Në fokus

October 26, 2017 | 9:39

Në kërkim të emocioneve të forta

Përgatiti: Manjola EREQI

Mundohuni të imagjinoni një ditë ku nuk keni asgjë për të bërë, keni kohë për veten, për të bërë çfarëdolloj gjëje që dëshironi: të lexoni një libër, të bëni një shëtitje, të shihni një film që e keni shtyrë prej kohësh… bukur, apo jo? Tani mendoni t’i përsërisni këto gjëra për ditë e ditë të tëra… ja ku ju afrohet një ndjesi që më pas shndërrohet në mendim: ajo që më parë dukej se ishte një objektiv i dëshirueshëm, bëhet tani një “armik” nga i cili duhet të largoheni… mërzia! Le ta njohim më nga afër këtë ndjesi për të zbuluar se çfarë fshihet pas dëshirës për t’iu larguar mërzisë dhe se si përdorimi gjithnjë e më ngulmues i komunikimit virtual është i lidhur me kërkimin e vazhdueshëm të ndjesive plotësuese. Mendimtarët, filozofët dhe intelektualët e çdo shekulli dhe kulture janë marrë me një nga kushtëzimet që trembin më së shumti qenien njerëzore, sidomos në ditët e sotme: mërzinë!

1

“Të këqijat janë më pak të dëmshme për lumturinë se sa mërzia” (Leopardi), “Jeta njerëzore është si një lavjerrës që lëkundet vazhdimisht mes mërzisë dhe dhimbjes, me intervale të rrufeshme, dhe për më tepër iluzive kënaqësie dhe lumturie” (Schopenhauer), “Përtacia ngadalëson orët dhe përshpejton vitet” (Pavese)… të gjithë janë dakord teksa përcaktojnë mërzinë. Monotonia është një nga rreziqet që duhet t’i largohemi, në mënyrë që t’i japim një kuptim jetës. Vetëm Proust-i kërkon në njëfarë mënyre ta bëjë këtë panoramë më pak “depresive”, duke pranuar që: “Mërzia është një nga të këqijat më pak të rënda që duhet të përballojmë”… por prapë bëhet fjalë për “një të keqe”. Një nga karakteristikat e mërzisë është mungesa e stimujve: një person gjendet në një situatë që karakterizohet nga mungesa e stimujve, që siç tregojnë shumë studime mbi privimin e ndjenjave, mund të çojë në situata “esktreme”, mund të gjenerojë patologji të rënda, si për shembull: shqetësime të humorit dhe/ose haluçinacione. Të gjithë në jetën tonë, ndoshta kemi përjetuar një ndjenjë shqetësimi që vjen si pasojë e mungesës së gjërave për të bërë. Në shoqërinë e sotme, që është e karakterizuar nga ritme shumë të shpejta, me stimuj të vazhdueshëm dhe marrëdhënie ndërpersonale të çfarëdolloji, rrallëherë e kuptojmë se sa të paaftë jemi të kalojmë kohën vetëm me veten, pa ndezur kompjuterin, tabletin apo telefonin.

2

Në kërkim të ndjesive të forta

Në anglisht është shprehja sensation seeker (në kërkim të ndjesive), shprehje që i referohet një personi që është në kërkim të vazhdueshëm të ndjesive të reja dhe më të forta, që mund të kalojë edhe rreziqe vetëm e vetëm për t’i përjetuar këto ndjesi. Zuckerman flet për sensation seeker, duke iu referuar atyre që janë gjithnjë në kërkim të ndjesive dhe emocioneve. Kjo shprehje përfaqëson një pjesë të personalitetit të njeriut që dallohet nga një nevojë e vazhdueshme për stimuj, karakteristikat kryesore të të cilit janë: kërkimi i përvojave dhe aventurave, mospranimi i mërzisë. Nga studimet ndërkombëtare ka dalë në pah se një person që është vazhdimisht i dëshiruar për ndjesi përballet me shumë psikopatologji, mes të cilave shqetësimi i personalitetit, shqetësimi antisocial, abuzim me substanca të ndryshme dhe probleme me varësitë në përgjithësi. Por, pa dashur t’i japim një nuancë patologjike, një person i tillë është edhe adoleshenti që jeton një nga fazat më komplekse të ekzistencës njerëzore, ai që vendos të ndërmarrë udhëtime në vende të rrezikshme, një person që adhuron sportet ekstreme, etj. A përbën rrezik ky stil jetese për njerëzit që janë në kërkim të ndjenjave të forta? Për ta nuk ka shumë rëndësi: kanë gjithmonë sigurinë se ia dalin mbanë. E rëndësishme është të mos mërziten, të fitojnë mbi dembelizmin, të ndihen gjithnjë aktivë. Nevojat që kanë, përcaktojnë filozofinë e tyre të jetës.

3

Është një shqetësim?

I pari që foli për këtë gjë qe Zuckerman, por nuk bëhet fjalë për një shqetësim psikiatrik: teknikisht është një pjesë e personalitetit, një karakteristikë e qëndrueshme (bazë) dhe e shëndetshme për mënyrën e të qenit të shumë personave. Ndaj të kërkoni ndjesi të forta për veten nuk është një shqetësim dhe mund të përshtaten mjaft mirë me stilet e jetesës. Për shembull: ata që për arsye të punës, gjenden shpesh në kushte ekstreme apo bëjnë aventura të vërteta. Marvin Zuckerman, në një libër të tij mbi këtë argument ka pasqyruar disa aspekte të personalitetit të një personi që është në kërkim të ndjenjave të forta. Më specifikisht, ai ka nxjerrë katër personalitete:

1. Në kërkim të tensionit dhe aventurës : shprehet me dëshirën për të bërë aktivitete jashtë, edhe të rrezikshme, të cilat i bëjnë të provojnë ndjesi të forta dhe të reja;

2.Në kërkim të përvojës: kanë nevojë për të përjetuar përvoja ndjesore, mendore apo edhe sociale të reja, të ndryshme nga zakonisht, edhe antikonformiste;

3.Në kërkim të shfrenimit: kanë preferenca për aktivitete “pa kontroll”, si festa të shfrenuara, pirja ekstreme e alkoolit, shfrenim në intimitet e në seks;

4.Të prekshëm nga mërzia: kanë mungesë tolerance për situata (apo njerëz) të mërzitshëm dhe që i përsërisin gjërat apo bisedat.

4

 

Përfundime

Kërkimi i ndjenjave nuk është domosdoshmërisht negativ apo fatal. Njerëzimi ka pasur gjithmonë nevojë për pionerë. Pa pranuar një dozë rreziku nuk do të përparojmë asnjëherë, nuk do të ekzistonte guximi i mjaftueshëm për të na shtyrë drejt zbulimeve të reja. Megjithatë, falë të parëve tanë, sot kanë mbetur pak territore për t’u zbuluar dhe puna e rutina e përditshmërisë, për shumë njerëz, nuk janë aspak argëtuese. Njerëzit kanë një nevojë të lindur për ekzaltim dhe eufori dhe në një mënyrë apo një tjetër do t’ia dalin të kënaqin veten.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.116

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top