Editorial

June 13, 2023 | 8:02

Mushkonjat dhe ndotja në plazhe, ndikimi psikologjik tek pushuesit

 

Nga Orjona TRESA

 

Edhe ky sezon turistik nisi me të njëjtat probleme. Pushtimi i vijës bregdetare nga mushkonjat dhe insekte të tjera i ka bërë pushuesit të shfaqin shqetësimet e tyre, me të drejtë. Sipas raporteve të fundit zyrtare në media, prej dy vitesh mungon dezinfektimi në plazhe. Kjo situatë, aspak e volitshme në një periudhë të tillë, krijon gjendje aspak të favorshme psikologjike, sepse, përveç personave që kanë alergji nga pickimet, për shumë të tjerë kthehet në një situatë stresi, ankthi dhe pagjumësie, duke ua mohuar shijimin e plotë të pushimeve.

pl-1

Mungesa e dezinfektimit, për rrjedhojë e shtimit të insekteve, nuk sjell vetëm probleme për pushuesit shqiptarë, por edhe për të turistët e huaj. Përveç ndërrimit të klimës apo ushqimit, ata duhet të përballen dhe me ndotjen e shkaktuar nga mushkonjat, mizat dhe insektet të tjera që qarkullojnë në ajër, duke e bërë të pamëshirshme ditën. Insektet i gjen kudo, miza, grerëza, mushkonja etj., që sillen rrotull nga uji ose mjedisi i papastër në ushqim, mandej me pickimin në lëkurë, në trup dhe bezdisjes rreth tryezës çdo sekondë. Këto shqetësime shtojnë edhe problemet, e për pasojë rrisin edhe më shumë rrezikun e infeksioneve dhe sëmundjeve të transmetuara. Mund të ndodhin përhapje të infeksioneve siç janë përbërësit bakterialë, viruset dhe parazitët, të cilët shkaktojnë shenja nga më të ndryshme, por më akutet janë të vjellat dhe diarreja e shfrenuar. Dhe kjo situatë për rrjedhojë nuk mund të ketë vetëm ndikim negativ në industrinë e turizmit apo imazhin e vendit, por mbi të gjitha në shëndetin e pushuesit.

pl1-1

Dezinfektimi i plazheve është një nevojë e domosdoshme, jo vetëm në ato publike, por edhe private, të cilat edhe pse thuhet se e kryejnë këtë shërbim, raportimet tregojnë të kundërtën. Pushuesit kanë të drejtën e tyre të kalojnë ditë në ambiente të pastra, ku shijimi i kafes, i një pijeje të ftohtë në çadër apo i një dreke peshku, të mos shndërrohet në një atmosferë acarimi dhe shpifjeje nga prania e insekteve. Ky është një shqetësim i pandërprerë, që edhe pse i bërë publik së fundi për shkak të nisjes së sezonit veror, ndodh të jetë një situatë e zakontë.

Çdo vit pushuesit shqiptarë ankohen për mungesën e pastërtisë në plazhe, të kanaleve të ujërave të zeza që derdhen pranë vendit ku pushojnë, të mungesës së dezinfektimit nga autoritetet vendore, dhe pakënaqësi të tjera që lidhen me financat e tyre. Sepse me të drejtë, planifikimi i pushimeve ka kosto, dhe kjo nuk varet vetëm nga aspekti monetar, por mbi të gjitha ai psikofizik. Një fëmijë i vogël nuk pyet nëse uji është i ndotur apo rëra e papastruar. Ai do vetëm të shijojë gjithçka rreth e rrotull me prekjet prej fëmije, sepse ashtu lidhet me natyrën dhe të mirat që ajo na ka falur. Por në kushte të tilla, më falni, çfarë mund t’i garantoni këtij pushuesi të vogël?

Natyrisht, këtij shqetësimi i bashkëngjitet dhe pjesa njerëzore, e cila ka në dorë të bëjë pjesën e saj përpara një mjedisi ku pushimet, deti dhe rëra nuk janë vetëm të tijit, por të të gjithëve. Sa më shumë të mbajmë ambientin pastër për të bëjmë pjesën që na takon neve, aq më i shëndetshëm do të jetë ambienti përreth. Sepse ndodh, jo rrallë, që armiq të ndotjes bëhen dhe ata prindër apo të rritur që në vend që t’i çlirojnë nevojat e tyre apo të kafshës që mbajnë në tualete, zgjedhin të përdorin si gropë septike rërën apo detin, nga dembelizmi për një higjienë në të mirë të tyre.

pl2-1Dhe si gjithmonë, ndëshkimi mungon. Zbatimi i rregullave shihet si mosdarkodësi, si e drejtë e pushuesit që bën ç’të dojë, ndërsa për atë që i zbaton të duket si një i çuditshëm, që prish rendin.

Sensibilizimi dhe edukimi rreth rëndësisë së dezinfektimit dhe higjienës personale nuk është çështje vetëm e autoriteteve vendore, por i të gjithë aktorëve bashkë, pushuesve, të rritur dhe fëmijë, për të respektuar mjedisin, pa e bërë pis, pa e ndotur.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top