*Anxhela Peza, psikologe klinike dhe këshillimi, pedagoge, autore librash
Nga Orjona TRESA / Foto Vlasov SULAJ
Ka njerëz që nuk e zgjedhin profesionin e tyre, por e ndjejnë si një thirrje të brendshme. Tek Anxhela Peza, kjo thirrje ka ardhur herët, si një zë i qetë por i fortë, që e ka udhëhequr drejt botës së mendjes, trupit dhe shpirtit njerëzor. Sot, ajo është një nga figurat më të njohura në fushën e psikologjisë, me mbi një dekadë përvojë në drejtimin e klinikës “Psycholife” dhe një kontribut të vyer në media, ku ka ndarë njohuri, eksperienca dhe këshilla që prekin zemrën e publikut. Për të, psikologjia nuk është thjesht një shkencë, por arti i të kuptuarit të njeriut, që nga hapat e parë të ekzistencës, te sfidat dhe rrugëtimet e jetës së tij. Me empati, profesionalizëm dhe një përkushtim të rrallë, Anxhela Peza ka shënuar gjurmë të pashlyeshme tek ata që kanë kaluar pragun e zyrës së saj, duke i ndihmuar të gjejnë jo vetëm përgjigje, por edhe paqen e brendshme.
Psikologjia është e ndërthurur me çdo aspekt të jetës: në familje, punë, arsim, shëndetësi, drejtësi… janë pafund shtigjet ku ajo ndikon, këshillon dhe ndihmon. Si lindi tek ju lidhja me këtë fushë? Çfarë ju tërhoqi drejt saj?
Psikologjia nis të krijohet me krijimin e një fetusi, unë e kam kuptuar psikologjinë si sinonim i fjalës njeri. Psikologjia e dy prindërve gërshetohet me planin për të pasur fëmijë. Si përjetohet e gjithë shtatzënia në krijim, vështirësia e lindjes, rritja e njeriut. Është e gjitha psikologji. Ndaj dhe ne me anë të kësaj “psikologjie” vetjake ndërtojmë jetën tonë, krijojmë marrëdhënie dhe bashkëpunime. Dhe mbi të gjitha kemi një përpjekje për të përmirësuar psikologjinë tonë. Pra veten tonë, zhvillimin e njeriut që ne jemi. Shkenca e mendjes, trupit dhe e shpirtit.
Tek unë ka ardhur si zhvillimi i empatisë duke lexuar shumë herët në fëmijëri. Dhe mbase si rezultat i bisedave të gjata me mamanë time për botëkuptimet e njerëzve. Kujtoj se diçka ndryshoi tek unë, në vitin e dytë gjimnaz. Kishim lëndën e sociologjisë dhe bënim analiza në grup. Komplimentet e mësueses së lëndës për këndvështimet e situatave që duhet të analizonim, më përcaktuan më shumë rreth kësaj fushe.
Sa qëndron i vërtetë mendimi se personat emocionalë kanë më shumë prirje për të ndjekur psikologjinë?
Tek personat të cilët tregojnë një ndjeshmëri të lartë, ka një tendencë të dukshme për t’i ardhur në ndihmë nevojës. Pra atyre njerëzve që shfaqin vështirësi, tregojnë dobësi, nxit tek njerëzit emocionalë dëshirën për t’i përmirësuar jetën apo t’i lehtësojnë dhimbjen. Reflektimet vetjake për të zgjedhur një profesion i cili do bëhet pjesë e identitetit tënd, është shumë e rëndësishme dhe kërkon mençuri. Por dhe përgjegjshmëri të lartë. Ndaj në atë që do të shërbesh nesër me profesionin tënd duhet të jetë e mirëmenduar dhe e dëshiruar patjetër.
Koeficienti i inteligjencës emocionale është shumë i rëndësishëm në çdo fushë që ne do japim kontributin tonë. Në pozicionet ku kërkohen ndërveprime njerëzore duhet të kemi një nivel të lartë të këtij koeficienti.
Pas kaq vitesh përkushtimi në studime dhe praktikë profesionale, si ndiheni sot? A ka marrë kuptim rruga juaj? Çfarë e bën të plotë këtë mision për ju?
Në këto vite vetë njeriu ka një reflektim të brendshëm nga ajo që jep dhe merr si shpërblim. Kur pacienti apo klienti të falenderon dhe është mirënjohës nga bashkëpunimi. Kjo është përmbushëse dhe motivuese për të qenë më e mirë dhe më e devotshme në profesion. Të qenët psikolog është një mision human me një rrugëtim shpirtëror tek i cili do jetë një gjurmë që e shënjon jetën e njeriut. Ndaj është e nevojshme përgjegjshmëria, se merresh me jetë njerëzish.
Ju drejtoni qendrën “Psycholife”, ku realizoni seanca psikoterapie brenda dhe jashtë vendit, si në prani fizike ashtu edhe online. Cili është grupi kryesor i individëve që trajtoni?
Po, tashmë nga ritmi i jetës është krijuar lehtësia për të patur seanca online. Dhe po bëhen më të preferuara vitet e fundit. Seancat online përfshijnë procesin e terapisë psikologjike nëpërmjet internetit. Metodat dhe teknikat e terapisë të përdorura në intervistat ballë për ballë mund të përdoren gjithashtu gjatë intervistave në internet dhe mund të jenë po aq të dobishme sa terapia ballë për ballë. Në fillimet e profesionit kam punuar dhe me fëmijë. Tani jo më. Për më shumë se 10 vite jam fokusuar më së shumti në target-grupin e të rinjve, deri në një moshë të mesme të rritur. Me moshat e treta nuk punoj dot, aty përfshihem emocionalisht. E mbase është vështirë për të punuar me ta.
Me cilat raste keni hasur më shumë vështirësi dhe që megjithatë kanë arritur zgjidhje?
Secili rast i ndjekur, ka sfidën e vet profesionale. Ka veçantinë e asaj që sjell në terapi. Rast i mirë për të punuar janë gjithnjë rastet të cilat kanë dëshirën për të kuptuar çështjen që paraqesin. Bashkëpunimin në ndërhyrje terapeutike. Sfidues janë ata të cilët i drejtohen psikologut, por me një ego të fortë në përballje me të vërtetën. Procesi i ndryshimit mund të sjellë ngadalësi. Rastet të cilët hyjnë në terapi afatgjatë, dhe rastet të cilët ndiqen me terapi medikamentoze gjithashtu.
Sa zgjat një terapi, në varësi të kushteve specifike? Çfarë lloj shërbimesh ofron qendra juaj?
Është gjithnjë në varësi të problemit që duhet punuar. Një seancë tek psikologu zgjat 50-60 minuta. Dhe kryhen një herë në javë, sipas një plani pune. Duke u përcaktuar një ditë dhe një orar fiks për pacientin. Kështu është marrëdhënia edhe nëse rasti qëndron në terapi afatgjatë apo afatshkurtër.
Puna ime si psikologe gjatë një seance:
- Mirëpres klientin me dëshirën për ta ndihmuar dhe orientuar profesionalisht për atë që sjell në terapi.
- I shpjegoj gjithmonë formën e punës sime, qasjet e mia terapeutike.
- I kushtoj një vëmendje të lartë psikoedukimit në formimin e personalitetit të një individi.
- I jap rëndësi të veçantë dhe parandalimit të tendencave patologjike që stimulon mjedisi social si familja, puna, shoqëria.
- Tregoj llojet e ndërhyrjes në shqetësimin e shfaqur. Teknika, psikanalizë, psikoedukim, metodat relaksuese etj.
Klinika Psikologjike “Psycholife” ofron shërbime psikologjike fizikisht dhe online për gjithë botën, duke trajtuar këto çështje:
- Çrregullimet e Ankthit
- Çrregullime Sjellore
- Çrregullimet e Depresionit
- Çrregullimet e të Ngrënit
- Çrregullimi i Përshtatjes
- Çrregullimet e Gjumit
- Çrregullimi Obsesiv – Kompulsiv
- Çrregullimi Post Traumatik
- Proçesi i zisë ( vdekjet )
- Fobitë
- Frikërat e ndryshme
- Vetëvlerësim i ulët
- Abuzimet
- Ngacmimet / Bullizimi
- Varësia ndaj Alkoolit
- Varësia ndaj Bixhozit
- Varësia ndaj Substancave
- Problematikat në Çift
- Divorci
Kush konsiderohet më “i rrezikuar” për të pasur nevojë për ndihmë psikologjike?
Ai individ i cili ekspozohet ndaj stresorëve të jetës, pa limit. Atij që merr shumë përsipër pa qenë nevoja dhe duke tejkaluar mundësitë e tij. Jetesa me dhunën fizike, emocionale, vdekjet e të afërmve, sëmundjet, varësitë, pra ai që e ka kuptuar se ka humbur ekulibrin me veten e tij, familjen dhe punën. Është potencial për ndihmë konkrete të specializuar. Ama dëshira për të njohur veten dhe të punosh me të, kërkon vetëdije. Mbështetje nga ata që të rrinë pranë.
Cilat janë grupmoshat që rezultojnë më të prekura?
Të gjitha grupmoshat kanë problematikat e tyre. Cila grupmoshë e kërkon më shumë ndihmën statistikisht, do thoja janë të rinjtë. Tani psikologu është i pranishëm në shumë emisione televizive, në filma modern, madje filma që kanë zhanre “filma psikologjikë”, gjithashtu dhe njerëz me famë botërore pa asnjë droje pohojnë se kanë qenë tek psikologu. Ka bërë më të lehtë tek njeriu të kërkojë ndihmë. Adoleshentët e shikojnë vajtjen tek psikologu dhe si trend. “Unë kam terapistin tim për problemet e mia”. Të rinjtë të cilët përballen me vështirësitë e jetës në një mënyrë më të pjekur. Të rriturit kur ndoshta ai fëmija i traumatizuar brenda tyre nuk e lë të qetë. Më vonë mosha e rritur e mesme ka një nevojë emocionale më së shumti, por më pak e kërkojnë ndihmën për veten. Priren ta kërkojnë për fëmijët, ose për kriza në familje.
Sa ndikim ka nisja e terapisë në kohën e duhur?
Si ndërhyrje terapeutike është shumë e rëndësishme, pasi diagnostikimi i hershëm, evidentimi i problemit herët, bën të mundur suksesin në trajtimin e tij. Ose parandalon atë që mund të përkeqësohet në të ardhmen.
Kur bëhet e nevojshme që terapia të zhvillohet me shoqërim?
Ka disa specifika në çrregullimet psikologjike ku lind nevoja dhe për trajtim medikamentoz. Përveç terapisë individuale mund të jetë e nevojshme dhe përfshirja e terapisë në çift, në familje apo në grup. Plane ndërhyrëse terapeutike janë gjithnjë me rezultate të mira, sipas llojit në trajtim.
Të qenët psikologe sjell me vete një ngarkesë të shtuar emocionale. Si ndikon kjo në jetën tuaj personale dhe me kë i ndani këto ndjesi?
Secili psikolog ka bërë një analizë personale të vetes, për të qenë terapist. Ngarkesa e përditshme e punës, e llojit të traumave, ka nevojën e supervizimit klinik. Ama ndihmuese është ndarja me kolegë të fushës duke diskutuar mbi çështjen. Në jetën personale rrallëherë e përfshij me atë profesionale. Përpiqem që kohën me familjen ta kaloj në mënyrë cilësore me ta, pa ndërhyrje. Me kalimin e vite në profesion mësohet dhe kjo ndasi.
Pse është i rëndësishëm roli i psikologut në shoqëri dhe përse duhet të çlirohemi nga stigma që ende e shoqëron?
Psikologu është profesionist i nivelit të lartë për mirëqënien e njeriut. Pa të jeta mendore dhe shpirtërore nuk do të kishte cilësi, butësi, zgjidhje e mbase dhe mirësi. Analiza e tij është një çelës për vetë jetën. Roli i tij forcon shëndetin e përgjithshëm, me një korrelacion të gjendjeve mendore dhe fizike. Parandalon probleme të mëdha edhe në marrëdhënie ndërpersonale. Ndihma në komunitete, në institucione, ndërmarrje, etj.
Të kesh stigmë pengon kërkimin e ndihmës, dhe krijohet një lloj kulture me ngërçe për t’u çliruar nga shqetësimet dhe çrregullimet psikologjike.
Gjithsesi, ne nuk kemi pse i bëjmë këto ndarje. Ke shkuar tek psikologu sepse nuk ke aftësi menaxhuese apo zgjidhje? Jo nuk është kjo! Të gjithëve na ndodhin sëmundje mendore, probleme, konflikte, parehati. Nëse do kishim probleme me zemrën, pse do vraponim tek mjeku? A nuk është e njëjta gjë? Ti je kequshqyer, nuk ke ditur të kujdesesh në mënyrë të shëndetshme. Mbase je abuzues i alkoolit, duhanit, të mbingrënit, jetës sedentare. Pra drejtimi tek profesionisti i fushës nuk mund të ketë stigmë. Ka kujdes ndaj vetes. Një komunitet me individë emocionalisht të shëndetshëm është më produktive më e bashkuar dhe më e qëndrueshme.
A mendoni se prania e psikologut është e domosdoshme edhe në kompani apo institucione të tjera?
Në përqasjen e vendeve perëndimore dhe europiane çdo institucion që kalon 70 deri në 100 punonjës ka psikolog. Kjo vlen që problemet personale mos të sillen në punë. Të mos i ndash ato me kolegun e punës. Të kesh performacë të mirë në punë. Lidhen me nxitjen, motivimin dhe produktivitetin e punonjësve. Ndaj janë punësuar se kanë potenciale dhe vlera të ndryshme punonjësit.
A mund të konsiderohet psikologu si një “mjek i shpirtit” apo “i zemrës”?
Tek vetë njeriu ka një luftë mes mendjes dhe zemrës. Ato shpesh nuk janë sinkron me njëra-tjetrën. Kur ne kemi reagime emocionale, e shpesh në mënyrë të pa rregulluar, duket sikur jemi të dobët. Ndodh dhe që emocionet e forta na turbullojnë gjykimin dhe na bëjnë të kryejmë sjellje për të cilat mund të ndjemë pendesë. Një psikolog mund të ndihmojë për të kontrolluar emocionet shqetësuese. Në terapi, klientët mund të mësojnë si të indentifikojnë ndjenjat, sa po turbullojnë gjykimin e tyre dhe t’i ulin ato emocione në një nivel më të menaxhueshëm.
Si ju ka ndihmuar ju personalisht të qenët psikologe, në raport me veten?
Po të mos isha psikologe nuk mendoj se do isha ky njeriu që jam sot. Është një dimension tjetër i kontaktit me veten tënde. Vetëreflektimi i shëndetshëm dhe analizat e duhura ndihmuese, krijojnë peshoren e nevojshme në jetë. Më ka ndihmuar të kuptoj, të kem empatinë e duhur, të pranoj gjërat dhe njerëzit pa kushte. Dhe të di të fal me një paqe të pashoqe. Dhe të harroj gjëra të cilat nuk vlejnë më.
Po në rolet tuaja si nënë, bashkëshorte apo familjare, a ju është dashur të përdorni qasjen psikologjike?
Po mendoj se po. Nuk i shmanget dot njeriu asaj që ka brenda vetes. E përdor, e në prindërim më shumë ndoshta. Në partneritet mbase më pak. Aty ku përplasen fort egot, harrohet ndonjëherë analiza e psikologut.
Ju ndodh që të ndaleni në rrugë nga njerëz që kërkojnë ndihmën tuaj?
Po, ka plot nga ata që të ndalojnë, ka nga ata të cilët të telefonojnë për t’i bërë konsultën nga telefoni ose nëpërmjet chat-it. Ka dhe të tjerë që sapo marrim vesh që ti je psikologe ndajnë shqetësimet dhe problemet e tyre. Por mendoj se kjo është kulturore tek ne me çdo profesion. Jo vetëm me psikologun.
Ju jeni gjithashtu autore librash në fushën e psikologjisë dhe letërsisë. Si do ta përkufizonit veten sot dhe cilat janë pritshmëritë për të ardhmen?
Unë sot jam pikërisht si e kam vizualizuar veten time shumë kohë më parë. Psikologe klinike dhe njeriu i përkushtuar botës së letrave dhe botimeve të librave. Kështu do të jem besoj gjithë jetës.
A keni një projekt të ri në proces? Mund të na zbuloni diçka më shumë?
Më pëlqen të tregoj kur gjërat ndodhin, jo më parë. Efekti surprizë është më i bukur. Gjithsesi mund të them se këtë fundvit do kem nxjerrë në dritë një roman. Dhe për momentin jam duke bashkëpunuar me shtëpinë botuese.
Së fundi, cili do të ishte një mesazh i juaji për lexuesit, si psikologe, si nënë dhe si grua?
Ndonjëherë mesazhet e jetës tingëllojnë klishe. Për të rinjtë duken si refrene të cilat i kuptojnë, por ende nuk mund të ndjejnë thellësinë e vërtetësisë të asaj që thuhet.
Sot ndjej për të thënë se për njeriun është domosdoshmëri njohja e vetvetes dhe krijimi i rrugëve të mirëqenies emocionale. Përpjekja për status social, kërkesa për t’u vlerësuar nga të tjerët dhe sakrificat e mëdha në jetë, stërmundimet, na kanë bërë të harrojmë si mund të jemi të lumtur.
Si psikologe them: gjeni zakonet tuaja të lumturisë së përditshme, të rehatisë apo paqes së mendjes! Do bëheni pasanikë.
Si nënë, marrëdhënia me fëmijën është përkushtim dhe mbështetje, nuk ka asnjë merak nëse nuk ka sende materiale apo se rritet mes hallesh e problemesh. Modeli dashurisë është identitet nesër.
Si një grua, në nivele të larta të ndërgjegjes vetjake, me një burrë mund të rrugëtosh por jo të konfirmohesh nëpërmjet një burri se je grua.
Kontakt: 0672058116
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.