Nga Freskida Miloti, gazetare, Manhatan, Nju Jork
“Dua më shumë Shqipërinë” tingëllon më bukur se kurrë kur gjurmët e trashëgimisë së gjuhës dhe vlerave të një kombi, shënohen edhe atje, në kontinentin e largët amerikan, aty ku ngjyrat dhe simbolet shqiptare përqafohen e krijojnë zinxhirin e brezave pasardhës. Meritë të veçantë kanë të gjithë ata shqiptarë që kontribuojnë për përçimin e këtyre vlerave, duke bërë realitet përcjelljen e tyre, e duke i mëshuar fort ruajtjes së gjuhës shqipe. Kozeta Zylo, një ish-mësimdhënëse, së bashku më bashkëshortin e saj, dhe ai nga radhët e pedagogjisë, së bashku me vajzën e tyre, i dhanë dritën jeshile një investimi ambicioz, siç ishte hapja para tetë vitesh e shkollës shqipe “Alba Life”, e cila sipas tyre nuk ishte vetëm një ëndërr, por një dëshirë e madhe për t’u mësuar të gjithë fëmijëve shqiptarë që lindin në Amerikë, të flasin dhe ta shprehin dashurinë në gjuhën e nënës. Sipas Zylos, “Janë miliona e miliona shqiptarë që vijnë jetojnë këtu dhe lindin fëmijët e tyre. Ata po integrohen në vendin ku vendosen të jetojnë dhe fëmijët e harrojnë gjuhën shqipe. Le të thuash sa të duash që jam shqiptar, të dalësh me flamuj, ama nëse ti nuk e flet gjuhën shqipe, kurrë nuk mund ta ndjesh historinë, kulturën, artin e kombit tënd”.
Sukseset e saj në Amerikë janë falë punës, pasionit të madh dhe kualifikimeve që realizoi atje. U emërua Këshilltare e studentëve në Bramson ORT College; Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në Manhatan dhe aktualisht është e punësuar nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut. Arritjet e saj shpalosen edhe në aktivitet e shumta për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ajo është përzgjedhur në vitet 2007-2010 si sekretare për shtypin dhe informacionin në “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” në USA. Kozeta Zylo së bashku me bashkëshortin e saj Qemal Zylo, morën një ndër iniciativat më të rëndësishme, hapjen e shkollës shqipe në Nju Jork, duke i ofruar mundësinë më të mirë të gjithë komunitetit shqiptar, që fëmijët e tyre të ruajnë, mësojnë dhe shprehen bukur në gjuhën shqipe. Këto zhvillime do të pasoheshin me hapjen e televizionit shqiptar “Alba Life”. Autorja e disa librave shprehet se: “Pa poezinë bota do të ishte shumë e egër, shumë e vrazhdë… poezia zbut shpirtrat njerëzorë dhe lumturohem kur shkruaj…”
INTERVISTA
Cili është aktivitetit juaj mediatik këtu në shtetin amerikan?
Pyetja juaj është shumë interesante dhe mua vërtet me prek shumë, sepse media është shumë e gjerë dhe është ajo që çon botën përpara ose e sjell mbrapsht. Kështu që një media nëse pasqyron çdo gjë me vërtetësi, besoj se bota do jetë shumë më ndryshe. Ndërkohë që ne morëm licencën këtu në Nju Jork për televizionin ‘Alba Life’ dhe nuk ishte aq e lehtë që ta merrje këtë. Ne u trajnuam për gati 1 vit në median e Staten Island. Ajo që më mbeti në mendje nga gazetari i mirënjohur që na trajnoi, i cili tha: Nëse ju do të pasqyroni, qoftë edhe një të vërtetë të vogël, ju gjithmonë do të ecni dhe gjithmonë do të bëheni shumë të besueshëm te publiku që ju ndjek dhe në këtë mënyrë do të rritet audienca. Kështu që jam shumë krenare që arrita ta realizoj ëndrrën time, që kisha që në moshë të vogël. Unë kam qenë pranë medias edhe në Shqipëri, por nuk jam marr konkretisht siç po merrem këtu, kaq intensivisht, me intervistat me personalitete shumë të rëndësishme, duke filluar me personalitete të Shqipërisë që kanë bërë emër në Hollivud, me kryeministrat, ministra shqiptarë që kanë vizituar USA etj. Në 5 vjetorin e çeljes së këtij televizioni që u bë madhështore, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Më surprizuese ishte që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut nga zyra e tij përshëndeti punën e televizionit tonë. Kjo ndodhte për herë të parë që një kryetar Bashkie del dhe përgëzon publikisht duke thënë: Faleminderit për çfarë ju po bëni për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ne pasqyrojmë të gjitha aktivitet me nivel, siç ishte së fundmi koncerti i Inva Mulës dhe Genc Tukiçit në Manhattan, gjithashtu koncertin e Sajmir Pirgut e shumë të tjerë. Në një nga intervistuesit siç është Sten Dragoti tha: Nuk kam qenë asnjëherë kaq afër me Tepelenën sa po ndodhem me ju, që keni hapur TV. Me anë të televizionit tonë menduam të pasqyronim diasporën shqiptare, e cila ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe mundohemi t’ju sjellim më afër emocionet pozitive për Shqipërinë.
Cili është stafi që ju bashkëpunoni?
Themeluesi i televizionit është bashkëshorti im Qemal Zylo. Ky televizion ka një staf shumë të mirë. Drejtor i programacionit është Amir Suka, i cili ka fituar 2 herë çmimin Ammy këtu në Nju Jork, njëkohësisht punon në televizionin e Nju Jork-ut. Një djalë i talentuar, i cili e ka rritur nivelin profesional të televizionit tonë. Gjithashtu është edhe Drena Qelia, që prezantoi festivalin e 3-të të shkollave shqipe këtu në Staten Island etj.
Ju i keni ofruar mundësinë të gjithë shqiptarëve që nëpërmjet hapjes së shkollës shqipe në Amerikë, fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën e prindërve. Çfarë mund të dimë më shumë për këtë shkollë?
Ka qenë një ëndërr hapja e shkollave shqipe. Mos të harrojmë që janë miliona e miliona shqiptarë që vijnë jetojnë këtu dhe lindin fëmijët e tyre dhe jo vetëm në Amerikë, por në të gjitha vendet e botës. Ata po integrohen në vendin ku vendosen dhe fëmijët e harrojnë gjuhën shqipe. Le të thuash sa të duash që jam shqiptar, të dalësh me flamuj, ama nëse ti nuk e flet gjuhën shqipe, kurrë nuk mund ta ndjesh historinë, kulturën, artin e kombit tënd. Kështu që ishte ëndrra ime, sepse unë kam qenë mësuese e Gjuhë-letërsisë në gjimnaz, në kryeqytet. Njëkohësisht bashkëshorti im ishte profesor i lëndëve inxhinierike, shef i katedrës në akademinë ushtarake, vajza ime profesore në universitet, kështu që ne i thamë njëri-tjetrit se, ne përbënim një këshill pedagogjik, kurse Klodiana ka qenë tek emisioni i fëmijëve ‘Paffi’ në TVSH, dhe në këtë mënyrë kishim mundësinë profesionale për ta hapur shkollën edhe pse nuk është aq e lehtë. Fillimisht shkollën shqipe e kemi hapur në State Island, pastaj e hapëm në Bruklin dhe për herë të parë në historinë e diasporës u hap shkolla shqipe edhe në Manhatan.
Në cilin vit është hapur shkolla?
Shkolla shqipe ‘Alba life’ është hapur para 8 vitesh këtu në Staten Island. Qëllimi ynë është t’ua mësojmë gjuhën tonë fëmijëve përderisa e kemi këtë mundësi, dashurinë për kombin tonë, sepse kur je larg e ndjen veten në çdo qelizë, deri në palcë të shpirtit që ti je shqiptar.
Si është pjesëmarrja në këtë shkollë?
Në Amerikë është një Shqipëri më vete. Në Nju Jork ka 250 mijë shqiptarë (mos më shumë) dhe pjesëmarrja duhet të ishte edhe më e madhe, por ka shumë nxënës që e frekuentojnë këtë shkollë. Ne i ftojmë gjithnjë prindërit që t’i sjellin fëmijët. Megjithatë unë e kam deklaruar edhe publikisht që sikur edhe një shqiptar të vijë në shkollën time, do të jem shumë krenare sepse kam kursyer një shqiptar që nuk asimilohet. Ka mjaft gjyshe që qajnë sepse nuk komunikojnë dot me nipërit dhe mbesat e tyre, nuk ia shprehin njëri-tjetrit dashurinë, më hyjnoren që ka sjellë Zoti pranë qenieve njerëzore. Ne duam që mos të jetë thjeshtë takimi fizik, por fëmija të flasë e ta shprehë dashurinë në gjuhën e nënës. Në këtë shkollë ne kemi edhe talentin e jashtëzakonshëm Kristina Melo, këngëtare, e cila mund të bëhet një emër i njohur në botë.
Ju nuk ndaleni me kaq, përveç të gjitha aktiviteteve që folëm më lart ju jepni mësim edhe në shkollë të mesme. Cili është kontributi juaj edhe në këtë aspekt?
Punoj me programin e autizmit. Në Shqipëri nuk e kam njohur një program të tillë dhe jam krenare që tani bëj pjesë në këtë program. Autizmin e njoha këtu në Amerikë. Është një punë e jashtëzakonshme që bëhet me këta nxënës, nëpërmjet kujdesit që i jep mësuesi, terapisti me programin special për t’i zhvilluar më tej. Puna me ta ka bërë që të mbarojnë shkollën e mesme dhe pak prej tyre edhe Universitetin, sepse ata mund të shfaqin talentin e tyre në një fushë të caktuar.
Cilat janë aktivitetet artistike që ju organizoni për komunitetin shqiptar?
Aktivitetet janë të shumta dhe i nisëm që në kolegj. Kur ne ndoqëm kolegjin këtu në Amerikë, bashkëshorti im doli me vlerësime të shkëlqyera për programet kompjuterike dhe në bazë të statusit dhe ligjit amerikan, ai që del studenti më i mirë do të dal të përshëndes, dhe ai fjalën e tij e nisi “Jam krenar që jam shqiptar”. Pas këtij vlerësimi ne u punësuam në kolegj. Më pas në 2002 filluam aktivitetet për 28 Nëntorin. Në këtë aktivitet merrnin pjesë rus, hebrenj, aziatik, arab nga të gjitha vendet e ndryshme për të festuar ditën e pavarësisë sonë. Me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm. Këto festa që organizonim ishim të domosdoshme që të gjithë të njihnin historinë tonë, artin dhe shumë gjëra që janë mohuar, sepse askush nuk e dinte se çfarë kishte bërë kombi shqiptar për hebrenjtë apo edhe mjaft vlera të tjera të kombit tonë. Ne organizojmë ‘Festivalin e Shkollave Shqipe’ për të tretin vit dhe nuk mund të rri pa e përmendur ish-ambasadorin Bekim Sejdiu, i cili solli këtë ide të festivalit.
Ju keni një marrëdhënie shumë të veçantë me poezinë. Çfarë mund të dimë për këtë pasion tuajin?
Poezia është dashuria ime dhe më jep jetë. Kur lexoj një poezi, më duket sikur marr ngjyra dhe sikur edhe sytë e mi ndryshojnë, ngjyrosen sipas poezisë, edhe shpirti im rritet. Kam një marrëdhënie tepër të veçantë sepse është fjala e bukur, është arti… do ta cilësoja ikona e artit. Pa poezinë bota do të ishte shumë e egër, shumë e vrazhdë… poezia zbut shpirtrat njerëzorë dhe lumturohem kur shkruaj.
Si arrini t’i koordinoni të gjitha këto aktivitete?
Nëse ti ke dashuri për diçka, nuk mund ta lësh atë. Gjithçka është e lidhur me pasionin dhe arrihet realizimi.
Sa e vështirë është të arrish kaq suksese në ‘Tokën e premtuar’, të cilat përkthehen në domosdoshmëri për komunitetin shqiptar?
Është e vështirë, por dashuria është e para për të bërë gjithçka të bukur. Nuk është edhe aq e lehtë të integrohesh, pavarësisht se Amerika të jep mundësi, por me punë dhe vullnet arrihen shumë gjëra. Këtu niset nga asgjëja dhe pa komplekse. Me ambicie dhe me qëllime ndaj vetes arrin të integrohesh dhe të zhvillosh aftësitë.
Cilët janë përkrahësit tuaj në rrugëtimi e sukseseve?
Përkrahësit kryesorë kanë qenë prindërit e mi, të cilët e kanë dashur me shpirt librin dhe një tjetër përkrahës po kaq i fortë ka qenë bashkëshorti im Qemal Zylo, i cili ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm dhe frymëzim për dijen dhe dashurinë. I them me krenari arritjet e tij në studime dhe punë. Integrimi i tij në rrugën e dijes ka qenë një burim frymëzimi dhe këmbëngulja e tij e vazhdueshme me televizionin, me hapjen e shkollave shqipe. E them pa modesti që është një organizator i shkëlqyer. Pa atë asnjëherë nuk do kisha sukses me përjashtim të shkrimeve të mia që janë personale.
Cilat janë disa nga kujtimet më të veçanta, që ju lidhin më shpesh me Shqipërinë?
Kujtimet më fantastike i kam me nxënësit e mi, ata janë siç dua poezinë time. Janë poezia ime dhe kurrë nuk i harroj. Ata janë malli im që më djeg përbrenda. Nuk do e harroj kurrë ikjen time në ‘97, pasi nuk ju kisha thënë nxënësve të mi të gjimnazit ‘Çajupi’ që do largohesha, mirëpo ato dinin diçka dhe valixhen time ma mbushën me fletore kujtimesh. Në një poezi që kam shkruar them: Lotët e mia, me lotët e nxënësve, m’u duk sikur dritaret i mufatën…
Cili është aktiviteti që ju keni realizuar së fundmi?
Në shtator, në Manhatan, në kryeqytetin e botës, në mjediset e Simphony Space u realizua mbrëmja Gala për zonjat shqiptare të Nju Jork-ut, me gra që janë integruar me dinjitet dhe kulturë në Amerikë. Në këtë mbrëmje u promovua libri “Zonjat shqiptare në Nju Jork” nga Albanian Excellence me presidente znj.Flora Nikolla dhe realizuar me mua bashkautore dhe Gëzim Podgorica nën kujdesin e presidentit Bujar Nishani. Për herë të parë zonjat shqiptare parakaluan në tapetin e kuq në Manhatan. Besoj se do të jetë një frymëzim i mëtejshëm për zonjat e tjera që do të vijnë në Amerikë apo që janë kudo në botë.
Cili është mesazhi juaj që dëshironi t’i jepni shqiptarëve?
Kurrë mos u ndalni në atë që ju mendoni se do e arrini dhe bëni për kombin më të mirën sipas mënyrës suaj dhe mbi të gjitha udhëtoni në rrugën e dijes sepse vetëm ajo do t’ju çojë atje ku ju dëshironi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.