Një ditë po debatoja me një mikeshë lidhur me diferencën midis fajit dhe përgjegjësisë. Ajo vazhdonte të fliste se nëse diçka ishte për faj të dikujt, ai duhet të mbante përgjegjësi e të paguante për atë gjë. Ndërsa unë i thoja: “Nuk ka rëndësi se i kujt është faji, nëse diçka është dëmtuar dhe nuk është më si më parë. Është përgjegjësia jonë ta ndreqim atë gjë”.
Për shembull, nuk është faji i dikujt që i ati i tij është i alkoolizuar dhe përdor dhunë në familje, por është padyshim përgjegjësia e tij për mënyrën se si ta menaxhojë traumën dhe si të arrijë të jetojë sërish si më parë. Nuk është faji i dikujt që partneri mund ta ketë tradhtuar dhe martesa e tyre është rrënuar, por është padyshim faji i atij personi që ta pranojë dhimbjen, të mësojë se si ta kalojë atë dhe të krijojë një jetë të lumtur për veten.
Faji dhe përgjegjësia jo gjithmonë shkojnë paralelisht bashkë. Është acaruese ndonjëherë, por nuk shkojnë. Kur dikush ka faj në diçka, ne duam që ai person të vuajë, ta paguajë atë që bëri dhe të mbajë përgjegjësi për atë gjë, por nuk funksionon kështu, sidomos kur ti ndjen për atë person. Zemra, jeta dhe lumturia jote janë përgjegjësi vetëm e jotja.
Për aq kohë sa ne e drejtojmë gishtin tonë tregues drejt dikujt, duke e fajësuar, atëherë ne marrim rolin e viktimës dhe një viktimë nuk mund të përjetojë gjë tjetër, veçse të vuajë. Rruga drejt fuqisë fillon me marrjen e përgjegjësive. Ti ke përgjegjësi të kujdesesh për zemrën, jetën dhe lumturinë tënde. Askush tjetër nuk duhet ta bëjë këtë gjë, përveç teje.
Burimi / Bota.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.