Në lagjen VIP të “Beverly Hills”, pikërisht në qytetin e Engjëjve, ajo tashmë ka hapësirën e saj. Prej vitesh banon në një prej zonave rezidenciale më të shtrenjta në botë, përtej Atlantikut oqeanik. Ka ‘zgjedhur’ të jetë pranë, apo shansi i ka qëlluar të ketë fqinjë Rihanën, Janet Jackson, David Foster e më tej emra të njohur të skenës botërore. Në fakt, apartamentin e saj sa modest aq edhe luksoz, që i kalon të 150 metrat katrorë, Bleona Qereti e ndan me bashkëshortin e saj, Gani. Duke të orientuar vështrimin nga pamja mahnitëse tej dritareve, këngëtarja shqiptare rrëfen bashkë me disa foto, rëndësinë që i ka kushtuar arredimit të shtëpisë. Duket se gjithçka është vënë në shërbim të mirëqenies fizike por dhe asaj emocionale. Vëmendja duket në shumëçka. Zgjedhjet që janë bërë, sipas Bleonës, kanë një efekt thelbësor të modelimit, në funksion të qetësisë, socialitetit, simbolikës dhe shumë përdorimit të elementëve përbërës deri në detaje. Bleona citon se orenditë, veshjet, mobilimi apo aksesorët e ndryshëm, e kanë lejuar të shfrytëzojë përbërjen dhe simbolikën e tyre për të stimuluar rrethanat drejt qetësisë, ekuilibrit, shmangies së emocioneve apo ruajtjen e kujtimeve. Ndikuar jo vetëm nga format, këngëtarja shfaqet në apartamentin ku ndan jetën e saj private, nën petkun e stilit barok, të ndërthurur në gjithçka me ngjyrat e modës, ato të ftohta. Që nga salloni shumë ambientesh, dhoma e gjumit, studioja, kuzhina e tualeti, aty ku ka vend jo vetëm për klasicizmin por edhe për modernen.
PËRSHKRIMI I AMBIENTEVE
1.Ambienti i ndenjes i stilit barok. Kënd kolltukësh i cilësisë së lartë, ndër markat më klasike, moderne dhe bashkëkohore. Me bazë materiale, cohë të kadifenjtë, ngjyrë bezhë, formë e shprehjes së ndjenjës ekzistenciale, dhe të madhësisë së përshtatshme në hapësirën e madhe të banimit. Nënkresë nga e njëjta përbërje, thurur me thekë në cepat katrorë. Kombinuar me perde të linjta të së njëjtës ngjyrë dhe model në dritaren përbri. Në krah karrige e drunjtë e punuar me dorë, kornizuar me ngjyrë ari. Mbi të një prej disqeve të këngëtares. Në mes tavolina prej hekuri, punim artizanal.
2.Këndi i Punës është hapësira e saj intime. Mbi tryezë trofe të eventeve shqiptare si “Kënga Magjike” apo “Netët e Klipit shqiptar”. Dallohen dhe revistat ku ajo është në kopertinë. Tavolinë antike e marrë në ankandet e sendeve me vlerë. E drunjtë me punim dore. Karshi ndodhet hapësira ku pret miqtë shoqëruar me një mini tavolinë të së njëjtës linjë dhe nga një kolltuk me dy pupa të stilit antik. Në mur, piktura origjinale, postmoderniste të punuara në vaj, të autorëve të huaj.
3.Kuzhina, ku edhe pse nuk ia thotë shumë nga gatimi, sipas Bleonës, është ambienti më komod për të përgatitur vaktet e ditës, nën efektin e ngjyrave që ka përqasur aty. Pse jo, një shtjellim fantazish dhe mirëqenieje për guvernanten që i ka besuar tryezën e çdo dite. Gjithçka në materiale inoksi, bufe endief e bardhë dhe ndriçim i hapësirës nga llambushka murale.
4.Bleona në hapësirën e tretë të sallonit të ndenjes. Në këndin me pamje nga ana e kundërt e rrugës. Ka kombinuar pasionin me antikitetit dhe linjat moderne. Ndarë nga perdet dimërore me ngjyra të ftohta, gri në bezhë. Atllas me thekë. Kolltukët janë material sërish i kadifenjtë, punim artizanal, komodë dhe praktik. Në këndin pas, një abazhur prej cohe me lule për të thyer ngjyrat e njëtrajtshme të ambientit.
5.Dhoma e çiftit është e stilit komfort. Produktet e përdorura janë kombinim i dizajnit mes traditave të lashta artizanale. Dhoma harmonizohet nga shtrati, dhe një seri elementësh, pupa në fund të krevatit, dy kolltukë tek, ekrani i televizorit dhe një tavolinë e xhamtë, që krijojnë hapësirë ideale për qetësi dhe pushim. I qëndron besnike stilit të kadifenjtë dhe ngjyrave të ftohta, mente. Perdet janë variacion i së njëjtës linjë gati në të gjitha ambientet e shtëpisë, të linjta, vendosur nën gipset e bardha që ndriçohen nga drita të vogla.
6.Tualeti i ndriçuar nga llambushka të vogla, bardhësi pa fund. I ndarë në tri ambiente të vogla, që nga vaska e masazhit, kabina e xhamtë e dushit dhe lavamani me bufenë e teshave të banjës.
Botuar në revistën Psikologjia, Mars 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.