Një studim i ri thekson se kontakti me natyrën është faktor për shëndetin mendor, një argument që është përqafuar prej kohësh nga aktivistët për mjedise të gjelbra dhe parqe në zonat urbane. Afro 80 për qind e popullsisë në vende me të ardhura të mesme dhe të larta jetojnë në zona urbane, ku depresioni përbën një shqetësim të madh për shëndetin publik. Parqet, kopshtet e gjelbëruara dhe mjediset e hapura natyrore shpesh mungojnë në qytete. Disa studiues kanë ngritur idenë se ka lidhje mes hapësirave të gjelbëruara dhe lumturisë. Njerëzit, të cilët kanë lëvizur në zona më të gjelbra, janë më të lumtur dhe vazhdojnë të jenë më të lumtur.
“Politikat ambientaliste që nxisin një mjedis më favorizues për shëndetin fizik, mund të sjellin përfitime më të gjera për shëndetin publik”. Madje, edhe parqet e vogla të vendosura në mes të qyteteve ndikojnë në zvogëlimin e rrezikut për sëmundjet e zemrës. Parqet dhe sipërfaqet me gjelbërim ndikojnë në zvogëlimin e stresit te personat të cilët jetojnë në afërsi të tyre dhe njëkohësisht rrisin mundësitë që njerëzit të merren me aktivitet fizik. Rivënia e kontaktit me tokën rrit besimin tuaj te vetja, lufton ankthin dhe ju mëson të rigjeni bukurinë e gjërave të vogla që e bëjnë jetën të bukur. Ndaj qëndroni sa më shumë në natyrë. Qëndrimi në natyrë i bën mirë si trupit ashtu edhe mendjes. Kërkimet tregojnë se kalimi i kohës në ajër të pastër paraqet avantazhe të mëdha thuajse në çdo sezon: sistemi imunitar u përgjigjet më me efektshmëri rreziqeve të sezonit. Kur vjen pranvera, dëshira për të dalë ndihet edhe më shumë: është momenti i duhur për të filluar aktivitetet sportive. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe noti, i cili është shumë i rëndësishëm gjatë pushimeve verore dhe jo vetëm. Ideale është që pushimet të shoqërohen dhe me ecje në natyrë.
Në shëtitje me veten Koha për veten është një e drejtë, por shpeshherë kemi tendencë të shtyjmë ato gjëra, të cilat na pëlqejnë. Është e kot ta detyroni veten se do të shkoni për vrap në mëngjes në një kohë kur këtë lloj objektivi e përjetoni si detyrim dhe lodhje. Si alternativë shfrytëzoni pushimin e drekës dhe bëni atë që vërtet mund t’ju dhurojë njëfarë kënaqësie. Mjafton një shëtitje prej 20 minutash ose një piknik i paparashikuar për t’u ndier më energjik dhe vital.
• Në mesditë, dielli është në maksimumin e tij të shkëlqimit. Qëndroni nën rrezet e tij: do të jetë një “ilaç” natyral kundër depresionit dhe luhatjeve të humorit.
• Meditimi krijon një lloj gjendjeje natyrale për qeniet njerëzore. Kjo ndodh kur mendja ndalon së “vrapuari” drejt të ardhmes ose në pengjet e së shkuarës: thjesht pranoni të ndaloni në të tashmen. Meditimi mbi bukurinë e të tashmes dhe shijimi i momentit është më i thjeshtë kur qëndrojmë në natyrë, sepse gjendemi në kontakt të thellë me vetveten dhe me tokën.
• Afrimi pranë pemëve është një terapi e vërtetë, në gjendje që të largojë momentet e ankthit dhe të stresit, ku efektet janë provuar nga studime të shumta. Shfrytëzoni kohën e lirë për të bërë pak ecje në zona të gjelbra pranë vendit ku jetoni. Merrni frymë thellë. Dëgjoni qetësinë brenda dhe jashtë jush. Lërini shqetësimet të shkojnë dhe mendimet negative që pushtojnë mendjen. Ndieni muskujt, mundohuni të çlodheni, mbyllini sytë dhe jepni kohë vetes për të ndier përkëdheljet e diellit mbi lëkurë.
Në kontakt me natyrën ju do të keni mundësi të fitoni një tjetër rilindje. Një harmoni të trupit dhe të mendjes. Pushimet në det mbeten më të preferuarat për pjesën më të madhe të njerëzve gjatë kohës së verës. Ato fillojnë që nga fundi i majit, kur rrezet e diellit janë më të shëndetshme dhe zgjasin deri në fund të shtatorit. Por, përveçse një mjet i mirë për t’u çlodhur, shumë njerëz e përdorin atë si “kurë” për qindra sëmundje. Këtu qëndron magjia e detit: mjafton pak ditë në plazh për t’u ndier më në formë. Gjithçka i detyrohet jodit të diellit dhe ujit të kripur, që luftojnë ëmbëlsisht plakjen dhe stresin. Pushimet në mal janë sinonim i qetësisë. Duke qenë se thithim ajër shumë të pastër, lartësia na ndihmon të përmirësojmë sistemin e frymëmarrjes, sidomos tek ata që kanë probleme me astmën. Ndërkaq, prania në ajër e joneve negative përmirëson metabolizmin dhe sasia e madhe e oksigjenit në atmosferë stimulon sistemin imunitar. Pastaj ecjet e gjata mes ajrit të pastër, i bëjnë mirë zemrës dhe sistemit nervor. Nuk ka asnjë dyshim që mali është më qetësues se deti, sidomos nëse je në vende ku nuk kap valë celulari dhe s’përdoret kompjuteri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.