Marrëdhënie

May 7, 2016 | 6:37

Në gjurmët e prindërve/ Eno Milkani: I rritur në shesh të xhirimit

Pianoja ka qenë e pranishme. Ama në format e saj torturuese, sepse të kesh në shtëpi dhe një pianiste, pjesa luhet nga fillimi deri në fund. Dhe e njëjta pjesë luhet 200 herë derisa të kapet tamam. Dhe nuk luante vetëm ime më, Margarita, por edhe studentët e saj, kur bënte orë mësimi në shtëpi.

Ishte i vogël, ama dëshira për të ndenjur pas të atit dhe për të zbuluar të fshehtat e punës që ai bënte, e detyronin të sakrifikonte… Për shkak të orëve të gjata të xhirimeve, nuk kishte luksin të ndiqte vaktet e rregullta të ditës. Të voglin e merrte uria. Por arsyeja e të ndenjurit pa ngrënë ishte më e fortë. I pëlqente më shumë të ishte dëshmitar i asaj që po ndodhte, i xhirimit të një filmi, që pjesa më e madhe e njerëzve mund ta ndiqnin vetëm të projektuar në bezen e madhe të kinemasë. Është Eno Milkani, i biri i Pirro Milkanit, tashmë regjisorë të dy. Panoramën e fëmijërisë, djali e ka të freskët në kujtesë, si të ketë ndodhur pak ditë më parë. Dhe beson i bindur se aty e ka zanafillën pasioni tij, lidhja me filmin, njëkohësisht pasion dhe profesion i të atit.

“Që herët kam shkuar pas Pirros. Kisha shumë qejf të mësoja se si bëheshin filmat. Kam qenë diku në klasë të pestë kur nisa ta bëj rregullisht këtë gjë. Fat i madh qe kur ishte sezoni veror. Në kohën kur Kinostudioja xhironte në Pogradec filmin ‘Shoqja nga fshati’, në grupin e xhirimit kishte shumë fëmijë që shoqëronin prindërit. Unë ruaj momente vërtet të këndshme. Dalëngadalë kuptova magjinë e vërtetë të sheshit të xhirimit, se si xhirohet, si punohet; mundesha jo vetëm të isha spektator, pasi ndonjëherë i prekja gjërat me dorë: drejtori i fotografisë së filmit ‘Shoqja nga fshati’, Rudolf Radovani, më mori një herë te kamera, më vuri syrin dhe më tha: ‘Shkrepe tani’. Ishte një plan i Elvira Diamantit që do të regjistrohej për tri sekonda. Zhgënjimi i madh ishte në çastin kur vë syrin në kamera, shoh opturatorin të dridhej dhe jo një imazh të pastër. Jo më pak interesante më dukej edhe post produksioni: larja e negativit, ngjitja e filmit, nxjerrja e pozitivave… Bashkimi i figurës me zërin ishte i vështirë. E megjithatë unë e ndiqja Pirron edhe këtu, në këtë fazë të filmit. Isha kurioz. Pastaj, vetë Kinostudioja si godinë ofronte dhe shumë joshje të tjera. Një oborr me të gjitha frutat, ofiçinën, makinat e vjetra, zyrat e filmit vizatimor”. Mesa duket, pas një fillimi të tillë vazhdimi është i parashikueshëm. I rritur në shesh të xhirimit, për Eno Milkanin gjasat që të vazhdonte këtë profesion ishin të mëdha. Dhe ashtu ndodhi. Nuk ishte asfare imponimi. Se po të qe kështu, ekzistonte edhe alternativa e muzikës. Sepse sa ishte biri i një regjisori, ishte edhe i një pianisteje, e cila u përpoq gjatë ta ulte me detyrim mbi piano. Por ja që Eno s’e donte muzikën, s’kishte vesh si i thonë. Ama në shesh të xhirimit ndihej si në oborrin poshtë pallatit të tij, mes shokëve të lojërave të përbashkëta. Fare mirë. Dhe përfundimisht zgjodhi të ecte në rrugën e të atit.

***

Mes atit dhe birit, pikat e ngjashmërisë janë të forta, jo vetëm në profesion, por edhe si karaktere. Eno rrëfen se ndihet me fat që është tolerant si i ati, një dëgjues i mirë si ai dhe që di të punojë korrekt me stafin që e rrethon. “Kam parasysh gjithmonë një shprehje të Pirros. Mund të mos i kesh mjetet e duhura, teknikën, një skenar të mirë, kushte a diçka tjetër. E rëndësishme është të mos bësh budallallëqe, t’i shpëtosh vulgaritetit. Ky është leksioni im i parë. I ngjaj atij, por duke ecur përpara, pasi koha evoluon. Sa për ta imituar, nuk kam tentuar ndonjëherë. Nuk është se ai ka një stil të vetin. Në dy punët e mia, dy filma të shkurtër ‘Deti i Braktisur’ dhe ‘Shitore’ i ka pritur shumë mirë”.

Ajo që e bën të nxitet dhe të përjetojë emocionet që i ati i ka fituar me disa çmime në kinematografinë shqiptare, është të ndjekë pas udhëzimet e tij. “Shpesh më thotë: ‘Nëse deri më sot të kanë thirrur djali i Pirros, do të doja që nesër mua të më thonë: ti je babai i Enos?’”. E tani Enoja duhet të jetë duke ecur në atë rrugë. Në rrugën e duhur… Fundja nuk e zgjodhi rrugën e babait për asnjë prej përparësive që mund të kishte tek ecte mbi të… por thjesht për pasion e dashuri.

Botuar në revistën Psikologji, Tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top