshme për të përballuar situatë të tilla. Por jo gjithmonë kjo gjëndër arrin të bëjë mjaftueshmërisht përshtatjen dhe kjo ndodh kryesisht kur gjëndra mbiveshkore vuan nga sëmundje të ndryshme që mund të çrregullojnë funksionin e saj.

1

Të mbetemi te mosfunksionimi i kësaj gjëndre. Cilat janë sëmundjet që e dëmtojnë?

Zakonisht sëmundjet e gjëndrës mbiveshkore shoqërohen me ulje të prodhimeve hormonale të saj dhe rrallëherë kemi të bëjmë me tumore të kësaj gjëndre që sjellin mbiprodhime hormonale. Kohët e fundit studimet kanë treguar që jo vetëm sëmundjet organike, por edhe mbiekspozimi i madh individëve ndaj streseve të ndryshme sjell edhe një lloj bjerrjeje dhe “lodhjeje” të saj. Jo rrallëherë dëgjohet të flitet sot në qarqe mjekësore dhe më gjerë për konceptin e lodhjes kronike si rezultat i mosfunksionimit siç duhet i gjëndrave mbiveshkore Nga se shkaktohet lodhja kronike? Shkaqet kryesore nga se shkaktohet lodhja kronike mbiveshkore janë: Stresi i vazhdueshëm emocional, kequshqyerja, akuzohen stimulantët si kafeina, pije energjike, “fast food” etj. Ndikon po ashtu gjumi i pamjaftueshëm, reduktimi i orëve të gjumit, mosrelaksimi i mirë i organizmit, ndotja dhe agjentë të ndryshëm kimikë ambientalë, sëmundje kronike të rënda të organizmit si diabeti, hipertensioni, depresioni, trauma të ndryshme, si fizike, psikike, kirurgjikale etj. Nuk duhet të harrojmë edhe shkaqet që sjellin dëmtime jo vetëm funksionale, por edhe organike të këtyre gjëndrave, siç mund të jenë infeksione të ndryshme, sëmundje tumorale dhe sëmundje autoimune të vetë gjëndrave mbiveshkore.

Si manifestohet, pra çfarë shqetësimesh prezanton?

Shenjat më të zakonshme që ndeshen te lodhja kronike e mbiveshkoreve janë të tilla si: dobësi trupore; mungesë energjie, sidomos në mëngjes kur zgjohen; mendime të zymta; mosdëshirë për të kryer aktivitetet e përditshëm profesionale dhe sociale; ulje të dëshirës seksuale dhe çrregullime të gjumit. Po ashtu, provokon irritime të shpejta, çrregullime të tensionit arterial dhe të nivelit të sheqernave në gjak, alergji të shpeshta, marrje mendsh, lëkurë e thatë dhe urinim i shpeshtë. Shumë nga këto çrregullime janë të lidhura me mosprodhimin si duhet të hormonit kryesor të gjëndrës mbiveshkore, që njihet si kortizoli. Jo rrallëherë këto shenja dhe simptoma mund të ngatërrohen në personat që vuajnë nga depresioni. Stresi në punë e më gjerë, ashtu edhe te personat me intolerancë ushqimore të ndryshme, ndaj kërkohet vlerësim mjekësor për të bërë diferencimin e diagnozës.

Kush preket më tepër nga kjo sindromë?

Kjo sindromë prek të gjithë adultët dhe veçanërisht te personat e moshës së tretë, haset me shpesh si problematikë te femrat sesa te meshkujt me raportin 2:1. Është sindromë që sa vjen e po prek më shumë individë si rezultat i ndryshimeve në stilin e jetesës e sidomos si shkak i shtimit të stresit të përditshëm.

Sa i takon mjekimit, cila është skema që aplikohet?

Si në çdo sëmundje, rregulli i artë që është më mirë të parandalohet sesa të kurohet, kjo qëndron edhe për lodhjen kronike mbiveshkore. Nuk ka barna posaçërisht për këtë sindromë, sigurisht që në varësi të problem atikës që e ka shkaktuar sindromën duhet të jetë edhe mjekimi i drejtuar. Në përgjithësi vlejnë si elementë këshillues për t’u zbatuar të këto persona si më poshtë: duhet të flenë rregullisht nga 8 deri në 10 orë gjumë; duhet të pushojnë dhe të relaksohen kur ndihen të lodhur dhe të pafuqishëm; të qeshin dhe të argëtohen sa më tepër çdo ditë. Duhet të minimizojnë stresin në punë dhe më gjerë. Duhet të mënjanojnë takimet me persona që nuk i pëlqejnë, si dhe të mos mbyllen në vetvete. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, duhet të kërkojnë ndihmën e personave të specializuar në trajtimin e këtyre problematikave.

Cila është dieta që rekomandohet për sindromën e lodhjes kronike?

Duhen identifikuar dhe përjashtuar më pas nga dieta produktet ushqimore që shkaktojnë intolerancë. Kjo e fundit mund të bëhet shkak për shfaqjen e sëmundjeve siç janë hipertensioni, sëmundjet e zemrës,problemet mendore etj. Duhet që të ushqehen në të njëjtin orar çdo ditë për të gjithë vaktet, të konsumojnë sa më pak sheqer dhe ëmbëlsira. Duhet të konsumojnë më shumë proteina dhe yndyra natyrale, të ndërpresin kategorikisht kafenë, duhet të jenë të hidratuar mirë. Duhet të përdorin fruta të thata si arra, bajame, kikirikë, pistakë etj. Duhet të shijojnë produktet e fermentuara (jo birrë), që ndihmojnë për tretjen dhe për imunitet të mirë./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top