Aktualitet

August 13, 2025 | 9:45

Natë makthi në Delvinë: Qytetarë që flenë në rrugë, tymi që mbyt frymëmarrjen dhe një qytet që zgjohet mes pasojave të zjarrit

 

Delvina ka kaluar një nga netët më të errëta në kujtesën e saj të afërt. Një zjarr i furishëm përfshiu zonën kodrinore përreth qytetit, duke mbjellë panik, frikë dhe pasiguri mes banorëve. Në një natë ku qetësia u zëvendësua nga alarmet, krismat e flakëve dhe era që përhapej si mallkim mbi qytet, shumë qytetarë zgjodhën të flenë në rrugë, jo nga dëshira, por nga frika.

banore-delvine

Në errësirën e natës, tymi i dendur mbuloi rrugicat, ndërsa drita e zjarrit ndriçonte qiellin si një paralajmërim i kobshëm. Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore nga asfiksia, mes tyre edhe pjesëtarë të ushtrisë që po luftonin në vijën e parë të frontit. Ata u trajtuan në Kinoteatrin e qytetit, një hapësirë që për një natë u shndërrua në një qendër të dhimbjes dhe shpresës.

zjarr-delvine1

Forcat zjarrfikëse nga bashkitë e jugut, njësi të specializuara nga Tirana, trupa të ushtrisë dhe vetë banorët e Delvinës u mobilizuan në një betejë të pabarabartë kundër natyrës së pamëshirshme. U përpoqën, djersitën, rezistuan… dhe ia dolën t’i mbajnë flakët larg zonave të banuara. Por nuk kishte vend për festë, por vetëm për një frymëmarrje lehtësimi mes hirit dhe pluhurit që mbeti pas.

zjarr-delvine2

Zjarri vijon të jetë aktiv në zonën malore të Kakodhiqit, aty ku besohet se nisi gjithçka. Tani për tani, qyteti është i qetë, por është një qetësi e brishtë, e mbështjellë me pasigurinë që sjell era dhe temperaturat e larta.

zjarr-delvine

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top