Siluetën e kullës së sahatit, që shfaqej e fshihej pas ngrehinave herë të ulta e herë ta larta të rrugës gjarpëruese, në fillim e interpretova si një vegim. E ç’donte kulla në atë periferi lindore të Tiranës, në rrëzë të Dajtit, ku ajri ishte ndjeshëm më i pastër? Por ishte një realitet. Imitimi në miniaturë, edhe pse jo i përpiktë në lartësi, i kishte ruajtur raportet e tjera objektit identifikues të kryeqytetit. I mungonte veç ora.
Më vonë, i zoti i shtëpisë, që dominohej nga kulla me bedenat e rreme, do të më tregonte se ishte pikërisht ai simbol të cilin arkitekti shijehollë, vëllai i tij i ndjerë, kish zgjedhur si element identifikues dhe domethënës. “Orën… do t’ia vëmë… arkitekti e ka parashikuar atë në projekt”. Presidenti i republikës, i veshur sport, me një polo të zezë, tejet miqësor, na pat pritur në krye të shkallëve të banesës ku jeton prej disa vitesh, dhe prirë mes përmes kopshtit, drejt një verande ku rrihej mirë për shkak të freskut. Gjithçka brenda mureve rrethuese e bënte atë hapësirë një nga vendet më relaksuese në Tiranë. Deri edhe qentë dalmatë, pavarësisht pakënaqësisë që shprehën për të panjohurit, ishin pjesë e dekorit të përsosur. Vilat kishin një stil arkitektonik të përkorë. Mbi të gjitha oborri i hapësirshëm dukej qartë se mbahej nga duar të kujdesshme kopshtarësh. Trëndafilat kundërmonin, asnjë gjethe e tharë përtokë, veç nën mollë kishin rënë disa kokrra të paduruara për të pritur vjeshtën. Një rosë vejevinte pranë një baseni, kurse maçoku që shtriqej poshtë një kanapeje të verandës, ishte miqësor me njerëzit, por siç morëm vesh aspak miqësor me mace të tjera që sa herë kishin ardhur në atë shtëpi, tejet xheloz, i kish përzënë pa hezitim… “Shumë prej pemëve kanë qenë prej kohësh të mbjella këtu… Ullinjtë kryesisht, dhe mollët”. Qemë ulur në disa poltronë prej kashte të mbuluar me jastëkë të kuq. Pas nesh pishina e vogël ishte ftuese. Muzika në sfond përzihej me cicërimat e zogjve… dhe asnjë zhurmë shqetësuese… Kurse burri përballë ishte aq miqësor, krejt i zhveshur nga petku zyrtar, edhe pse, pikërisht numri një i shtetit… -Po Nada dhe Etida? -Do të vijnë… menjëherë. – Dhe me të vërtetë u shfaqën pas pak, elegante, të bukura, të veshura me shije, të qeta, gati-gati të heshtura. Kurse babai nuk e fshehu një ndjesi krenarie që iu shfaq syve. U ngrit të afronte një karrige për njërën syresh… -Pikat e dobëta të babait, – them. Babë e bija shihen në sy duke buzëqeshur… Fjalët janë të tepërta në këtë rast, sepse babai duket me të vërtetë i disponueshëm ndaj vajzave. -A thua të kenë qenë vajzat që ka ëndërruar gjithnjë babai?,- mendoj me vete, duke pasur parasysh nevojën shekullore të baballarëve shqiptarë për djem. Menjëherë e artikuloj pyetjen. Presidenti buzëqesh. -Herën e parë, – thotë, – ajo që me të vërtetë dëshiroja me të gjithë qenien time, ishte pikërisht vajza. Dhe kisha një arsye. As unë, as im atë, as im gjysh… kurrë nuk kishin pasur motra. E as tani, vëllezërit e mi nuk kanë vajza. Ndaj dhe unë ëndërroja vajzë. Herën e dytë, diçka qe ndryshe, djali do të ishte i mirëpritur. Por shpejt u mësova me idenë që isha baba i dy vajzave. Dhe them se, mbi të gjitha, është mirë për vetë vajzat që kanë njëra-tjetrën. Apo jo? – u drejtohet bukurosheve, të cilat miratojnë me kokë. Fundja ato e dinë më mirë se kushdo, ashtu siç të gjitha vajzat që kanë motra e dinë, dhe të gjitha vajzat që s’kanë motra kurrë s’do ta mësojnë… -Po në fëmijërinë e tyre, si ka qenë marrëdhënia mes jush?- Presidenti nuk duket aspak i bezdisur nga pyetjet që vazhdoj të bëj, edhe pse qëllimi i vizitës në shtëpinë e tij kishte të bënte me setin fotografik që do t’u bënim vajzave fjalëpaka. Më përgjigjet pa hezitim. -S’mund të ketë modele të përkryera lidhur me marrëdhënien prind-fëmijë. Në rastin tonë, edhe për shkak të impenjimit tim, në mënyrë konstante me rritjen dhe edukimin e vajzave është marrë ime shoqe. Roli kryesor i ka takuar Teutës. Ama, ka një gjë të vërtetë: kur unë angazhohem, angazhohem totalisht. -Që do të thotë? -Që do të thotë se, le të themi, e diela ka qenë gjithnjë për familjen. Dhe vazhdon të jetë. Të dielën unë jam totalisht këtu. -Çfarë bëni zakonisht? Ku shkoni? -Më së shumti në Durrës, më rrallë në Vlorë ose Dajt. -Zgjidhni vende të izoluara, me pak njerëz? -Jo, jo. Dalja të dielën është për t’iu përshtatur jetës normale. Nuk dalim jashtë shtëpisë për t’u izoluar sërish. Të dielave jemi siç kemi qenë gjithnjë. -Kam dëgjuar shpesh nga njerëz shumë të impenjuar që thonë se përpiqen të mblidhen së bashku rreth tryezës një herë në ditë… Ju, e hani drekën bashkë? -Drekën jo, e pamundur të hahet familjarisht. – Kësaj here është edhe Nada që e mbështet. Ajo e di mirë, tashmë është në punë dhe rëndom kthehet në shtëpi pas orës 18:00. Nuk ka më pyetje. Ashtu si në një konferencë shtypi ku koha është e kronometruar, edhe kësaj here pikërisht koha na kushtëzoi. U shqetësuam nga afrimi i shpejtë i muzgut, i cili mund të na prishte punë për fotot, ndaj u përshëndetëm me presidentin… …Rreth dy orë më pas, u takuam sërish. Ne në të dalë e ai në të kthyer, zbret nga vendi i shoferit të një makine të zezë e me xhama të zinj. I kujton Editës takimin që ka pas pak -Jam i vëmendshëm ndaj vajzave, apo jo?- më thotë duke qeshur. Dhe, pas pak, shton se më tutje, në të djathtë të portës së madhe, është një ulli 2 mijë vjeçar. Duhet fotografuar… Është kënaqësi të bisedosh me presidentin e zhveshur nga petku zyrtar… Por nuk mund të zgjasë. Është koha për të ikur…. …Në të dalë, syri më kap një tabelë: Vila Etna… Kujtohem që e njëjta fjalë ishte shkuar me pllaka majolike blu në bazamentin e bardhë të pishinës së vogël pas vilës qendrore. Vullkani? Jo. Duhet të jetë një lidhje simbolike mes emrave të vajzave, Etida & Nada, që i kanë dhënë emrin sarajeve sharmante, një prej hapësirave më relaksuese në Tiranë, ku për mbi dy orë ishim mysafirë asaj pasditeje korriku…
Rrëfimi i Etidës dhe Nadës
Jemi në zemër të verës… duhet të keni planifikuar pushimet tuaja sakaq. Çfarë mund të na thoni rreth planeve?
Nuk kemi ndonjë gjë konkrete, pasi kemi plane të ndryshme, por ideja është që një pjesë të pushimeve ta kalojmë me familjen dhe një pjesë së bashku me shoqërinë.
Njëra prej jush punon… çfarë pavarësie, në mos, autonomie, ka krijuar tek ju fakti që merrni rrogën tuaj?
(Nada) Kryesorja është që puna që unë bëj në Bankën e Shqipërisë më jep shumë kënaqësi nga ana profesionale. Është vendi i përkryer për të mësuar akoma më shumë. Por, sigurisht, është edhe kënaqësia e një pavarësie relative ekonomike.
Sa nxitëse është një situatë e tillë (punësimi) për ju Etida?
(Etida)… Para se të vijë momenti i punësimit, unë jam e ndërgjegjshme se më duhet të studioj shumë. Gjithsesi, motra mbetet modeli më i mirë për mua.
Cila është marrëdhënia juaj nënë- bija? Sa tradicionale është ajo, apo sa origjinale…
Varet çfarë kuptoni ju me tradicionale (qesh), por për të dyja ne, nëna është një nga dy njerëzit më të shtrenjtë në botë, kështu që lidhja me të është unike.
A bisedoni me nënën për gjërat tuaja personale? Një personazh i njohur më ka thënë: Një nënë që të jetë vërtet e tillë, vështirë të bëhet shoqe për vajzat e saj… Dhe, në të vërtetë, tingëllon mjaft i besueshëm një arsyetim i tillë, pasi rrezikon të konfuzohen rolet… E megjithatë, kjo nuk është absolute. Cili është rasti juaj?
Në rastin tonë, mami di të jetë mama në rastet e duhura, ashtu edhe shoqe në rastet e tjera. Pra, ne bisedojmë goxha rreth gjërave tona personale dhe veprimtarive të përditshme. Jemi shumë të lumtura me këtë marrëdhënie të krijuar mes të triave.
Cili është modeli që në mënyrë të pandërgjegjshme (nëpërmjet mënyrës se si ajo ka funksionuar) ju ka ofruar nëna juaj në lidhje me familjen?
Sa tradicionale është familja në të cilën jeni rritur, në mënyrën se si është ndërtuar ajo, në përcaktimin e roleve brenda në shtëpi… Mendojmë se jemi pjesë e një familjeje tradicionale shqiptare, ku të gjithë kanë funksionet e veta të përcaktuara. Sjelljet e prindërve tanë karshi ne të dyjave kanë qenë një shkollë e pazëvendësueshme për ne.
Cilat janë detyrimet familjare që u takojnë dy vajzave, si kanë ndryshuar ato në kohë, me rritjen tuaj?
Nuk kemi detyrime të mirëfillta, por nga ana tjetër mund të themi se gjërat që bëjmë në shtëpi dhe për familjen janë të ndryshme dhe realizohen me kënaqësi.
Jemi mësuar të dëgjojmë shprehjet: Vajzat, pikat e dobëta të presidentit… Si e shpreh babai juaj dobësinë ndaj jush, me tolerancë, me përkëdhelje, me dhurata?
Aaaa (qeshin). Na preke në pikën tonë të dobët… ai lë kokën për ne, ashtu sikurse edhe ne për të.
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me babanë në kohën kur ai ishte më pak i angazhuar, le të fillojmë nga koha kur ai nuk ishte ende një protagonist në politikë… Si ka avancuar marrëdhënia në kohë, si është ajo tani?
Gjatë kohës kur babi nuk merrej me politikë, mund të themi se ne e kishim të tërin për vete. Por që atëherë ka kaluar goxha kohë. Tashmë angazhimi në jetën politike kuptohet që e ridimensionon raportin tonë, por pa ndryshuar aspak balancat familjare. Pavarësisht situatave të krijuara në kohë të ndryshme, ai ka gjetur gjithnjë kohën për të qenë prezent pranë nesh.
Më vjen ndërmend e bija e Lasgush Poradecit që më tha: Kur isha e vogël, nuk mundesha ta kuptoja madhështinë e tim eti… Po ju, në fëmijërinë tuaj jo edhe aq të hershme, sa ishit të ndërgjegjshme që ishit bijat e një personi publikisht të njohur, të vlerësuar sakaq?
Për mendimin tonë në përgjithësi raporti i fëmijëve me babanë nuk dominohet psikologjikisht nga të qenit figurë e njohur publike, por ato janë dhe mbeten raporte të natyrshme të prindit me fëmijën.
Në shoqërinë tuaj fëminore, si “komentohej” fakti që ishit vajzat e një njeriu të njohur? Ju bënte të ndiheshit ndryshe ky fakt? (është folur sakaq për ekuilibrin që ju dini të mbani tani, në këtë moshë, por do të ishte me interes të dinim diçka rreth periudhës kur ju ishit të vogla)…
Asnjëherë nuk ka ndodhur që në raportet shoqërore ky fakt të bëhet pjesë e klimës së bisedave midis shoqeve dhe shokëve, gjë që mund të dëshmohet edhe në kohëzgjatjen e shoqërisë së krijuar prej nesh që nga fëmijëria.
A ju kujtohet hera e parë kur e keni ndjekur babanë tuaj në një intervistë televizive? Çfarë ndjesie keni provuar…
E kemi parë shumë shpesh babanë nëpër intervista të ndryshme që ai ka dhënë, sa e kemi të vështirë të kujtojmë herën e parë. Por ka disa prej të cilave, në mënyrë të padiskutueshme, mbeten në memorien tonë si për tematikat që janë trajtuar në to, edhe për periudhat në të cilat janë dhënë. Ne i shikojmë gjithnjë me shumë interes intervistat e babit dhe ndonjëherë i trajtojmë ato edhe me sy kritik, duke u munduar t’i japim edhe këshillat tona në raste të caktuara.
Dy vajza të rritura, për më tepër elegante, simpatike… sa i vëmendshëm është babai juaj ndaj feminilitetit tuaj. A e vë re një fustan tuajin të ri, një krehje flokësh… A ju komplimenton?
Përgjithësisht babai është shumë i ndjeshëm dhe i vëmendshëm ndaj nesh, kështu që ai na komplimenton shpeshherë, por gjithmonë duke respektuar shijet tona.
E ndjeni krenarinë e prindërve tuaj për ju (mamaja juaj në një intervistë që kam bërë kohë më parë, ma ka pohuar një gjë të tillë)? Si e shprehin ata?
Sigurisht, kjo është një gjë e dukshme, por ajo mbetet konfidenciale brenda raporteve familjare.
Me cilin prej prindërve e keni më të lehtë të komunikoni, të rrëfeheni… dhe pastaj, te cili prej të dyve e keni më të lehtë të merrni leje kur ju duhet…
Për ne si vajza është më e thjeshtë dhe më komode të komunikojmë me mamin, e cila influencon shumë edhe kur na duhet të marrim leje te babi.
Sa imponues janë prindërit tuaj në rastet kur keni nevojë të bëni zgjedhje… le të themi lidhur me studimet tuaja? Imponues?…
Mund të themi aspak. Ata si prindër që janë na thonë mendimet dhe këndvështrimet e tyre në lidhje me çështje të caktuara, sigurisht duke na sugjeruar e këshilluar atë për të cilën mendojnë se është më e mira për ne. Akoma më tepër në rastin e zgjedhjes së degëve të studimit, mund të themi se janë plotësisht zgjedhjet tona, të bazuara në prirjet dhe pasionet tona, sigurisht të pëlqyera pa asnjë lloj hezitimi nga prindërit tanë.
Pse nuk zgjodhët të studioni jashtë Shqipërisë? Apo mos ndoshta prindërit nuk deshën që t’ju kishin larg në një moshë jo edhe aq të rritur… A i mendoni studimet pasuniversitare jashtë?
Qëndrimi në Shqipëri, pra kryerja e studimeve universitare këtu, ka qenë zgjedhje e të dyja palëve, e jona dhe e prindërve tanë. Arsyet kanë qenë disa: së pari, ne mendojmë se universitetet në Shqipëri janë cilësore. Sidomos universitetet ku kam studiuar unë (Nada) dhe vazhdon të studiojë Etida dallohen për pedagogët më të mirë në fushat përkatëse, si dhe për cilësinë e lartë në mësimdhënie. Pra, ky fakt na bëri të mos e ndjenim nevojën e kryerjes së studimeve jashtë Shqipërisë. Gjithashtu edhe arsyeja që ju përmendët, pra të mos ishim larg familjes në një moshë jo edhe aq të rritur, ka ndikuar në zgjedhjen tonë, pasi është e rëndësishme që në një periudhë të tillë të jetës të jesh pranë familjes. Të dyja mendojmë se nevoja e kualifikimit pasuniversitar, në universitete të njohura botërore, do të ishte gjetja më e mirë për perspektivën e profesioneve tona.
Me dy fjalë, cila është marrëdhënia mes jush: thjesht motra apo edhe shoqe?
Nuk ekziston më i vogli dyshim, sepse përveçse motra kemi ndërtuar qysh të vogla marrëdhënie që nuk dallojnë nga ato të shoqeve të ngushta. Kjo na gëzon, pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e ndjejmë të nevojshme këtë lidhje.
Diferenca mes jush prej 4 vjetësh a është ideale, apo kjo ka bërë që të jeni të ndryshme, të keni shoqëri të ndryshme…
Nuk jemi në gjendje për të thënë se cila është idealja, por ne ndihemi shumë mirë kështu siç jemi, ndonëse shoqëritë mund t’i kemi të ndryshme.
Kur keni filluar të mendoni se një vajzë është mirë të ketë një motër?
(Nada) Për mua si fëmija më i madh, gëzimi për motrën ka qenë shumë natyral, siç e ka çdo fëmijë në atë moshë. Sot që të dyja ndihemi me fat që kemi njëra-tjetrën.
A keni menduar ndonjëherë: sikur të kisha një vëlla? Jua kanë tërhequr vëmendjen rastet e shoqeve tuaja që kishin vëllezër dhe jo motra?
Njeriu mësohet me situatën e tij, pavarësisht se ndonjëherë edhe do të na kish pëlqyer. Edhe ne, të ambientuara me këtë realitet, nuk na shkon edhe aq mendja për të pasur një përfytyrim tjetër nga ky i sotmi. Sidoqoftë, djemtë e xhaxhallarëve i kemi si vëllezër.
Motrat e mëdha shpesh ndodh që të jenë modele, të cilat motrat e vogla i imitojnë. Si ka funksionuar me ju?
(Etida) Po, është e vërtetë. Unë si motra më e vogël mund të dëshmoj se Nada ka qenë dhe mbetet modeli më i mirë për mua, në familje e sidomos në shoqëri.
Gjithashtu ndodh që motrat e mëdha të marrin herë pas here rolin e nënës përballë motrës së vogël: e këshillojnë, e kritikojnë, e ndalojnë të bëjë gjëra apo zgjedhje që nuk i gjykojnë të drejta… Po ju?
Kur ka qenë e nevojshme kjo ka ndodhur, por me kalimin e viteve diferencat në formim pothuaj nuk ekzistojnë. Ne vetëm këshillohemi me njëra-tjetrën dhe rrallë bëjmë kritika apo vërejtje…
Megjithatë… në ç’raste ka konflikte mes jush? Për ç’arsye?
Mendime të ndryshme ndodh që kemi, por konflikte në asnjë mënyrë nuk ka arsye të kemi. Sa kohë nuk ka terren për këtë gjë… urojmë të mos konfliktohemi kurrë.
Vajzat e vogla kanë gjithnjë dëshirë të veshin këpucët me taka të mamasë… apo të motrës së madhe. A i kujtoni ju (Etida) këpucët e para me taka të Nadës, të cilat do kishit dashur t’i kishit edhe ju, po njëlloj?
(Etida) Jo, nuk e kam fiksuar një gjë të tillë. Ndoshta sepse qysh të vogla prindërit na kanë veshur pak a shumë në të njëjtin stil. Tani që jemi të rritura, secila ka guston e vet dhe ndoshta edhe diferenca në shijen e të veshurit.
A i keni të përcaktuara hapësirat tuaja personale apo rrathët tuaj të privatësisë mbivendosen në ndonjë vend?
Përderisa komentoni privatësinë, ajo nga vetë termi nënkupton diçka personale, por asnjëherë nuk shkojmë në egoizëm.
Si e përfytyroni të nesërmen tuaj familjare?
Si e përfytyroni veten tuaj, gra e më pas nëna… Si të gjitha vajzat që kalojnë në një etapë të rëndësishme të jetës. Të bëhesh nënë në një moment të jetës duhet të jetë shumë bukur. Këtë emocion e kemi parë vazhdimisht edhe tek të tjerat.
Mamaja juaj pas martesës u identifikua me mbiemrin e babait tuaj. Ishte një “rregull” i kohës… do ta imitoni mamanë tuaj në këtë pikë?
Le t’ia lëmë kohës përgjigjen për këtë pyetje.
A keni modele të qarta në këtë pikëpamje? Nëse po, a mund të na i përshkruani?
Modelet mund të jene të larmishme, por ne nuk e kemi menduar ndonjëherë këtë element.
Dhe për ta mbyllur: 27 korriku është përvjetori i martesës së prindërve tuaj. Keni planifikuar ndonjë surprizë për ta?
Është 24-vjetori i martesës së prindërve. Nuk kemi planifikuar asgjë deri tani, por me siguri do të jemi të gjithë së bashku për ta kujtuar dhe për ta festuar qoftë edhe për pak çaste.
A.M
Botuar në revistën Psikologji, gusht 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.