Marrëdhënia midis vëllezërve është një nga lidhjet më të gjata dhe ndikuese në jetë. Motër e vëlla, dy vëllezër, dy motra; sidoqoftë kombinimi, ata janë aq afër, sa këmbët e duart me njëri-tjetrin. Natyrshëm lind pyetja, pse disa marrëdhënie karakterizohen nga afërsia, afeksioni e disa të tjera nga konflikti dhe armiqësia? Afër dhe larg për shkak të gjinisë, temperamentit, diferencës në moshë, radhës së lindjes, sjelljeve të prindërve, cilësisë së martesës së tyre, konflikteve në familje etj.
Ardhja në jetë e motrës ose vëllait shoqërohet me ndryshime të mëdha në përjetimet e fëmijës. Sundimtari aktual mund ta përjetojë sikur po i zihet vendi, mund ta shikojë si rival për dashurinë e prindërve, të të afërmve, por edhe të të mirave materiale. Ky është momenti i parë i rivalitetit mes vëllezërve, i cili mund të kapërcehet me sukses falë punës së prindërve. Në të njëjtën kohë dy fëmijët mund të bëhen shokë dhe të ndajnë të njëjtin mjedis, të njëjtat lodra, të njëjtat gëzime. Ata janë miqtë e parë të njëritjetrit. Që në fëmijërinë e hershme krijohet kështu një lidhje e fortë midis dashurisë dhe urrejtjes. Mund të tingëllojë e çuditshme sesi dy vëllezër që konfliktohen shpesh me njëri-tjetrin, nuk mund të qëndrojnë dot të ndarë. Shpesh prindërit çuditen kur për të shuar konfliktin mundohen t’i ndajnë, por ata e kërkojnë aq shumë njëri-tjetrin. Fëmijëria është një periudhë tepër e rëndësishme në stabilizimin e marrëdhënies. Më të vegjlit imitojnë të rriturit, ndërkaq të rriturit shërbejnë si mësues të aftësive të ndryshme. Lidhja është më e intensifikuar në moshën parashkollore. Me rritjen gjërat ndryshojnë. Ata nuk janë më të vetmit miq të njëri-tjetrit, për më tepër interesat janë të ndryshme. Prindërit luajnë një rol të rëndësishëm për mënyrën se si i trajtojnë fëmijët. Të njëjtat lodra, të njëjta dhurata, e njëjta sjellje shpërblyese nuk funksionon më, sepse të trajtohesh në mënyrë të drejtë nuk do të thotë të trajtohesh në mënyrë të barabartë. Sjellja e prindërve bën që të zgjohen konflikte, rivalitet dhe inferioritet. Mesazhi që fëmijët marrin është që janë identikë, se arritjet e tyre vlejnë njësoj, por ndërkaq ata nuk ndjejnë se i duan njësoj. Nevojat për afeksion janë të ndryshme dhe në varësi të rrethanave. Në momente të caktuara një nga fëmijët mund të ketë nevojë për kujdes të veçantë, kur nuk e merr këtë kujdes ose kur e percepton si jo të drejtë shpërndarjen e barabartë të kujdesit prindëror, vëllai ose motraështë “armik”. Sidoqoftë, marrëdhënia është më e afërt në fëmijërinë e hershme dhe të mesme, sesa në adoleshencë, kur fillon një rënie graduale deri afër moshës së rritur të mesme, për t’u rritur më pas në moshën e rritur të vonë.
Adoleshenca është moment kritik në të gjitha sferat e jetës, padyshim që ndikon dhe marrëdhënien midis vëllezërve. Në moshë të rritur marrëdhënia komplikohet nga faktorë të tjerë. Del në pah roli i kulturës dhe prona si shkak i fortë konflikti. Prona… arsye konflikti Ofron një tablo ku pjesën më të madhe të arsyeve për konflikt në moshë të rritur e zë prona. Nëse në moshë të vogël prona është një lodër, tani prona është diçka me vlerë më të madhe ekonomike dhe që ka një tjetër funksion në jetë, ka një tjetër domethënie, por është po aq e rëndësishme sa ishte lodra në moshë të vogël që natyrshëm tani është zhvlerësuar. Kultura shqiptare, mentaliteti, vazhdojnë të ndikojnë të gjitha sferat e jetës, madje edhe marrëdhënien midis vëllezërve. Vëllezërit janë burim mbështetje fizike, emocionale, psikologjike dhe kjo është normale, por kur shikohen si burim financiar, madje kur ekzagjerohet dhe quhet detyrim, këtu problemet janë të pashmangshme. Mentaliteti problematik bën që vajzat të shikohen si inferiore, prandaj prona u trashëgohet djemve, kjo sjell konflikt motër-vëlla. Jetesa me prindërit, nga ana tjetër, bën që prindërit me mendimin se duhet t’i lënë trashëgimi gjithçka fëmijës që kujdeset për ta e duke lënë të kuptohet se ky është fëmija i preferuar, më tej krijojnë konflikt mes vëllezërish. Kjo situatë e bën individin të luhatet mes ndjenjash të paqëndrueshme. Të kujdesesh për prindërit është përgjegjësi dhe sakrificë, ndërkaq duke parë vëllanë tjetër që ka “shpëtuar” nga kjo “barrë” ndjen se peshorja anon nga ana e kundërt. Në momentin e ndarjes së pronës, pozicioni ndryshon, peshorja lëviz në kah të kundërt për vëllanë tjetër. Inferioriteti i vëllait përplaset me superioritetin e vëllait tjetër. Natyrisht, ky është rasti konfliktual, por ka dhe raste kur për shkak të kujdesit që duhet të tregojnë ndaj prindërve, vëllezërit të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Ndarja e pronës përveçse cenon sferën financiare, perceptohet si një ndarje e preferencave të prindërve për vetë fëmijët dhe shoqërohet me shpërthime agresive. Duket si një lloj çmimi që i vendoset secilit në varësi të meritave. Kronikat e lajmeve shpesh pasqyrojnë këtë realitet, madje deri në eliminim fizik të vëllait nga vëllai. Prona duket se ka një domethënie të madhe në psikikën e individëve dhe në vend që të kënaqet me atë çka merr, vëmendja përqendrohet te vlerësimi se sa mori vëllai tjetër. Në një farë mënyre individi identifikohet me pronën. Prona është pushtet edhe midis vëllezërve. Ata ndjejnë konkurrencën dhe janë të paaftë për ta ndarë atë qytetarisht. Prona mund të jetë një mundësi kompensimi e inferioriteteve të tjera si psh. të qenit më mbrapa në shkollim në krahasim me vëllain ose kur e konsideron veten pa fat në sferat e tjera të jetës. Ajo që vihet re është se vëllezërit më të edukuar, më të arsimuar, kanë prirjen të jenë më ndihmues dhe më tolerantë. Ndonjëherë ndihma është më e vogël kur prindërit jetojnë, sesa kur ata ndahen nga jeta.
Faktorë që ndikojnë në marrëdhënie
Por, sado aktual konflikti mes vëllezërish, i shkaktuar aktualisht së tepërmi prej pronës në Shqipëri, në këtë lidhje zënë vend edhe faktorë të tjerë.
-Në moshë të rritur duket se marrëdhënia midis motrave është më e fortë sesa midis dy vëllezërve ose vëlla e motër.
-Afërsia gjeografike është një nga faktorët. Sa më afër të jetojnë, ruajnë kontaktet, ndajnë të mirat e shërbimet dhe mbështesin njëri–tjetrin më shumë sesa kur jetojnë larg. Të qenit pranë në momentin e duhur forcon lidhjen dhe nuk lë shkas që këtë vend kaq të rëndësishëm në jetë, siç është motra apo vëllai, ta kompensojë dikush tjetër thjesht sepse është i pranishëm në momentin e duhur.
-Gjithashtu, raportet janë më të afërta në rast ndryshimesh jetësore, si divorci apo problemet shëndetësore. Më poshtë janë disa këshilla për prindërit, sepse pa dashur sjelljet e tyre mund të bëhen burim konflikti midis vëllezërve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.