Artistë, këngëtarë , aktorë, matematicien, piktorë…. ata zgjodhën jetën e artistit, duke ecur në gjurmët e prindërve të shquar. Ata mbrojnë me fanatizëm trashëgiminë e tyre familjare dhe ndjehen padyshim krenarë për këtë e për zgjedhjet që kanë bërë. Të jesh fëmija e një artisti është bukur dhe emocionuese. Të jesh fëmija e një shkenctari është krenari dhe sfiduese njëkohsisht. Sa krenarë ndihemi nga prezenca e prindërve me shumë cilësi e pushtet, si transmetohen këto vlera tek më të vegjlit? Fëmijët ndodhen përpara dy situatave të ndryshme:
Nga mundësia e madhe për t’u bërë të suksesshëm nga zotësia e prindërve të shquar;
Nga ana tjetër ekziston paragjykimi se kjo aftësi u është e dhënë dhuratë nga më të mëdhenjtë. Ndonjëherë, shoqëria njerëzore priret të vlerësojë mjaft, ata fëmijë që ndjekin vet rrugën e jetës edhe kur nuk kanë pasur dhunti të lindura apo të mësuara nga prania e prindërve të famshëm. Të rinjë që njihen për faktin se janë biri/ bija e një njeriu të rendësishëm kanë bërë përpjekje të njihen si personalitete të denja dhe kanë ndjerë nevojën të pohojnë individualitetin e tyre dhe të mos ecin nën hijen e një babai apo nëne me famë të madhe. Ata sigurisht që e kanë ndërtuar suksesin e tyre të rrethuar nga vlerat familjare por po të vëmë re, të gjithë dëshmojnë se kanë nevojë për t’u larguar nga trashëgimia prindërore, për t’u ndjerë vetvetja, të plotfuqishëm krahas krenarisë dhe famës prindërore.
Sa ndikon familja në rrugën që ne zgjedhim?
Fëmijët janë kopje e vërtetë e prindërve të tyre. Janë modeli më i mirë për formimin e tyre në të ardhmen, jo vetëm në cilësi e tipare të personalitetit por edhe të rrugës që ndjekin në jetë, në profesion, pse jo edhe në vlerat që përçojnë në krijimin e familjes në të ardhmen.
Edhe nëse preferencat e idetë janë të ndryshme, të rritesh në një ambient ku prindi flet për veprat më të famshme muzikore, të luaj në piano apo kitarë, është e paevitueshme induktimi i vlerave muzikore. Të jesh edukuar se është më bukur të ndjekësh një shfaqje teatrale apo shfaqje operistike se sa te luash me shokët para pallatit, është forma më e mirë e të ndjerit i rendësishëm dhe elegantë.
Ka shumë studime që tregojnë se fëmijët e vegjël shpesh përfundojnë së imituari veprimet e prindërve, pozitive apo negative qofshin ato.
Ne jemi krijesa të zakonit. Priremi të përsërisim atë që shohim, sidomos ato që rriten midis nesh dhe i konsiderojmë si sjellje normale.
Kur pyesim një fëmijë se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet nuk kemi qëllim të kuptojmë vërtetë atë që thotë por thjesht për të ngacmuar imagjinatën, të kuptojmë ëndrrat e tij. Fëmijët janë të prirur të ndjekin profesione që i japin mundësinë për të qenë dikushi, për t’u ndjerë të rendësishëm, pse jo, edhe për të ndryshuar botën. Nëse ata i admirojnë profesionet e prindërve te tyre, mundësia për t’u bërë të ngjashëm me ta është gjithnjë e më e madhe.
Prindërit kanë dëshirë të ndikojnë në zgjedhjet e fëmijëve dhe përpiqen që kjo të transmetohet që në fëmijëri. Nëse ata kanë qënë të kënaqur me profesionin, me të ardhurat financiare dhe angazhimin, dëshirojnë që këtë frymë t’ia përcjellin edhe më të vegjëlve. Është e zakonshme që prindërit të influencojnë në zgjedhjet që fëmijët bëjnë në jetë, për projektet, edhe atëherë kur i duhet lënë hapsirë imagjinatës individuale.
Ndodh që shumë fëmijë të kenë brendësuar krenarinë për prindërit e munguar. Për shumë arsye, fati nuk i ka lejuar të njihen me prindëri e tyre, me vlerat dhe individin që ata përfaqësonin në shoqëri përmes talenteve e profesioneve.
Kjo është një nga arsyet më të forta që më të vegjlit ndjejnë nevojën dhe dëshirën për ngjashmëri dhe për të ndjekur udhën e jetës në gjurmët e pindërve. Përjetimi i takimeve të munguara…. një baba i largët…. një nënë e idealizuar, kujtimet e fëmijërisë shpjegojnë më së miri përputhshmërinë prind-fëmijë. Kjo e parë jo vetëm në aspektin psikologjik të vlerave si njerëz por edhe si profesionist. Është prirja për t’u identifikuar me paraardhësit tanë, për të forcuar origjinën dhe identitetin tonë. Familja, është institucioni më i mirë për t’u vlerësuar si qënie njërëzore. Prindërit na mësojnë të hedhim hapat e para në jetë, na japin forcën dhe sigurinë për të mos patur frikë nëse rrëxohemi. Kjo forcë e siguri e brendshme që na mësohet që herët, na reflekton edhe në jetën tonë prej të rrituri. Atëherë kur duhet të bëjmë zgjedhje të rendësishme. Jo vetëm në karrierë por edhe në projektet e tjera ambicioze si; krijimi i familjes, ndjekja e kurseve, trajnimeve etj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.