Përgatiti: Manjola EREQI
Në psikanalizë çdo prind ka një rol të mirëpërcaktuar në familje: nëna e dhimbsur dhe përkujdesëse, babai ai që jep rregullat. Por kjo gjë ishte kështu deri disa vite më parë. Sot, roli i figurës mashkullore ka ndryshuar. Babai është edhe një burim përkujdesjeje dhe dashurie, rol që më parë i përkiste ekskluzivisht nënës. Është e ditur tashmë se sa i rëndësishëm është babai për zhvillimin e fëmijës. Në fakt, si dashuria, si refuzimi nga ana e të dy prindërve mund të ndikojnë thellësisht ekuilibrin emotiv, vetëbesimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve.
“Çdo mashkull mund të jetë prind, por duhet një person i veçantë për të qenë baba”.
Në vitet e fundit, psikologët kanë filluar të studiojnë më thellë rolin e prindërve në zhvillimin e fëmijëve. Studime të shumta kanë nxjerrë në pah rëndësinë e figurës atërore. Këto studime kanë nxjerrë në dritë se si mungesa e babait shkakton probleme përshtatjeje te fëmijët. Sigurisht, prania e tij dhe mirëkuptimi kanë efekt të kundërt: thjeshtëson përshtatjen e fëmijës dhe krijon kushte për një zhvillim të shëndetshëm psikologjik.
Pasojat psikologjike të një babai mungues
Zbulojmë se cilat janë pasojat e mungesës së babait në jetën e një fëmijë dhe si t’ia bëni për të shëruar plagët emotive që lidhen me këtë mungesë .
Probleme në sjellje
Një baba që mungon në jetën e fëmijëve të tij mund të gjenerojë tek ata probleme të sjelljes. Fëmija ka nevojë të përballet vazhdimisht me botën e jashtme. Prania fizike e vetëm njërit prej prindërve nuk mjafton për të formësuar karakterin dhe për ta ndihmuar fëmijën të përballet me botën. Përkundrazi, ndonjëherë, mund të jetë më e keqe prania fizike e një prindi të vetëm, nëse ajo nuk shoqërohet me vëmendjet e duhura përkundrejt fëmijës.
Gjeneron pasiguri dhe ankth
Një baba që mungon apo që vë në diskutim çdo aktivitet të fëmijës gjeneron tek ai ankth, pasiguri. Pa dyshim është e rëndësishme t’i vini në diskutim sjelljet e fëmijës, por në mënyrë konstruktive, duke i bërë të kuptojë se
është nga ana e fëmijës në çdo rrethanë. Stimuli nuk duhet ngatërruar me disfatizmin, me negativitet.
Dëmton vetëvlerësimin
Fakti se fëmija nuk ndjen dashurinë e të atit apo që nuk merr nga ai miratim për gjërat që bën, e çon nënvetëdijen e fëmijës të minimizojë vlerësimin për veten. Personaliteti i fëmijës nuk është ende i zhvilluar plotësisht dhe, nëse do të ndihet i papranuar nga një figurë kaq e afërt dhe e rëndësishme si ajo e babait, kushtëzon zhvillimin e karakterit të tij.
Mungesa e babait: roli i nënës
Shpesh nëna, edhe pse ruan “bashkimin e familjes” ka tendencën që të justifikojë mungesën e babait me shprehje të tipit: “ti e di shumë mirë se si është yt atë”; “babai yt nuk e kupton që të lëndon”; “mundohu ta kuptosh babanë tënd” apo “babi yt e bën për ty”. Në thelb, nëna ka mësuar të pranojë karakterin e shkëputur të partnerit dhe përpiqet që edhe fëmija ta
kuptojë, i cili, nga ana e tij, e përjeton gjithçka si një mungesë vlerësimi për të. Por nuk është asfare kështu. Pikërisht sepse e do të voglin, figura mëmësore pa dashje, mundohet të sjellë ashtu si di harmoninë në familje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.