Marrëdhënie

April 10, 2016 | 7:15

Në shtëpi fëmijët me dhe për fëmijët

1Nëna shtëpiake… që nuk shkojnë në punë

Të jesh nënë është një mrekulli. Lumturia që kjo ngjarje sjell është e madhe, rigjeneruese, madje thuhet se e plotëson një femër. Por, thuhet edhe kjo tjetra: “Nuk mjafton”, është thjesht një hap më pranë nënës natyrë, të gjithë mund ta bëjnë. Të jetë lindja e një fëmije maksimumi që një femër mund të arrijë në jetë, gjithçka që ajo kërkon nga jeta, gjithçka që kënaq egon e saj?! Një nënë që punon dhe një nënë që nuk punon janë të dyja gra fisnike, por me preferenca dhe pritshmëri të ndryshme. Çfarë përbën avantazh te njëri grup, sjell disavantazhe te grupi tjetër. Është pak a shumë si dy anët e një monedhe, s’mund t’i kesh të dyja, s’mund t’i kesh të gjitha të mirat në një, apo jo? Por realisht avantazhet dhe jo avantazhet maten nga individi dhe hapat e tij, po aq sa edhe nga jeta dhe mundësitë që ajo krijon.

Askush nuk do t’i quajë ato egoiste

Po, avantazhi më i madh është koha cilësore dhe e mbushur me dashuri që ato kalojnë me fëmijët. Një nënë në shtëpi është maksimumi që duan fëmijët (pyetini). As babyssiter, kujdestare, vjehrrat apo gjyshet nuk krahasohen në këtë pikë (të mos i gënjejë mendja). Avantazhi qëndron në faktin se ato janë aty për fëmijët, e dinë çfarë janë duke bërë ata çdo ditë, njohin miqtë e tyre të vegjël, evidentojnë formësimet e hershme të karakterit të tyre, dinë lojërat e preferuara dhe ushqimin që ata urrejnë. Sidomos gjatë viteve të para të jetës, prania e nënës full time është shumë e dëshiruar nga fëmijët. Gratë më të përkushtuara këtë bëjnë, heqin dorë dhe e lënë me kaq, dhe atëherë askush nuk do të guxojë t’i quajë ato egoiste. Të jesh një nënë në shtëpi nuk është shumë e vështirë, ajo çfarë duhet është sakrificë (me shumicë).

Minuse (që nuk janë surprizë)

Shtëpiaket mund të ndihen të mërzitura me kalimin e viteve, rutina bëhet vërtet stresuese dhe mungesa e jetës shoqërore mund të jetë “vrasëse”. Kjo mërzi shpeshherë mund të kalojë në faza minidepresive dhe manifestohet në forma të ndryshme (që sigurisht nuk janë të rënda). Psh. një grua zbulon se është kthyer pa e kuptuar në një maniake pastërtie, specialiste kuzhine, “ngrënëse” parash apo e varur nga shopping… sepse koka nuk kalon asnjëherë, dhe ajo duhet mbushur, apo jo?! Por ajo që ato i vret më tepër është pavarësia financiare që u mungon. Ky fakt është i prekshëm në çdo minutë të ditës, fatkeqësisht. -Duke pasur fëmijët në qendër të jetës së tyre, ato rrezikojnë t’i mbysin me një ekstra dashuri, t’u marrin frymën me përkujdesje të tepruara dhe llastime të ekzagjeruara. Në këtë mënyrë fëmijët e tyre në të ardhmen mund të bëhen jo realistë, të varur dhe të jenë krejtësisht të papërgatitur për jetën.

Kur fëmijët rriten, “çlirim” apo “vuajtje”

Po, janë fëmijët që rriten dhe nuk kanë nevojë për gjithë kujdesin e nënës, as për përkushtimin total të saj. Dhe, ajo nëna që deri dje kishte parë fëmijën në qendër të botës së saj, papritur gjendet bosh. Duket se puna me kohë të plotë është kthyer në part time, sepse bebushat e dashur tashmë janë rritur dhe duan pavarësinë e tyre. Ajo do ta bëjë gjithmonë rolin e nënës, por vetëm se koha që i kushton fëmijës ka ndryshuar. Ky është një moment delikat, një moment reflektimi që nxitet edhe nga fakti që burri tashmë ka punën e tij, fëmijët janë rritur dhe gjithmonë e më shumë do të “largohen”, duke parë angazhimet individuale… dhe nuk është çudi që ky moment të shoqërohet me shumë pyetje, deri edhe ekzistencialiste, si për shembull: “Po unë…?!”

Impakti te fëmijët

Një nënë e tillë është një model dashurie dhe sakrifice të pafund, padyshim. Një amvisë e shkëlqyer dhe mjeshtre organizimi, që kërkon dhe ngulmon që fëmija i saj të shkollohet dhe të ecë përpara. Në një farë mënyre pranon se ka humbur diçka rrugës, që ka harruar të merrej me veten e saj ashtu si ajo do të donte… dhe për rrjedhojë, këmbëngulja që fëmija të shkollohet është gati “histerike”. Për më tepër nëse i kanë mundësitë financiare i mbysin fëmijët me kurse e teprime, nganjëherë të kota, nxënieje. Përsëri e përsëri, kohë pas kohe, asnjë grua shtëpiake nuk do të donte që vajza e saj të ishte si ajo… dhe nuk është çudi, apo jo?!

“Ku merr vesh ti, ti rri në shtëpi…”.

Kjo është një shprehje që shpeshherë del nga goja e fëmijëve në bisedë e sipër, me gjithë spontanitetin që ata i karakterizon. Thuajse atyre u del natyrshëm ky togfjalësh “i rëndë” për t’u dëgjuar nga një nënë që ka sakrifikuar për këta fëmijë. Epo, ky është një tjetër moment ku shkëputja nga jeta sociale i mban këto gra “të veçuara” dhe shpesh jo në krye të listës, prej nga ku fëmijët do të donin të merrnin këshilla.

Botuar në revistën Psikologjia, nr 39

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top