Mirëqenie

November 30, 2015 | 13:05

Në punë me meshkujt!

Nga: Jonida Ucaj (Ponari)

Msc. Psikologji Klinike/Ma. Këshillim Psikologjik

Të punosh me meshkuj, në këndvështrimin tim personal është një mundësi për të ndërtuar marrëdhënie të mira bashkëpunimi, duke eliminuar kështu ndjenja, që në marrëdhënien mes kolegeve femra, janë më të dukshme, si xhelozia, thashethemet apo pengesat artificiale që ato nxjerrin drejt rritjes tënde profesionale. Mendoj se femrat ndaj femrave, për nga natyra janë më të predispozuara për të nxjerrë probleme. Ndërkohë meshkujt nuk kanë synime të tilla, andaj puna me ta është më e lehtë. Por ndonjërit nga ju, mund t’i ketë ndodhur, që për vetë faktin e të qenit femër, të jetë perceptuar në mënyrë të padrejtë nga meshkujt, sidomos nga shefat. Disa prej jush nuk i kanë shpëtuar stigmatizimit të syrit mashkullor, ku femrave nuk i jepet besueshmëri për aftësitë e tyre në punë dhe kjo rrjedhimisht i ul gjasat atyre për rritjen në detyrë. “Mund t’i duhen vite grave të kuptojnë se përvojat që kanë pasur në vendin e punës janë të lidhura me gjininë”, shprehet Melissa Thomas-Hunt, PhD, Profesoreshë në Universitetin e Virxhinias, e cila studion paragjykimet gjinore dhe raciale në vendin e punës. Ndërkohë prej meshkujve gjithashtu “lind një tjetër rrezik” ai i të qenit e ngacmuar, në një tjetër dimension, në atë femëror. Si zgjidhen situata të tilla? Nëse ti i mirëpërcakton limitet dhe ndërton marrëdhënie të mira pune, çdo gjë ecën në drejtimin e duhur. Pra, kur tregon me punë që je një profesioniste e zonja, një nga këta meshkuj që ka përgjegjësinë për të të ngritur në detyrë, jo vetëm që nuk të paragjykon, por mund të ta japë dorën duke ta dhënë këtë privilegj drejt rritjes profesionale. Ndaj kjo mundësi duhet shfrytëzuar.

Cili është ndikimi që kanë kolegët meshkuj në punë?

Në një seancë këshillimi, një kliente tregoi se si një koleg me ndikim tek titullari, kish vënë re prej kohësh ardhjen e saj më herët në punë se orari zyrtar, ku për profilin e saj të punës ardhja aq herët nuk ishte domosdoshmëri. Ai e kishte ndihmuar, duke thënë fjalë të mira tek eprorët dhe duke bërë të mundur që ajo të vinte çdo ditë në orën 9-të, duke shfrytëzuar këtë kohë në dispozicion të vetes. Pra, ai ndikoi pozitivisht! Pyes veten, a do vepronte kështu një kolege femër? Përgjigjja do ishte po, vetëm nëse ajo do ishte me karakter shumë pozitiv e do udhëhiqej nga dëshira e mirë. Shumë shpesh e kemi dëgjuar thënien që një grua vishet për një grua tjetër! Kjo për shkak se për gratë ka rëndësi sesi perceptohen në grup nga gratë e tjera. Kjo ndjenjë “e të qenit e gjykuar” mund të çojë një punonjëse femër për të shmangur marrëdhëniet me gratë e tjera dhe i çon ato drejt krijimit të relatave me meshkujt e zyrës, nga e cila, sërish nuk dalin pa u “lagur”, pasi do gjykohen e përgojohen sërish nga ato, për ndonjë flirt apo diçka më tepër. Sigurisht, rëndësi i duhet dhënë edhe kujdesit për veten, i cili nuk duhet të jetë i ulët aq sa të të nënvlerësojnë, por jo dhe aq i lartë sa të bie në sytë e “kolegeve”, të cilat për t’u hakmarrë ndaj inferioritetit të tyre (nuk kanë paraqitjen tënde, janë më të shëndosha, të papranuara fizikisht nga shoqëria përreth) mund të të nxjerrin drunj të mëdhenj në rrugën drejt rritjes profesionale. Pra, shmangi sa më shumë që të mundesh xhelozitë femërore, duke vënë veten në vendin e tyre, në qoftë se ato ndjehen keq në ndonjë

drejtim, nuk kanë krijuar familje si tënden, apo lakmojnë suksesin tënd në punë dhe “privilegjet që ti ke”, bëj çmos të shmangësh biseda të tilla ku ti je e plotësuar si grua dhe në rolin si nënë.

Pra, femrat “kolege” janë të gatshme të bëjnë “shumëçka” që të të zbehin imazhin dhe performancën e mirë. P.sh. Një kolege e mikeshës time, (që ankohej se mbante gjithë familjen me rrogën e saj), shfrytëzoi të gjithë empatinë e kësaj të fundit, me qëllim arritjen e ndikimit pozitiv që ajo kishte tek titullarët. Duke përdorur afrimitetin me të si strategji, ajo bëri çmos t’i zinte vendin e vetë asaj, dhe ia doli! Por jo për shumë kohë.

Ndaj të takon Ty të jesh vigjilente, të marrësh vendimet e duhura kë të mbash afër dhe kë jo. Më e mira nga të gjitha është të mbash marrëdhënie të mira pune, marrëdhënie profesionale me të gjithë. Të tregosh veten tënde me punë. Kjo është arma jote më e fortë.

A dallojnë meshkujt nga femrat në mënyrën si i shikojnë situatat konfliktuale në punë?

Dallimi i parë ndërmjet meshkujve dhe femrave qëndron në mënyrën se si ballafaqohen me konfliktet në punë. Burrat kanë tendencë për të zgjidhur konfliktet pa keqardhje, ndërkohë që femrat e shohin si më personale. P.sh. meshkujt kanë tendencë për të hedhur poshtë komente negative personale më shpejt se femrat. Kur një shef i thotë një nëpunëse që e ka konceptuar keq një shkresë. Ajo mund ta ketë të vështirë për të pranuar se kjo është vetëm këshillë në lidhje me punën dhe nuk ka të bëjë me mënyrën se si shefi mendon rreth saj. Studimet thonë që gratë i marrin konfliktet në punë si personale. Në rrënjët e konflikteve në punë qëndron marrëdhënia konkurruese brenda llojit, por edhe një dëshirë për të ndërtuar marrëdhënie. Për shembull, në qoftë se dy femra në zyrë nuk pëlqejnë dy të tjera, punonjësi i pestë nëse është mashkull do shërbejë si balancues në këtë situatë konflikti. Por nëse je femër, do të duhet të “zgjedhësh një anë”, thjesht që të jesh pjesë e grupit. Në një përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie me dy nga gratë, ti po shmang marrëdhënien me dy të tjerat. Mesi i artë Aristotelian do ishte duke mos mbajtur anën e askujt, thjesht duke treguar sjellje të mirë profesionale.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top