Nga: Anxhela Peza
Jetojmë në një kohë ku çdo gjë ecën me hapa të mëdha drejt dijeve të reja e një teknologjie marramendëse, ku mund të marrësh prej saj dhe gjërat më të paimagjinueshme më parë. Sigurisht se këto mundësi bëjnë të mundur emancipimin e një popullate dhe ndryshon indirekt mënyrën e jetesës sonë. Në optikën e një psikologu, ku analizon shoqërinë tonë shqiptare, ka ende shumë punë për të ndjekur pas dhe për t’u pastruar nga paragjykimet e shumta që ne kemi herë pas here në shpinën tonë.
Ruajtja e faktorëve kulturorë me fanatizëm bën të mundur mentalitetin tonë të mos thyhet kollaj mbi shumë histori e ndryshime njerëzore. Ne kemi vlerësim për vetveten në bazë të opinionit të të tjerëve. Ne rritemi duke modeluar botën së jashtmi për të rrugëtuar dhe ne si pjesa tjetër, e kështu të mund të jemi pjesë e gjithë të tjerëve. Prej katër vitesh duke qenë psikologia e emisionit “Me zemër të hapur”, përditë rrëfehet sesi mendësia jonë na ndrydh për të qenë vetvetja dhe për të bërë zgjedhjet e dëshiruara në jetë. Shkurt 2012. Historia e rastit të fëmijës që i përkiste komunitetit rom. 8-muajsh humb jetën nga moskujdesi mjekësor për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimit ndaj këtij grupi shoqëror. Mjekët nuk kryejnë detyrën fisnike të bluzës së bardhë dhe neglizhojnë t’i japin mjekimin e duhur duke e dërguar në shtëpi. Gjithsekush mund të jetë në dijeni të ndonjë ngjarjeje të tillë, në forma nga më të ndryshmet. Natyrisht që, kjo kategori është e diskriminuar në të gjithë botën, por kjo nuk justifikon moskryerjen e detyrës duke përzgjedhur individët në nevojë mjekimi. Historia e rastit XH. Në vitin 2013. Ajo ishte 26 vjeçe. Jetonte në periferi të Tiranës. E divorcuar nga i shoqi, ka vetëm një djalë të vogël 2 vjeç e gjysmë. Shprehet publikisht se sa e paragjykuar është nga vendi i saj për historinë e jetës që ka kaluar. Tanimë ajo është një “e dështuar” sipas prindërve dhe askush nuk do dëshirojë të martohet më me të, pasi ajo nuk ishte e zonja të mbante burrin e parë. Ky ka qenë një rast i vitit 2013, i cili pati një bujë mediatike për dinamikën e saj. U zhvilluan tre emisione mbi këtë çështje, duke investuar edhe për sensibilizimin e opinionit publik, prindërve të saj dhe vetë zonjën XH., të cilën e kam ndjekur personalisht në këshillim psikologjik për rreth një vit. Pra, edhe mënyra e kulturës sonë bën të mundur të krijojmë ndjenja të mëdha inferioriteti dhe kompleksiteti për të qenë thjesht njeri në “fatkeqësinë” e jetës tënde. Historia e rastit nga Saranda në vitin 2014. Gjyshërit denoncojnë kopshtin ku shkonte mbesa e tyre, e cila ishte e abuzuar seksualisht. Dhimbja e madhe e gjyshërve bëri të mundur ta rrëfenin këtë gjë në media për të shpëtuar mbesën e tyre dhe sensibilizimin e prindërve të fëmijëve të tjerë. I ati i vajzës nuk dëshironte një gjë të tillë, për të mos hedhur baltë në reputacionin e saj kur ajo të rritej. Rastet e tilla ka fare pak vite që kanë arritur të bëhen publike. Vetë kultura jonë konservatore nuk i ka deklaruar asnjëherë këto. Për të ruajtur kështu dëlirësitë e vajzave deri kur atyre t’u vinte koha për një martesë të denjë. E gjithë kjo dhimbje dhe traumë mund të ishin shkatërruese për vetë individin, për një pjesë të mirë të jetës së saj. Rasti i z. A. nga Berati, të cilit, edhe pse me preferencë heteroseksuale, i pëlqente të vishej si femër. (Pasi gruaja e tij këtë gjë e kishte rrëfyer gjithkund). Prindërit e tij e mohuan, vajza e tij nuk dëshironte ta takonte më dhe, si rrjedhojë, ishte pushuar nga puna. Punësimi i tij ishte konvertuar në një gjë të pamundur prej vitesh. Rasti QUEEN është ende shumë i panjohur për një vend të vogël si i yni.
HAPAT PËR T’U NDIER I LIRË NË SHOQËRINË PARAGJYKUESE
Nxitur nga ngarkesat që kemi ne si shoqëri, ky fenomen si rrjedhojë e mentalitetit, ende është i varur ndaj gjykimit të të tjerëve. Ideja: si mund ta zhbëjmë dhe si ta nxisim dëshirën e mirë, duke u qëndruar larg modeleve negative?! Për t’u ndier më i lirë në veprime, jemi ne ata, të parët, që të mos drejtojmë gishtin për të analizuar një problematikë të tjetrit, por t’i vijmë në ndihmë.
• Të përqafojmë idetë e hapura, duke dëgjuar e mos dhënë një mendim të nxituar.
• Të heqim dorë nga mendimet konservatore që na kanë shoqëruar prej më shumë se një shekulli.
• Të analizojmë tabutë e mendimeve të vjetra, duke i zëvendësuar me mendimin tonë vetjak.
• Të informohemi për gjërat të cilat na vijnë të reja duke pasur një ide të plotë mbi fenomenin.
• Të mbështesim njerëzit në nevojë duke mos paragjykuar e përgojuar ato në një pjesë ku për ta dhemb.
• Të largojmë epitetet, nofkat fyese, heqja e stigmave negative nuk emërton më, e kjo shpie në asgjësimin e ndryshimeve midis asaj që quhet normale dhe jonormale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.