Në fokus

May 2, 2017 | 15:52

Nga Kleona Çaushi: Muaji maj, për një dëgjim dhe të folur më të mirë!

Muaji maj nuk vjen vetëm me bukurinë e luleve, por dhe me promovimin dhe ndërgjegjësimin e një zëri më të mirë! Për më shumë se 75 vite, përgjatë gjithë muajit maj, logopedistët dhe audiologët janë më afër popullatës për të ndërgjegjësuar, informuar, por dhe për të parandaluar problemet e komunikimit, duke nisur nga humbjet e dëgjimit, dëmtimet në të folur, gjuhë dhe zë.

kleona-caushi

Kleona Çaushi Speech and Language Therapist

Më ftoi një ditë një nga kopshtet private të Tiranës për të parë disa fëmijë me “probleme në zhvillim” që ndiqnin atë kopsht. Drejtoresha pasi kishte biseduar me prindërit, më kërkoi të shkoja dhe të shikoja një ditë të këtyre fëmijëve. U ndalëm fillimisht në grupin e madh. Aty u njoha më një bukuroshe 5-vjeçare. “Është me Autizëm, por mamaja nuk e pranon”, – më tha drejtoresha. E vogla rrinte vetëm dhe luante me pazëlla. Formonte pjesëzat e njëjta me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht ndiqte fëmijët e tjerë. Kur i pëlqente, shkëputej nga çfarë po bënte dhe fokusohej ngultasi tek bashkëmoshatarët. Iu afrova ngadalë, duke i dhënë një pjesë nga loja e vet. Ngriti kokën, më pa, më buzëqeshi dhe e mori pjesëzën e pazëllit që i duhej. Më ndiqte me sy dhe kishte një kontakt me sy të shkëlqyer. Njihte ngjyrat, objektet dhe zbatonte  komandat. Ishte ende me bebelinë. Hante çdo gjë të bluar. Shpenzuam shumë kohë së bashku, u kënaqëm me njëra-tjetrën. Vajza vinte nga një familje intelektualësh. Ishte fëmijë i vetëm. Bisedova gjatë me të ëmën. Një nga ato mamatë “shqiponjë”, e cila ia jepte gati gjërat vajzës. Shkonte deri aty sa edhe i jepte ushqim të bluar, sepse kishte frikë mos mbytej. Nuk i kishin hequr bebelinën dhe as ishin munduar për të. Bukuroshja e vogël ishte një “princeshë”, e cila komunikonte shumë mirë nëpërmjet gjesteve, i jepej çdo gjë gati në shtëpi dhe nuk ishte nxitur për të vepruar vetëm, për t’iu rritur vetëbesimi dhe as për të folur. E kishin çuar vajzën në dy institucione për të vlerësuar gjendjen e të folurit të saj dhe në të dyja vendet ishte diagnostikuar me autizëm. “Unë nuk e besova këtë”, – më thoshte e ëma.

Dhe kishte të drejtë, vogëlushja nuk kishte autizëm. E vogla kishte vonesë të zhvillimit të të folurit dhe muskulaturë shumë të dobët të aparatit të të folurit. Sigurisht, ajo nuk përtypej, por vetëm e gëlltiste ushqimin. Ajo nuk ishte nxitur për të folur për shkak të kujdesit të tepruar, pa iu dhënë rasti që të kërkonte çfarë donte.

2

Çfarë bëmë?

Fillimisht bisedova me të gjithë pjesëtarët e familjes, mamanë, babin dhe gjyshen. U dhashë të gjithë informacionin e duhur për të cilin kishin nevojë për të kuptuar të voglën e tyre dhe për ta ndihmuar atë. Hoqëm bebelinën, filluam të ushqejmë vajzën pak nga pak me ushqime më të forta. Pjesëtarët e familjes filluan ta trajtojnë atë si një zonjushë 5-vjeçare dhe jo më si një bebe.

Filluam terapinë, çdo dite me nga një orë. Pas 1 muaji kemi mundur t’i këndojmë “Shumë urime për ty” mamit për ditëlindje. Oh sa dhuratë e bukur ishte kjo! Më e bukura.

Problemet në gjuhë dhe komunikim shtrihen dhe lënë gjurmë përgjatë gjithë zhvillimit të fëmijës edhe nëse mbeten të patrajtuara, përgjatë gjithë jetës. Nga lindja, kapacitetet zhvillimore të fëmijëve janë vazhdimisht në rritje dhe maturim. I foluri na siguron të gjithëve ne, mjete të domosdoshme për të mësuar dhe për të ndërvepruar me të tjerët. Të zbulosh problemet e të folurit ose komunikimit herët në fëmijëri është shumë e dobishme për zhvillimin emocional të tyre në të ardhmen. Gjuha dhe komunikimi janë jetësore për zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve. Vështirësitë në fushën e gjuhës dhe të komunikimit gjatë fëmijërisë mund të pengojnë aftësitë e fëmijës për të shprehur idetë e tyre me besim dhe për të observuar botën përreth tyre. Shumë prej fëmijëve më këto problematika mund të izolojnë veten e tyre, të shmangin shoqërimin me bashkëmoshatarët, shmangin situatat ku duhet të flasin duke minimizuar komunikimin verbal.

1Janë të shumëllojshme aktivitetet që prindërit mund të përdorin për të inkurajuar zhvillimin e gjuhës dhe të folurit te fëmijët e tyre. Gjuha është më mirë e mësuar duke bërë diçka. Lejoni fëmijët të ekspozohen në përvoja të reja dhe flitini rreth tyre përpara, gjatë dhe pas. Flisni me fëmijën tuaj për çfarë jeni duke bërë, duke menduar apo planifikuar. Flisni për tani dhe për pastaj. Ju jeni modeli i gjuhës për fëmijën tuaj! Fillimisht fëmija do t’ju imitojë fjalë dhe më pas do të flasë spontanisht në mënyrën e tij. Shpërbleji dhe lavdëroji të gjitha përpjekjet e fëmijës në komunikim. Loja duhet të jetë e hapur dhe të përdoret për të nxitur gjuhën dhe komunikimin.

Ju rekomandoj një sërë aktivitetesh të thjeshta që nxisin gjuhën dhe komunikimin:

1-Imitoni veprime dhe tinguj – Fëmija të imitojë tinguj ba, ma, da etj, pas jush dhe aktivitete: si përplasja e duarve, kafshët etj.

2-Lexojini fëmijës tuaj – Lexoni libra të thjeshtë me shumë figura dhe ngjyra. Mos lexoni të gjitha fjalët, përshkruani figurat, bisedoni dhe kërkojini fëmijës të tregojë me gisht objekte të thjeshta dhe të njohura në libër.

3-Flitini fëmijës tuaj – Përdorni një fjalor të thjeshtë për të përshkruar aktivitetet e përditshme, lani dhëmbët, rregulloni krevatin, shtroni tryezën etj.

4-Krijoni ambient që nxit fëmijën të flasë – Për shembull: konsumoni frutin e preferuar të fëmijës tuaj përballë tij, mbani një lodër me të cilën ai luan shpesh etj.

5-Përdorni pasqyrën – Një pasqyrë të madhe dhe të sigurtë që fëmija të mos dëmtohet. Qëndroni përballë saj dhe flisni më fëmijën tuaj rreth asaj që shihni, për shembull: “Unë shikoj sytë e tu”.

6-Gatimi – Gatimi dhe përgatitja e ushqimit janë një mundësi e shkëlqyer për të folurën.

7-Këndoni dhe kërceni gjatë të kënduarit.

8-Luani në natyrë, në parqe dhe ambiente të tjera ku mundeni. Përshkruani aktivitete që bëni me fëmijën.

9-Ofrojini fëmijës të zgjedhë – Për shembull të zgjedhë midis dy lodrave të ndryshme.

10-Loja imagjinare – Bëni sikur dhe luani me fëmijën tuaj, për shembull, pretendoni se kukulla po ha, po fle apo po vishet.

Përsëritja është shumë e rëndësishme! Mos harroni të përdorni një gjuhë të thjeshtë, të pastër, në mënyrë që fëmija të kuptojë se çfarë i thuhet dhe të provojë ta imitojë atë. Bëni të dëgjuarin dhe të folurin një eksperiencë të këndshme për fëmijën tuaj!

Gëzuar Muajin e të Folurit dhe Dëgjimit të gjithëve!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top