Të punosh apo të qëndrosh në shtëpi? Kjo është një pyetje që merr veçanërisht kuptim në momentin kur një grua bëhet nënë. A duhet ajo t’i kushtohet tërësisht rritjes së fëmijës? Në të vërtetë, psikologët e shohin si domosdoshmëri kujdesin pothuaj tërësor të nënës ndaj fëmijës, në 9 muajt e parë të jetës së tij. Ama, thonë, se pas kësaj moshe foshnjore, një nënë duhet të fillojë t’i krijojë hapësira edhe vetes. E një mënyrë e krijimit të kësaj hapësire është edhe punësimi i nënës.
Pse nënat zgjedhin të punojnë
Shumë gra, arsyen për të punuar e gjejnë te nevoja për krijimtari dhe angazhim. Por shumica, ka të ngjarë ta kenë domosdoshmëri ekonomike. Nuk është krejt e pazakonshme, madje mund të jetë për shumicën e vërtetë, deklarata sipas së cilës: do ta braktisnim punën për t’iu kushtuar fëmijës e familjes, nëse do ta kishim mundësinë për ta bërë. Por duke menduar më gjatë, nënat qoftë edhe të detyruara, zbulojnë avantazhe te punësimi.
Cilat janë avantazhet
Nënat që punojnë, zbulojnë një identitet të ri, me pjesëmarrjen edhe më të gjerë në shoqëri. Kësisoj identifikohen më mirë. Një pjesë e mirë e tyre e shohin punën si një “ikje” nga punët e shtëpisë. Pas kësaj, ato munden ta shijojnë më mirë kohën e lirë që ndajnë me fëmijët. Por kryesorja është që ndihen krenare për pavarësinë e tyre ekonomike.
Arsye të qënësishme
Nuk është edhe aq i papëlqyeshëm modeli i dikurshëm: burri siguron të ardhurat dhe gruaja shtëpiake kujdeset për fëmijët. Por shumica e grave të kohës sonë, ndryshe nga më parë, përballen me realitetin e ndarjes. Kjo i bën të mësojnë të vlerësojnë pavarësinë që të siguron punësimi. Me pak fjalë, vihet re tronditja e besimit të grave te bashkëshortët, duke i bërë të pasigurta për kohëzgjatjen e martesës. Kështu që ato zgjedhin të mos mbështeten tek tjetri, por tek vetja.
Nënat që punojnë dhe shtëpia
Ndonëse është vënë re rritja e përqindjes së grave që punojnë, nuk është vënë re një rritje e njëjtë e pjesëmarrjes së burrave në punët e shtëpisë. Ndaj, nënat që punojnë, përveç përgjegjësive profesionale, kanë edhe përgjegjësitë e punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve.
Analistët thonë
Sipas analistëve, gruan e sotme e karakterizon pasiguria se çfarë do të thotë “nënë e mirë” apo “bashkëshorte e mirë”. Gruaja sot jeton vazhdimisht në mëdyshje, se cilat janë përparësitë e saj: Ku duhet të përqendrohet? Cili është prioriteti i saj? Në ç’drejtim duhet t’i fokusojë energjitë e saj apo së paku shumicën e tyre? Te puna apo te familja? Nuk është e lehtë të thuhet, e sakaq nuk është e lehtë të merret një vendim. Por të dyja, a mundet që të bëhen në mënyrë të përkryer? A mund të arrihet maja në të dyja?
Ndjesi
Kërkimet tregojnë se 60% e nënave që punojnë, ndihen në ankth. Ndihen fajtore që u mungojnë fëmijëve të tyre, e ndërsa mund t’u rrinin atyre mbi kokë, u duhet të jenë në punë. Por, nga ana tjetër, nuk janë të pashqetësuara nënat që nuk punojnë. Këto të fundit ndihen keq për shkak të mungesë së pavarësisë dhe identifikimit shoqëror. Por edhe për shkak të modelit që i ofrojnë fëmijës. Situata duket disi e ndërlikuar: Dikur roli i gruas ishte i qartë. Gruaja quhej aq më e suksesshme, sa më shumë dhe më mirë kujdesej për familjen, fëmijët, bashkëshortin. Mirëpo sot është tjetër gjë..
Botuar në revistën Psikologji, nr.39
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.