Në fokus

July 13, 2017 | 12:00

Ndaleni botën, dua të zbres!

Nëse nuk ke asgjë të këndshme për të thënë për të tjerët, hajde dhe ulu afër meje!

1

Të flasim keq për të tjerët, a na bën ne të ndihemi të vetëkënaqur? Njohja e detajeve intime apo të metave të tjetrit, a ia shton kuptimin jetës tonë? Kur ne bëjmë thashetheme, a arrijmë një përfitim social, apo kemi të bëjmë me një armë me dy tyta? Ç’deshi të thoshte Roosevelt me atë frazë?

Nga Renisa Beqiri, Psikologe Klinike

Nga Renisa Beqiri, Psikologe Klinike

E zemë se kemi një copë dërrase, një thumb dhe një çekiç. Supozojmë se dërrasa është një person dhe thumbi është një thashethem i shëmtuar rreth atij personi. Nëse do të merrni çekiçin dhe do të filloni të ushtroni presion mbi thumbin, atëherë fuqia e çekiçit do të bëjë që ky thumb të ngulet në copën e dërrasës. Në një momënt refletkimi ju kuptoni se ishte zgjedhje e gabuar që vendosët thumbin në atë dërrasë. Kështu ju vendosni që të hidhni çekiçin dhe të tërhiqni me shumë kujdes thumbin. Ajo që do të shikoni është se aty prap do të mbetet një gropë mbi dërrasë dhe dëmi është bërë..

Diku, tani, në zyrën ngjitur apo në celularin tuaj po pëshpëriten disa biseda për të tjerët. Biseda me të tillë përmbajtje vërehen kudo në grupet shoqërore… në marrëdhëniet e forta… në bisedat që thuhen në tavolinë dhe ato që pëshpëriten në vesh… Të gjithë të paktën për një herë të vetme kemi qenë pjëse e bisedave të nisura e të lëna në gjysmë kur dikush tjetër erdhi, apo atyre që u nisën për të mos përfunduar kurrë. Na ka ndodhur të ecim në shkallët e pallatit apo në rrugicën e lagjes dhe të dëgjojmë teksa dy kalimtarë, krejt natyrshëm dhe rastësisht po merren më dikë tjetër në mënyrë konspirative. Na ndodh të mos e njohim fare personin për të cilin po bisedohet, por këto lloj bisedash na zgjojnë kaq shumë kuriozitetin saqë e gjejmë veten duke dëgjuar akoma më shumë. Na pëlqen të shkëmbëjmë detaje mbi takimin e Albanës me Drinin gjatë festës se verës, kur ata kthyen një gotë sëbashku. Të tregojmë të gjitha peripecitë që kemi dëgjuar nga një mbledhje në zyrën e shefit gjatë orarit tonë të drekës. Ne përsërisim zërat që dëgjuam për një mik në minutën e parë që ky i fundit largohet nga dhoma. Ne jemi kaq të interesuar….

Thashtehemet janë një formë e bullizmit që i referohen dikujt si një formë agresioni. Kur një person apo një grup shoqëror, diskuton në kuadrin e përgojimeve lidhur me veprimet apo vendimet e dikujt tjetër, atëherë këta persona po e lëndojnë atë, po investojnë në prishjen e një shoqërie apo po përpiqen ti cënojnë atij reputacionin dhe popullaritetin. Thashethemet përfshijnë në mënyrë implicite një dimension morlal. Ato shërbejnë si një mjet social për të ndërtuar marrëdhëniet, na shtojnë ne një nuancë apo një aftësi më shumë për të bashkëvepruar

Thashethemet janë aftësi dhe talent. Janë një sjellje shoqërore e cila kurrë nuk do të pushojë së ushtruari aktivitetin e saj.

Shpesh konsiderohet si një mjet i domosdoshëm për mbijetesë, si një funksion i dobishëm në shoqëri për bashkimin e anëtarëve të një grupi. Në shoqërinë tonë duket se ka marrë trajtën e një mekanizmi të mbijetesës dhe të kalimit të kohës. Me fjalë të tjera, përgojimet mbushin vakumet e krijuara nga mungesa e të dhënave për të pasur një informacion të plotë mbi çështje që janë të rëndësishme për ne. Veçanërisht për çështjet që ne mund të ndihemi të kërcënuar fizikisht, financiarisht, psikologjikisht apo emocionalisht. Për të fituar kuptueshmëri, ne iu referohemi grupeve në të cilat jemi pjesë për të udhëhequr mendimet tona, duke angazhuar kështu një mendim në grup përmes diskutimit dhe zhurmave. Përmes shpjegimeve ne përpiqemi të bëjmë realitetin të dukshëm dhe kuptimplotë. Përdorim thashethemet si një një përpjekje kolektive për krijimin e sensit në një grup, në kohën kur ky i fundit ballafaqohet me pasiguri. Ne kemi lindur thashethemaxhinj. Ne jemi edukuar për të folur për të tjerët. Ne na pëlqen të hedhim baltë mbi të tjerët, ndërkohë që përpiqemi të pastrojmë këpucët tona.

Nis që nga mënyra sesi jemi edukuar, deri tek mënyra sesi ne bëjmë shokë të rinj. Fëmijët dëgjojnë gjyshet apo nënat e tyre, teksa shijojnë kafen e pasdites me shoqet, flasin rreth çeshtjeve shumë personale të shoqes tjetër që atë ditë nuk ishte prezent. Kështu ne si të rritur kontribojmë fuqishëm që fëmijët të zhvillohen me idenë se këto biseda janë të përshtatshme. Të vegjlit duke e marrë si një sjellje të mirëqenë përgojimin, fillojnë të thonë gjëra të ashpra dhe lënduese për njëri tjetrin. Të inkurajuar nga qetësia që shfaqin më të rriturit ndaj formave të thashethemeve që fëmijët bëjnë, brezi i fëmijëve që po vjen shfaqet më sarkastik sesa ai i gjeneratës së kaluar. Si vazhdimësi i këtij modeli, shoqëritë e mira fillojnë me çat-et kur kemi kohë të lirë. Individët gjejnë një interes të përbashkët, flasin rreth saj, dhe gjatë rrugës zbulojnë një miqësi. Flasin rreth shokëve të përbashkët, bashkëpunëtorët dhe të njohurit, e kështu kultivohet një marrëdhënie e fortë me këtë individ. Duke shkëmbyer informacion, ata po tregojnë që kanë një nivel të lartë besimi tek miku i tyre, dhe që asnjëri nuk do ta përsërisë atë që ka dëgjuar. Në një farë mënyrë, është një provë për të përcaktuar karakterin e një individi. Duke pasur “në dorë” informacionin personal të dikujt, ne ndihemi të fuqishëm. Edhe në rastet kur nuk kemi ndërmend ta përdorim këtë informacion, fuqia ekziston dhe individi tjetër ndihet si i zënë në grackë.

Duke vështruar të tjerët me sy të keq dhe nga një nivel i lartë moral, të sigurtë se ne nuk ndajmë të njëjtat mendime me ata, shpesh ne hedhim poshtë veprimet e të tjerëve duke i konsideruar si të cekëta. Këto lloj bisedash mund të mendohen jo si një mangësi e karakterit, por si një aftësi sociale shumë e evoluar. Individët të cilët nuk dinë të bëjnë mirë thashetheme, kanë tendencën të kenë vështirësi në ruajtjen e marrëdhënieve dhe mund ta gjejnë veten jo të përfshirë në shoqëri. Sot thashethemaxhinjtë e mirë janë personat më me influencë dhe më popullorë në grupet sociale.

Na pëlqen ose jo, ne jemi thjesht një vazhdimësi e moderuar e të parëve tanë. Psikologët evolucionistë besojnë se preokupimi ynë me jetën e të tjerëve është një nënprodukt i një truri prehistorik. Sipas studiuesve, për shkak se paraardhësit tanë parahistorikë jetonin në grupe relativisht të vogla, ata e njihnin njëri-tjetrin në mënyrë intime. Për të shmangur armiqtë dhe për të mbijetuar në mjedisin e tyre natyror, paraardhësit tanë duhet të bashkëpunonin me anëtarët e grupit. Por ata gjithashtu pranuan se të njëjtit anëtarë në grup ishin konkurentët e tyre kryesorë për bashkëshortë dhe burimet e kufizuara. Duke jetuar në kushte të tilla, paraardhësit tanë u përballën me një numër problemesh sociale adaptive: kush është shumë i besueshëm e kush më pak? Kush është një mashtrues? Kush do ta bënte bashkëshortin më të mirë? Si mund të balancohen miqësitë, aleancat dhe detyrimet familjare? Gjenet e atyre individëve u kaluan përgjatë një brezi në tjetrin duke u perfeksionuar çdo ditë e më shumë.

A janë thashethemet një nevojë apo një mundësi për të fshehur të vërtetat tona?

Përgjigja do të ishte të dyja bashkë. Njerëzit të cilët janë të veshur me ndjenja të forta të inferioritetit, flasin për të tjerët për ti fshehur ndjenjat e tyre të vërteta, dhe për tu ndjerë superiorë. Thashethemet janë një formë projektimi. Shpesh përceptohen nga individi që po i komunikon ato në kontekstin se ai di më shumë sesa të tjerët. Ose nëse ai ndihet keq me veten, atëherë mund të krijojë apo hap histori, për ta ngritur veten në pozicionin e një njeriu të shëndetshëm dhe imun ndaj asaj çështje, duke nxjerrë dikë tjetër më keq.

Dikush tjetër bën thashetheme sepse ka nevojë të ketë vëmendje. Janë pikërisht ato telefonatat në mes të natës, nga një person që ke një kohë relativisht të gjatë pa folur, të thotë diçka intriguese:- “Kam diçka shumë të rëndësishme për të të thënë. Sdo të mund ta besosh”. Telefoni mbyllet me kaq, dhe ky individ të le në ankth gjatë gjithë natës lidhur me informacionin që do të marrësh të nesërmen, sapo të zbardhë dita. Ai ia doli. Mori vëmendjen tënde për gjithë natën. Vëmendja është një nevojë njerëzore, por ata të cilët nuk ndihen produktivë dhe të përfshirë në jetët e të tjerëve, mund të përdorin një thashethem interesant për grupin, për të marrë vëmendjen e humbur. Ndonjëherë thashethemet janë si paratë, të informosh mbi të rejat e fundit njerëzit, është njëlloj si të blesh vëmendjen e tyre qoftë dhe për fare pak kohë.

Të tjerë i përdorin thashethemet për të pasur kontroll mbi të tjerët. Këto biseda i bëjnë  njerëzit të ndihen superior dhe i vendosin në qendër të vëmendjes. Kështu në mënyrë të paqshme ai do të ketë një lloj fuqie në grup me këtë informacion që ka. Ju njihni të paktën një person në një grup shoqëror i cili ka pozicionin e liderit (edhe nëse jo të deklaruar), i cili ndërmerr vendimet në shumicën e rasteve, tregon se si po shkojnë gjërat dhe çfarë duhet bërë. Janë përgjithësisht individët e tillë të cilët kanë arritur shumë në atë rreth shoqëror, por duan të arrijnë akoma më shumë. Kështu përdorin thashthemet apo shtrembërimet e fakteve për të rritur statusin e tyre në një grup, të arrijnë të pamundurën nga të tjerët dhe rrjedhimisht për të zvogëluar statusin e dikujt tjetër. Strategji kjo e cila është klasikja e fushatave politike.

Njerëzit bëjnë thashetheme gjithashtu për tu ndjerë të përfshirë e pjesë e një grupi, si nevojë për hakmarrje apo të nxitur nga zilia. Asgjë nuk të fal më shumë kënaqësi sesa kthimi i inatit në të njëjtën monedhë. Nëse ju keni dhënë informacion lidhur me sekretin më të madh të shoqes tuaj, atëherë hakmarrja do të vijë më shpejt nga ç’e kishit menduar.

Pra, thashethemet i lëndojnë individët. Ato janë një humbje e kohës dhe e energjisë. Ne si qenje humane, mund të përorim këtë energji të çuar dëm, për të krijur gjëra më produktive dhe të vlefshme. Ato shkaktojnë ankth. Sepse në momentin që bisedat degradojnë në këtë nivel për të gjithë pjesëtarët e grupit atëherë “ kush e ka radhën”?. Sigurisht që ju do të jeni presoni i radhës, dhe thika nga vetja nuk është asnjëherë një shfaqje e dëshiruar. Ne të gjithë jemi potencialisht njëlloj që të jemi pre e thashethemeve. Përgojimet mund ta lëndojnë individin në mënyrë shumë serioze saqë arrijnë të prishin marrëdhëniet, të shkatërrojnë karierën apo reputacionin. Thashethemet krijojnë kampe dhe ndajnë organizata. Shkalla e besueshmërisë ndaj individëve që përbuzin dhe përgojojnë çdo njeri sapo i kthejnë kurrizin bie, dhe ata spo bën asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa uljen e besueshmërisë të të tjerëve tek vetja dhe shkermoqjen e imazhit të vet. Prandaj, përprara sesa të bëjmë thashetheme, është mirë të pyesim veten nëse kjo gjë është e nevojshme, nëse është diçka e këndshme, apo diçka e vërtetë. Ajo që është e rëndësishme për ne të rriturit është se ne duhet të mendohemi mirë për atë që do të themi, nisur nga situata dhe ndikimi i saj. Fjalët nuk i merr era, ato “fryhen” si pasojë e saj.

E për tu kthyer aty ku e nisëm dua të them që po Roosvelt kishte shumë për të thënë. Ne ndihemi të plotësuar në fund të ditës nëse kemi arritur të shprehim gjithë mllefin e akumuluar nga jeta jonë, në një formë kaq sipërfaqësore, që nuk e prek aspak unin tonë. Detajet e ngjarjeve bëjnë diferencën mes asaj që ne jemi dhe duam të jemi, mes asaj që të tjerët janë dhe sa arrijnë. Kur përgojojmë jemi ne , informacioni dhe askush tjetër. Asi nën mëngë na shijon dhe mund ta nxjerrim kur të duam, e të mund të biem sërish në sy duke mos mbetur në hije të shoqërisë. Ne bëhemi lider të tavolinës së punës, shenjestrojmë objektiva, bëjmë gola, shijojmë shfaqjet e kacafytjeve dhe prishjeve planeve, por harrojmë se në të njëjtën kohë i kemi drejtuar vetes shumë bomba. Ne investojmë të vetëzhbehemi në shoqëri. Jemi të prirur të joshemi nga përkëdheljet e egos apo ndjesia i të qenurit me vlera të rralla, qoftë dhe për pak. Ne na inteson bota, por duam që botës të mos i interesojmë. Ne vazhdojmë të udhëtojmë me trenin ekspres të vajtje ardhjeve boshe.

Dhe po, Rosvelt kishte të drejtë kur tha : Nëse nuk ke asgjë të këndshme për të thënë për të tjerët, hajde dhe ulu afër meje! Treni do bashkëpunëtorë në mënyrë që të ec më shpejt.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top