Shumë prej nesh mësuan për fatin e dhimbshëm të djaloshit 15-vjeçar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24. Musai, nga një incident që për pak desh i mori jetën, humbi aftësi fizike, të parikuperueshme nga mjekësia në Shqipëri.
Prej gushtit të vitit 2018, djaloshi shkodran e kishte të pamundur të komunikonte, lëvizte apo të kryente funksione të tjera fizike.
Por falë ekipit të “Shqiptarët për Shqiptarët” udhëhequr nga imami Elvis Naçi, aktivisti dhe besimtari Ilir Hoxholli, baritoni Sidrit Bejleri dhe drejtuesja e emisionit Ola Bruko, gjendja e djaloshit 15-vjeçar do të merrte tjetër kthesë.
I vetëm me nënën e tij, bashkë me fondin e mbledhur nga Shqiptarët për Shqiptarët, ai do të merrte garancinë e mjekëve italianë të spitalit Gaslini në Xhenova.
Musa Baculi arriti në kushte të dëshpëruara nga Shqipëria, në një gjendje vegjetative pas mbytjes, me një disfagie të rëndë (paaftësi për të gëlltitur saktë), një hemiparesis të dyfishtë dhe bllokim të nyjeve. Ai u shpëtua nga një ekip multidisiplinor në Gaslini të Xhenovas.
Sot ky ekip së bashku me 15-vjeçarin shkodran kanë deklaruar fundin e një misioni disamujor, duke treguar se i riu ia doli dhe nga sot mund të bëjë një jetë normale. Dhe fundin e misionit e kanë dokumentuar me një foto së bashku me Musain.
Sipas medieve italiane, 15-vjeçari u shtrua në gjendje koma në spitalin Gaslini në Xhenova, dhe pas nëntë muajsh kujdesi intensiv, Musai do të mund të ketë tanimë një jetë normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë.
Nga koma në jetë normale
Nëntë muaj pas aksidentit dhe pesë muaj pas pranimit në Gaslini, djali sot ka dalë nga spitali në kushte të shëndetshme mjekësore. “Gaslini e ka rikthyer atë në një jetë normale – tha drejtori i përgjithshëm i Gaslini Petralia. – Një sukses i ekipit, falë këmbënguljes dhe sinkronizimit të mjekëve të ndryshëm të Spitalit të Përgjithshëm – Gastroenterologjia, Rehabilitimi, Kirurgjia dhe Ortopedia – të cilët së bashku kanë qenë kthimi i shpresës dhe i shërimit për djalin”.
Presidenti i rajonit të Liguria-s, Giovanni Toti shprehu “mirënjohje” për rezultatin e marrë nga spitali pediatrik gjenovez: “Falë ekipit të Gaslini në shpëtimin e jetës së djalit që erdhi në kushte të dëshpëruara nga Shqipëria, ai më në fund mund të shkojë në shtëpi. Mjekët e Gaslinit kanë bërë një tjetër mrekulli”, tha Toti.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi today.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.