Siç është bërë traditë tashmë, një ditë përpara mbylljes së Panairit të 19të të Librit, shpallen edhe çmimet për zhanret letrare.
Për të vendosur çmimet e shpallura sot, juria është mbledhur që në fund të muajit gusht për të mbërritur në rezultatin e fundnëntorit. Titujt e rinj të këtij edicioni kanë qenë 107, mes së cilëve janë vlerësuar në tri kategori çmimet për autorin e vitit, përkthyesin e vitit, dhe letërsinë për fëmijë. Profesoreshë Lili Sulaj, njëkohësisht edhe kryetare e jurisë, u shpreh se puna që është bërë për ndarjen e çmimeve ka qenë e madhe.
Diskutimet rreth saj kanë qenë të shumta para se arrihej në përfundimet përkatëse. Përveç saj, në juri kanë qenë Tonin Çobani, doktor shkencash, Agim Baçi, kritik letrar, Jorgji Qirjako, përkthyes, Alida Cenaj, gazetare. Këtë vit, çmimi i autorit më të mirë u ka shpëtuar titujve dhe emrave të autorëve politikë. Është përzgjedhur Agron Tufa si autori i vitit për librin me poezi “Kafsha apo fantazma”. Botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, Tufa është vlerësuar me motivacionin për një perceptim origjinal, intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut.”
Çmimin për përkthyesin më të mirë e ka marrë Edvin Cami. “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra” ka qenë libri i autores kroatogjermane Marica Bodrozic, përkthyer nga Cami, e botuar nga shtëpia botuese “Dituria”. Për fituesin e këtij zhanri, motivacioni ka qenë për shqipërimin e një letërsie sa ballkanike, aq edhe të përbotshme që sjell njeriun përballë vetes dhe të tjerëve, në kërkim të identitetit të një bote plot dyshime.
Kategoria e tretë ka qenë për letërsinë për fëmijë, për të cilën është vlerësuar Luan Rama për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”. Përkthyesi i shtëpisë botuese “Albas” është vlerësuar për rrëfim emocional të figurave njerë zore, si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël. Për vizitorët e fundit, nesër është dita e fundit e Panairit të Librit 2016.
ANI JAUPAJ/Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.