Në fokus

May 20, 2016 | 13:17

Në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, t’u falim më shumë dashuri!

Nga Orjona TRESA

Fati u ka rënë që dashurinë e tyre ta ndajnë me motra dhe vëllezër të tjerë. Me “prindër” të tjerë janë rritur: në një shtëpi foshnjash, fëmijësh a jetimore në quhet ndryshe. Dashuria e mëmës u ka munguar, ndryshe nga ata që rriten me nënat e tyre biologjike. Kanë qarë e kanë kaluar dhimbje në kushte të tjera shoqërore. Por dhe ndonjë ditë të mirë kanë kaluar, sigurisht. Janë edukuar me një vëmendje krejt ndryshe nga çfarë do t’i ofronte familja gjenetike. Por mesa duket, ky fat i paracaktuar për disa prej tyre, do t’i përndjekë deri në fund të rrugëtimit jetësor: të vetëm, fatkeqë, dhe me trauma të pashlyeshme në kujtesë. Shumë ngjarje kanë rënduar shpinën e tyre, disa prej të cilave, të mbajtura fshehur brenda mureve të institucioneve. Vetëm në dy vitet e fundit, tej fasadës, është zbardhur një realitet tejet i  frikshëm. Ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë edhe më shumë dëshpëruese, të pabesueshme, e të dhimbshme njëkohësisht. Viktima të dhunës seksuale dhe fizike, janë ata, jetimët e Shtëpive të Fëmijës në Shkodër, në Sarandë e ndoshta edhe në ndonjë institucion tjetër, ku ende nuk është marrë guximi për të dalë hapur. Në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, ata sërish gjenden të vetëm, në rrugë të madhe, pa mbrojtjen e strukturave përkatëse, të braktisur dhe më keq akoma, të dhunuar shpirtërisht. Në 25 vitet e fundit është e vetëdijshme që shumë pak është bërë për jetimët e Shqipërisë. Strehimi mbetet një nga problematikat më madhore. Por jo vetëm… Ndërsa Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve apelon shumë shpesh se: Me ne (jetimët) shoqëria është edhe më e mirë! Në këtë ditë të veçantë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, teksa ka vizituar shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet, ka dënuar çdo akt dhune ndaj të miturve, duke theksuar se këto qendra të përkujdesit social janë ndërtuar sipas një filozofie të vjetër. Ai bëri me dije se synohet që shumë shpejt këto qendra të mbyllen dhe fëmijët të dërgohen pranë familjeve të kujdestarisë. Nuk është hera e parë që bëhen premtime për jetimët. Por këtë herë shpresojmë që gjithçkaje do t’i shkohet deri në fund. Ata nuk mund ta durojnë akoma dhunën, atë që i ka shoqëruar aq bindshëm në fatin e tyre të mbrapsht.

 

foto jetimet

 

Blendi-Klosi-1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top