Vjehrra jote është shumë simpatike, por ndërhyn shumë në jetën tuaj në çift? Harron që i biri është rritur dhe tani nuk jeton me të? Ose së paku, pavarësisht bashkëjetesës, ka krijuar familjen e tij dhe është shkëputur nga familja e origjinës? Si ta menaxhojmë situatën? Komenton Danièle Chinès, psikoterapeut i jetës në çift.
Ajo e di çfarë i pëlqen dhe bën pikërisht çfarë ai ka nevojë. I ka pastruar gjithnjë dhomën, i ka hekurosur këmishët, nganjëherë e ka shoqëruar edhe për të blerë veshjet. Ajo është modeli i tij dhe ai nuk pranon për të as edhe ndonjë kritikë pak a shumë indirekte. Vështirësia e një burri për t’u çliruar nga skllavëria e marrëdhënies nënë-bir është reale. Është një mbërthim që, nëse nuk bëhet kujdes për të, mund të marrë forma të ndryshme dhe të provokojë incidente të ndryshme diplomatike në jetën e çiftit. Rasti i kundërt, që një burrë të ketë probleme me vjehrrën e tij, është shumë i rrallë…
Nëna, modeli i tij
Një burrë ndërtohet esencialisht në raport me të ëmën. Sipas teorisë psikanalitike të Danièle Chinès, për një nënë, nxjerrja në botë e një djali është motiv i një krenarie të madhe. Ekziston patjetër një lidhje preferenciale. Ta këpusësh është e vështirë. Vendi i parë në të cilin manifestohet modeli mëmësor është vatra shtëpiake, duke nisur nga kuzhina “që quhet ushqimi, qumështi i gjirit, i biberonit, qysh nga foshnjëria”, shpjegon psikoterapeuti. Ky pranim shpesh i pandërgjegjshëm i bën burrat ta shohin nënën si model, të cilit edhe gruaja do të donte t’i ngjante. Një ndikim që mund t’i ndajë në dy kampe të ndryshme partnerët, ashtu si edhe administrimi i financave apo edukimi i fëmijëve.
Frazat vrasëse të vjehrrës
“Diana nuk i ha perimet, im bir është përshtatur shumë shpejt”. “Dritani ka një çehre të vrarë, a nuk e vini re?”. “Ka shkuar në Egjipt për pushime, sa me fat që është (a thua se ti s’ke marrë pjesë në udhëtim)!” Duket nganjëherë sikur vjehrra do të thotë se ti nuk ke të bësh fare me të birin. “Klasike dhe e parashikueshme”, komenton Danièle Chinès. Duhet ditur që raporti nënë-bir është bazuar në një raport joshjesh… në mënyrë të pandërgjegjshme, padyshim, por reale. Është shpesh e vështirë për një nënë të pranojë që shkrirja e fillimit shndërrohet në favor të një marrëdhënie që nuk ka të bëjë me të, të marrëdhënies burrë-grua. Atëherë natyrisht, nëna e tij nuk e fut gruan e djalit lehtësisht në zemrën e saj. Kësisoj mund të lulëzojnë rivalitetet, sado të pandërgjegjshme qofshin.
Foli pozitivisht për vjehrrën
“Të pohosh ndryshueshmërinë mes njerëzve është e domosdoshme në çift”, rekomandon Danièle. Kurse prirja për të arritur në përgjithësime është e madhe. Nëse i thua partnerit: “Nëna jote është e mërzitshme”, duke pasur parasysh këtu përgjithësinë e gjërave, mbart rrezikun që ai të pozicionohet në mbrojtje të saj. Provo përkundrazi të vesh kufij të qartë. “Disa cilësi të saj mund t’i pranosh, pasi s’ka njeri krejt pa cilësi – në vend që ta refuzosh krejtësisht. Ndonjëherë mund të thuash: ‘Ah po, kjo është në rregull’, pa e marrë si model, por duke përshtatur diçka të sajën tek vetja…” Sidoqoftë, çfarë duhet pasur parasysh është se modeli i një nëne shumë të pranishme rrezikon që partneri të mos jetë në gjendje t’i njohë cilësitë e gruas së vet. Rezultati: provokon 1- humbjen e vetëvlerësimit; 2- zhgënjimin tënd përballë aftësive të tij për t’u përshtatur në një situatë të re. Në të dyja rastet vuan çifti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.