Në fokus

December 21, 2017 | 12:07

Në kohën e askujt, fëmijët e mi…

Unë sot jam 24 vjeç e pesë muaj e katër ditë dhe kam frikë t’iu them se me shumë mundësi ju nuk do të lindni kurrë. Kam vite që ëndërroj t’iu kem pranë, dy djem dhe një vajzë, por ia që nuk mundem t’iu sjell në jetë sepse kam frikë. Sot nuk mungon asnjë gjë në fakt për t’iu dhënë jetë sepse dhe nëse nuk kam një partner, teknologjia mjekësore ka bërë të mundur të kem fëmijë, por dhe nëse nuk do ishte kjo gjë e mundur fare mirë mund t’iu adoptoja. Mua më ka mahnitur gjithmonë një ide e tillë. E prapë unë nuk mundem as këtë ta realizoj. Nuk mundem t’ua shpjegoj arsyet saktësisht ashtu siç janë sepse unë realisht nuk i di dhe vetë. 

Nga Flogerta Krypi Shkrimtare

Nga Flogerta Krypi
Shkrimtare


Shoh miket e mia më të mira dhe “i kam zili”. Ata kanë në duar krijesat e tyre dhe e shoh në sytë e tyre sa të lumtura janë dhe pse kanë shumë vështirësi ekonomike. Unë nuk jam aq e guximshme sa ta. Nuk ka të bëjë me kushtet ekonomike. Të gjithë shqiptarët të varfër janë. Në Shqipëri nuk ka asgjë të mesme ndaj nuk më shqetëson shumë ideja që mund t’iu lind në një vend ku rroga minimale është 210 mijë lekë të vjetra dhe po aq kushton minimalisht një shtëpi e vogël me qera. E mbaj veten për shumë të zonjën dhe fundja fundit ju me siguri do të lindni në Gjermani e atje do keni një jetë. Sepse nëna juaj nuk e ka patur kurrë një të tillë. Më falni shumë për gjithçka po them në këtë moment, por kjo është e vërteta e ekzistencës time dhe është mirë ta dini përpara se të gjykoni për vendimin tim drastik që shpresoj të ndryshojë përpara se të vdes. 


Unë jam lindur në një vend pa kohë. Stërgjyshi im nga ana e babit me sa më kanë thënë ka vdekur në kryengritjet e Malit të Zi në 1911 përpara se të shpallej pavarësia. Gjyshërit dhe prindërit e mi kanë jetuar në kohën e shembjes së komunizmit, kurse unë jetoj në brezin e humbur të Shqipërisë. Kjo kohë ka filluar tre vite para se ime më të më sillte në jetë dhe vashdon dhe sot e kësaj dite. E quajnë tranzicion, por në fakt i ka kaluar të gjitha përkufizimet e këtij termi. Ndaj sot iu kërkoj ndjesë që unë nuk mund të mendoj më për ju aq fuqimisht sa dikur. Sepse unë dhe ju jetojmë në kohën e askujt. Kjo është thjesht koha e hiçësisë ku injoranca është vyrtyt dhe formë jetese, e kjo më frikëson më shumë se çdo gjë tjetër.
Ndaj iu kërkoj falje që marr guximin të mos guxoj të mendoj më për sjelljen tuaj në jetë, por unë nuk mund t’iu dënoj me një jetë të tillë. Sepse unë nuk jam e zonja më për të ndryshuar asgjë në kohën e askujt e ashtu si unë janë shumë. E kjo ndodh për shumë arsye, por kryesorja se unë e kam humbur totalisht besimin tek vetja dhe besimin që një ditë do e bëjmë Shqipërinë e ju të thoni me krenari “unë jetoj në kohën e dikujt”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top