Në epokën e rrjeteve sociale dhe standardeve të larta estetike që promovohen nga mediat, gjithnjë e më shumë vajza dhe gra (por jo vetëm) ndihen të shtyra të ndryshojnë pamjen e tyre për t’u përshtatur me një ideal të paarritshëm bukurie. Operacionet plastike, përdorimi i botox-it dhe procedurat kozmetike janë bërë të zakonshme, por pas këtij fenomeni shpesh fshihet një shqetësim më i thellë psikologjik.
Valentina Telhaj, Psikoterapiste/ Pedagoge
Për disa, këto përpjekje për ‘perfeksionin’ mund të jenë pasojë e një çrregullimi të njohur si çrregullimi dismorfik i trupit, ku individi preokupohet në mënyrë obsesive me defekte të perceptuara në pamjen fizike.
Në një botë ku presioni për të qenë ‘perfekt’ po bëhet gjithnjë e më i ashpër, ky çrregullim është më i përhapur se kurrë dhe meriton vëmendje të veçantë.
Po çfarë është çrregullimi dismorfik dhe si trajtohet?
Çrregullimi Dismorfik i Trupit (Body Dysmorphic Disorder – BDD), sipas American Psychological Association (APA), është një çrregullim psikologjik që përfshin një preokupim të tepruar me defekte të perceptuara në pamjen fizike, të cilat zakonisht janë imagjinare ose shumë të vogla për t’u vënë re nga të tjerët. Ky shqetësim çon në stres kronik të konsiderueshëm dhe ndërhyn në funksionimin e përditshëm të individit.
Si ta dallojmë çrregullimin dismorfik?
Simptomat kryesore janë:
1) Preokupim intensiv me pamjen fizike: Fokus i tepruar në një tipar specifik të trupit (p.sh., hunda, fytyra, flokët, lëkura, muskujt).
2) Sjellje kompulsive dhe të përsëritura.
3) Kontroll i shpeshtë para pasqyrës ose shmangia totale e saj.
4) Kërkimi i sigurisë nga të tjerët (p.sh., “Dukem mirë?”).
5) Mbajtja e rrobave ose grimit për të “fshehur” defektin e perceptuar.
6) Krahësimi konstant me të tjerët.
7) Izolim social dhe ndërprerje e funksionimit të përditshëm:
Shmangie e aktiviteteve sociale apo profesionale për shkak të frikës se të tjerët do ta gjykojnë.
Fusha të zakonshme të shqetësimit janë kryesisht, Fytyra: Madhësia ose forma e hundës, lëkura (aknet, njollat), buzët.
Pastaj, Trupi: Madhësia ose forma e gjymtyrëve, muskujt (dismorfia muskulore), flokët (p.sh., rënia e tyre).
Ndikimi emocional dhe psikologjik tek këta individ ka:
- Ankth i lartë, depresion.
- Vetëvlerësim shumë i ulët.
- Mendime ose tentativa për vetëlëndim.
Si trajtohet çrregullimi dismorfik?
Terapia kognitive dhe e sjelljes (CBT) është terapia më efektive për trajtimin e BDD.
- Elementët kryesorë të CBT për BDD:
- Identifikimi dhe sfidimi i mendimeve irracionale rreth pamjes fizike.
- Menaxhimi i sjelljeve kompulsive, si kontrollimi i pasqyrës ose krahasimet me të tjerët.
- Rritja e vetëpranimit dhe zhvillimi i një perspektive më realiste rreth pamjes fizike.
- Ekspozimi dhe parandalimi i ritualeve: Individët praktikojnë qëndrimin në situata sociale pa u angazhuar në sjelljet e tyre të zakonshme kompulsive (p.sh., shmangia e pasqyrës).
Një tjetër formë trajtimi kur janë në fazën më të agravuar është dhe Terapia Farmakologjike:
- Antidepresantët, veçanërisht SSRI-të (Selective Serotonin Reuptake Inhibitors), janë shpesh të rekomanduara për reduktimin e ankthit dhe depresionit që shoqërojnë BDD.
- P.sh., fluoksetina ose sertralina.
Mbështetja psiko-sociale:
- Edukimi i individëve dhe familjes për natyrën e çrregullimit.
- Grupi i mbështetjes mund të ndihmojë në reduktimin e izolimit dhe turpit.
Si të ndihmojmë një person me çrregullim dismorfik?
- Shmangia e kritikave për pamjen: Nuk duhet të gjykohet pamja e tyre, pavarësisht se shqetësimi duket “i vogël” për të tjerët.
- Nxitja e trajtimit: Inkurajoni kërkimin e ndihmës profesionale nga një psikolog për të elaboruar traumat dhe për të rritur vetëvlersimin është më efektiv afatgjatë.
Ata kanë nevojë për mbështetje emocionale: Krijoni një mjedis të sigurt dhe të kuptueshëm per ta.
Pse është trajtimi i rëndësishëm?
Pa trajtim, BDD mund të përkeqësohet, duke çuar në depresion të rëndë, izolim social dhe rritje të rrezikut për vetëlëndim ose vetëvrasje.
Trajtimi i hershëm dhe i duhur mund të ndihmojë individët të menaxhojnë simptomat dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.
“Më mirë të parandalojmë sesa të trajtojmë”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.