Melodia, këngët dhe ritmi muzikor janë mjete me të cilat zhvillohet kreativiteti, hyjmë në kontakt me vetveten dhe kurojmë probleme të shëndetit si ankthi, dhimbjet kronike, tensioni i lartë, vështirësitë në të mësuar. Për efektin që shkakton në sistemin qendror nervor, muzika është një faktor i rëndësishëm që ndihmon për t’u qetësuar dhe për të ulur stresin. Si mjet për zhvillimin personal, muzika mund të përmirësojë aftësitë konjitive (vëmendjen, memorien) dhe aftësitë psiko-emotive. Veç kësaj, për të përfituar nga muzikoterapia, kemi nevojë për një kulturë muzikore.
Edhe pse në fillim muzikoterapia u përdor në psikoterapi, përdorimi i saj për efekt terapie është përhapur gjatë kohës. Është vërtetuar se muzika është me të vërtetë e efektshme për njerëzit me probleme në komunikim. Falë efektit fiziologjik të saj, muzika e qetë mund të zbusë dhimbjen dhe ankthin duke zvogëluar nivelin e kortizolit (një hormon që lidhet me stresin) dhe çliron endorfinat, të cilat kanë cilësi qetësuese, analgjezike dhe euforike.
Muzika… kurë për çrregullimin e spektrit autik
Për sa i përket fëmijëve, si ata me autizëm, është zbuluar se stimujt akustikë ulin ankthin, duke përmirësuar sjelljen socio-emocionale dhe shtojnë besimin në vetvete. Në këtë mënyrë, fëmijëve me vështirësi në të folur, muzika u vjen në ndihmë për të mësuar artikulimin e fjalëve.
Muzikoterapia zë një vend të rëndësishëm në kurat dhe terapitë e bebeve të sapolindura dhe fëmijëve me nevoja të veçanta. Veç kësaj stimulon zhvillimin e gjuhës dhe ul ankthin. Gjithashtu, ajo zbut disa shqetësime që shkaktohen nga depresioni.
Muzikoterapia ndikon në fjalor dhe u lejon njerëzve të përmirësojnë mirëkuptimin, të jenë më të vëmendshëm gjatë komunikimit me të tjerët. Nëse dëgjoni muzikë të lehtë, instrumentale apo vokale, atëherë keni mundësi të bëni gjumë më të qetë, pasi mund të përmirësojë gjumin. Për të bërë gjumë të qetë dhe të rehatshëm, mund të jetë e efektshme të dëgjoni muzikë. Kjo gjë ju ndihmon të mos zgjoheni shumë herë gjatë natës dhe për rrjedhojë do të çlodheni më shumë.
Zbulimi i fundit i ekspertëve të fushës së psikologjisë është: kombinimi i muzikoterapisë me aromaterapinë. Vendosni disa pika vaj aromatik në një llambë të veçantë, zgjidhni muzikë të lehtë, me efekte çlodhëse dhe do të ndiheni në harmoni. Kush vendos të bëjë këtë lloj meditimi ka nevojë për të paktën gjysmë ore kohë të lirë në ditë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.