Marrëdhënie

January 29, 2016 | 13:49

Motrat mike apo …rivale

1Nga: Nora Malaj

Marrëdhënia mes motrave është më interesantja në raportet sociale dhe njerëzore, e veshur sakaq me një tis të padukshëm. Studiues të ndryshëm e shohin si më të ndërlikuarën mes marrëdhënieve. Këtë gjë më shumë sesa kushdo mund ta shprehin të gjitha vajzat që kanë një motër. Ato, në mënyra të ndryshme shprehen dhe thonë se kjo është një marrëdhënie sa e veçantë, aq  edhe e vështirë.

Ja si e përkufizon Ema Andrea: “Motrën e vlerësoj për respektin që ka treguar ndaj zgjedhjeve të mia. Momentet e bukura apo të vështira, më ka lënë gjithmonë t’i vuaj ose t’i shijoj sipas mënyrës sime. Dhe kjo është e drejtë, besoj unë. Mënyra si e kemi ndërtuar ne raportin është e pazëvendësueshme. Unë nuk kam kurrë frikë, sepse e di që ime motër është gjithmonë aty për të më dhënë mbrojtje, për të më folur. Përveçse si motër, e kam shoqe… Nëse ka vend për ndonjë këshillë, një qortim… ia themi njëra- tjetrës. Askush nuk të bëhet më e afërt se motra.”

Lidhja dhe raporti i marrëdhënieve të motrave është nga lidhjet dhe raportet më të ndërlikuara dhe më të bekuara.  Këto raporte fillojnë që në gjenezën e saj.

Studimet pohojnë: “Motrat falin lumturi, ndërsa vëllezërit shqetësime. Të qenit mes motrave në familje, i bën njerëzit të jenë më të hapur dhe të kenë dëshirë të diskutojnë për ndjenjat e tyre. Ndikimi i femrave është veçanërisht i rëndësishëm në ngjarje stresuese, si në rastin e prishjes së një martese. Shprehja e emocioneve shihet si thelbësore për shëndetin psikologjik dhe motrat janë ato që çlirojnë emocionet në familje, duke i kushtuar rëndësi komunikimit”.

Ja si do ta quante dhe do ta përkufizonte këtë raport gazetarja Sonila Meçe: “Motra përfaqëson një pjesë fëmijërie që bartim me moshën e që nuk tretet me kohën, mike për shpirt, dhurata më e çmuar për zemrën, thesar që pasuron jetën. Motra më e madhe të bën të ndihesh gjysmë fëmijë e gjysmë grua.”

Por rastet dallohen edhe varësisht diferencës së moshës. Ndryshe funksionon raporti kur fëmijët (motrat) e dyta vijnë me diferencë moshe, e ndryshe kur vijnë “papritur”…

Me ardhjen e fëmijës së dytë në jetë, në rastin e motrave, ndodh një ndryshim si në sjelljen e prindërve, ashtu edhe në atë të fëmijës. Nëse fëmija i dytë ka ardhur menjëherë pas të parit, thënë ndryshe, “papritur”, sigurisht që për të gjithë pjesëtarët e familjes situata është disi “kritike”. Prindërit janë të papërgatitur, fëmija i madh e sheh si me dyshim ardhjen e të voglit, krijohen komplekset e xhelozisë që shfaqen në mënyrë të papritur, apo spontane nga i dyti, ose e para, vajza e madhe, që tanimë do të quhet gjithnjë e madhe, do të marrë mbi vete një pushtet që ia jep vendi dhe do ta transmetojë atë në mënyrë instiktive.

Për familjet që fëmija i dytë (vajza) vjen në jetë në periudhë të parashikuar është disi më ndryshe. Prindërit janë më të kujdesshëm, fillojnë dalëngadalë ta përgatisin të madhen dhe kjo e fundit e pret hareshëm ardhjen e të voglës: ajo do të ketë një kukull, po tani jo lodër, po një motër të vogël që e ka ëndërruar gjatë dhe që mami  dhe babi po i’a dhurojnë.

Fëmijëria

Raportet që krijohen në periudhën e fëmijërisë, janë shumë interesante dhe ngjajnë si puna e kohës që përgjithësisht është e qëndrueshme, po me pak vranësira të vogla.

Por, motrat, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë prindërit për t’i rritur, apo edukuar me dashuri për njëra- tjetrën, e dinë se gjithsesi janë në një konkurrencë me njëra-tjetrën. Por konkurrenca mes motrave vazhdon deri në njëfarë moshe. Më pas ato konkurrojnë me të tjerët. E kanë kaluar periudhën e “luftës” për kukullën e preferuar dhe fillojnë të përjetojnë ngushëllimet për djalin simpatik, që njërën prej tyre e ka bërë të vuajë.

Ato krijojnë raporte shumë interesante në ecurinë e rrugëtimit të tyre të gjatë. Kjo ndodh edhe për shkak se motra më e vogël ka të tjera tipare nga ajo më e madhja.

Motra e dytë

Zakonisht  fëmija i dytë është  në  pozicion plotësisht të ndryshëm, një gjendje që nuk mund të krahasohet me atë të fëmijëve të tjerë. Që në momentin që lindin ata ndajnë kujdesin me një tjetër fëmijë, prandaj janë më bashkëveprues se fëmijët e parëlindur. Ka gjithmonë një fëmijë që i kryeson në moshë dhe zhvillim dhe ata përpiqen vazhdimisht të arrijnë synimet e modelit pararendës. Fëmijët e dytë tipikë janë shumë të lehtë për t’ u dalluar pasi sillen sikur të ishin në një garë, ku dikush është një hap ose dy hapa para dhe ata duhet të nxitojnë të dalin përpara tij. E për këtë gjë ata lipset të luftojnë me të gjitha forcat dhe të përgatiten t’ ia kalojnë vazhdimisht  motrës së tyre për ta mposhtur atë. Fëmijët e dytë  shpesh janë më të talentuar dhe më të suksesshëm se ata që lindin të parët dhe kjo ndodh sepse ata punojnë më shumë. Shpesh fëmijët më të rritur shohin në ëndërr sikur janë duke u rrëzuar nga maja, ndërsa në rastet e tjera fëmijët e dytë shpesh e përfytyrojnë veten në gara.

Marrëdhënia mes motrave nis për të zgjatur të gjithë jetën. Edhe nëse për ndonjë arsye shumë të rëndë qëllon që motrat të mos i flasin më njëra-tjetrës, ose të jetojnë shumë larg, ato mbeten thellë në mendjen dhe psikikën e njëra-tjetrës. Vetëm një motër e di saktësisht se si mund të të lëndojë dhe vetëm një motër do ta bënte një gjë të tillë. E njëkohësisht vetëm një motër di të të bëhet njeriu më i afërt dhe mbështetës…

Ndaj këshilla më e mirë që jepet në këto raste është që ta duam sa më shumë njëra – tjetrën, pasi secila prej tyre është një individ i veçantë në raportet njerëzore dhe gjithçka në jetë  ndërtohet midis tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit. Ky është dhe çelësi i suksesit të raporteve afatgjata, ku nuk bëjnë përjashtime dhe ato ndërmjet motrave.

Rivaliteti & miqësia

Raportet ndërmjet motrave funksionojnë në mëntyrë perfekte në periudhën e fëmijërisë, pavarësisht zënkave të vogla. Çfarë mund të krijojë pakënaqësi, është ideja se njëri prej prindërve, apo ë dy shfaqin më shumë interes ndaj tjetrës. Kjo mund të bëjë që lidhja mes motrave të mos jetë shumë e konsoliduar.

Shpesh motrat janë edhe shoqe me njëra – tjetrën. Por mund të jetë edhe thjesht motra pa u bërë dot shoqe. Shkaqet: diferenca në moshë, interesat intelektuale të ndryshme, natyrat e ndryshme apo dëshirat e ndryshme.

Ja si do ta shpegonin raportin e tyre Albina dhe Suela, që kanë një  diferencë prej 9- vjetësh  mes tyre. Suela thotë se në fillim raporti i ngjnte më shumë marrëdhënies nënë-bijë:“Më ka trajtuar si vajzën e saj, është kujdesur për fëmijërinë time pasi prindërit e kishin me merak të më çonin në çerdhe”. Edhe për Albinës, Suela ka qenë gati fryt i saj: “Jam kujdesur për të që bebe. I kontrolloja detyrat kur shkoi në shkollë dhe dridhesha sa herë ajo kishte provimeJ.  Por raporti ndryshoi me kohën. Dhe motrat u bënë mike. Adoleshencën Suela e ka kaluar me mbështetjen e Albinës. “I tregonim gjithçka njëra-tjetrës. Nuk kemi mbajtur asnjëherë sekrete. Albina më këshillonte, më ndihmonte, më tregonte mënyrën më të mirë se si duhet të veproja”, thotë Suela. Tashmë ndihen si një skuadër, një ekip. Të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ato kanë ndarë shumë gjëra bashkë, deri tek veshjet.

Në këtë rrëfim të sinqertë pohohet qartazi raporti mes tyre , që është ndërtuar mbi bazën e mbështetjes,  ku në themel të gjithçkaje është dashuria dhe përkujdesi. Por, nëse ky raport do ta kalojë masën, atëherë ai do të bëhet i dëmshëm dhe do të hyjë në rrethin vicioz të konflikteve të pashmangshme. Ajo që  vlen tët theksohet  dhe të vlerësohet  në raportet mes motrave është fakti se asnjëherë motrat raportet e tyre nuk duhet t’i ndërtojnë mbi bazën e ndryshimit të roleve, se në të kundër ato humbasin lirinë e  tyre dhe kthehen në njësi varësuese, dhe më pas raportet e tyre bëhen stresues dhe mjaft problematike.

Botuar ne revistën Psikologjia, Mars 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top