Psikofakt

October 16, 2017 | 9:39

Në njëjës apo në shumës?

Kur themi se sot në botë, pra, edhe në Shqipëri, femra ende dhunohet e diskriminohet në familje e shoqëri, pavarësisht sukseseve të arritura në fushën e emancipimit të saj shumëplanësh, ne përdorim shpesh njëjësin, femra dhe jo shumësin femrat. Sigurisht, në këtë rast, njëjësi ka vlerën e shumësit, por, gjithsesi, luan deri diku rolin e pemës që fsheh pyllin. Kjo, sepse nuk mund të ketë dy femra njëlloj të emancipuara, ngaqë nuk ka dy femra njëlloj të dhunuara dhe, anasjelltas, nuk mund të ketë dy femra njëlloj të dhunuara, ngaqë nuk ka dy femra njëlloj të emancipuara.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Çdo femër në botë, pra edhe shqiptarja, ka jo vetëm disa veçori individuale të papërsëritshme, por  edhe disa karakteristika socialekonomike apo socialkulturore që janë fryt ose pasojë e edukimit familjar, shkollor e shoqëror, i cili nuk është e nuk mund të jetë i njëjti tek të gjithë dhe sidomos tek të gjitha. Në Shqipëri, vend me të dhëna gjeohistorike tepër komplekse, ka krahina me doke e zakone specifike, pra, me qëndrime e trajtime deri diku të ndryshme nga njëra-tjetra kur bëhet fjalë për femrat (gra e vajza) në marrëdhëniet e tyre me meshkujt (burra e djem), me familjet, me bashkësitë ku jetojnë e punojnë dhe, në përgjithësi me opinionin shoqëror. Rrjedhimisht, kur pozicionohen në kuadrin e emancipimit të shoqërisë shqiptare në tërësi dhe në atë të femrave shqiptare në veçanti, faktorët dhe aktorët emancipues duhet të mbajnë parasysh ndryshimet midis niveleve psikologjike e sociale të femrave dhe të meshkujve në krahina, shtresa sociale e rrethana konkrete, ndryshime që kërkojnë pashmangësisht trajtime e zgjidhje të problemeve sipas vendit, momentit dhe kuvendit. Sipas vendit do të thotë, për shembull, që edhe kur largohen nga fshati apo qytezat e zonave të thella malore ku kanë lindur, për t’u vendosur vetëm, por më së shumti familjarisht, në qytetet e mëdha, veçanërisht në kryeqytet, femrat bartin mendësitë e zonës apo të krahinës nga vijnë, prandaj, për t’i ndërgjegjësuar ato lidhur me problemet e emancipimit të tyre të mëtejshëm, duhet përcaktuar një strategji e disa taktika të ndryshme nga ato që nevojiten për femrat që vijnë nga fshatra apo qytetet e zonave fushore. Sipas momentit, do të thotë, për shembull, që duhet mbajtur parasysh mosha e femrave, niveli i tyre arsimor e kulturor dhe marrëdhëniet e tyre me familjen e të afërmit në çastin kur ato shkëputen prej atyre qoftë për të krijuar familje, qoftë për të jetuar më vete jo vetëm larg tyre, por edhe në të njëjtin qytet si ata. Sipas kuvendit, do të thotë që përmes dialogut, faktorët e aktorët emancipues t’i bindin ato që të shprehen pa ndrojë e sinqerisht për komplekset e traumat psikologjike të trashëguara nga e kaluara e tyre (mundësisht që prej fëmijërisë së hershme), për problemet e së tashmes në marrëdhëniet në shkollë apo fakultet, në qendrat e punës apo në shoqëri, si edhe për ëndrrat e projektet e tyre lidhur me të ardhmen.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top