Këshilla & Arsye

November 1, 2016 | 13:27

Muza e haresë, historia e një shpirti dhe e një trupi, krejtësisht të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri

Ky libër është një himn kushtuar haresë. Haresë më të thjeshtë që mund të ekzistojë, ajo që na vjen nga ndërgjegjja dhe pranimi i vetvetes, e bashkë me të vjen pranimi i të tjerëve, i gjërave dhe njerëzve që, sidoqoftë, bashkëpunojnë për të krijuar atë lumturi që askush s’mund të na e rrëmbejë.

“Muza e haresë” është libri rebel dhe skandaloz i një shkrimtareje të jashtëzakonshme. Është një roman aventure, një autobiografi e trilluar. Është një roman formimi, por edhe erotik, politik dhe sentimental.

Modesta është një grua siçiliane, “kock’e fortë”, me një gjallëri dhe pasion të pazakontë, thuajse imorale për rregullat e shoqërisë së asokohshme, tek e cila dëshirat epshore gërshetohen me zgjuarsinë. Ajo përshkon të gjitha tufanet historike dhe stuhitë sentimentale, e mbrojtur nga një hajmali e paepur e brendshme: muza e haresë. Modesta lind më 1 janar 1900 dhe qysh prej atij çasti veçse ndërton e formon vetveten, pjesë pas pjese, gabim pas gabimi, gëzim pas gëzimi. Ajo përjeton mbi kurrizin e vet të gjitha detyrimet e mundshme që i shtron jeta përpara, krejt shpërfillëse ndaj sjelljeve të kohës, ndaj gjykimit të njerëzve, ndaj zakoneve shoqërore, seksuale dhe fetare.

Historia e saj është ajo e një shpirti dhe e një trupi, krejtësisht të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri, që përshkojnë shekullin XX, me vullnetin dhe ndërgjegjen për të qenë vetvetja, plotësisht dhe me çdo kusht, pa iu ndrojtur vetmisë, pikëllimit, keqkuptimeve, luftës dhe dhunës. Kryefjala e jetës së saj është liria. Mosbindja është virtyti i saj më i lartë.

Titulli: Muza e haresë

Autore: Goliarda Sapienza

Shqipëroi: Aida Baro

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

2Goliarda Sapienza lindi në Katania, Siçili, në një familje revolucionarësh socialistë. Aktivitetin letrar e nisi me romanin Lettera aperta (1967), pasuar me tituj të tjerë, ndër të cilët “Muza e haresë”, që pa dritën e botimit vetëm pas vdekjes së saj. Shkrimtare e refuzuar dhe e censuruar në gjallje, sot librat e saj po rivlerësohen në rang ndërkombëtar.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top