Më shumë se 20 milionë njerëz në Britani të Madhe janë “fizikisht joaktiv”, sipas një raporti nga British Heart Foundation. Si pasojë e pasivitetit rritet edhe rreziku për sëmundje të zemrës.
Harriet Mulvaney përjetoi një sulm në zemër në moshën 44-vjeçare dhe vendosi të bëjë ndryshime në stilin e jetës.
“Kur rri dhe e mendoj tani, nuk kam qenë aspak aktive. Unë mendoja se isha e tillë, por në fakt kam qenë thjesht e zënë dhe këtë e merrja për aktivitet”, thotë Harriet Mulvaney.
Raporti përcakton si “joaktiv” një person i cili nuk kryen aktivitet fizik të një intensiteti të moderuar prej 150 minutash në javë dhe aktivitete force për të paktën dy ditë në javë.
Si konsulente e burimeve njerëzore, Harriet e kishte ditën shumë të zënë. Asaj i duhej një orë për të shkuar në punë me makinë, e pastaj qëndronte ulur në kompjuter për 8 deri në 10 orë në ditë.
Më vonë ishte jeta familjare që e bllokonte dhe nuk merrej dot me ushtrime trupore. Përpara se të goditej nga ataku kardiak, ajo nuk pati asnjë shenjë paralajmëruese.
“Po ngjisja shkallët që të shkoja të laja dhëmbët para se të flija, kur papritmas ndjeva dhimbje të forta gjoksi në krahun e majtë dhe në nofullën e sipërme. E kuptova që ishte diçka serioze. Thirra menjherë ambulancën”, thotë ajo.
Analiza e “British Heart Foundation” tregon se një burrë në Angli shpenzon mesatarisht një të pestën e jetës i ulur, e barazvlefshme kjo me 78 ditë në vit, ndërsa për gratë atje është rreth 74 ditë në vit.
Sa duhet të ushtrohen grupmosha nga 19-64 vjeç?
- Të paktën 150 minuta aktivitet të moderuar aerobik ose 75 minuta aktivitet aerobik të fuqishëm çdo javë
- Ushtrime force dy ose më shumë ditë në javë që të punoni me të gjithë muskujt.
Studiuesit thonë se më shumë se 5 milionë vdekje në mbarë botën mund t’i atribuohen inaktivitetit fizik, duke e bërë atë një nga 10 shkaqet kryesore të vdekjeve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.