Ai njihet si aktori më bohem ndër skenat shqiptare. Një shpirt i lirë, ngaherë i dashur jo veçse me gazetarët, por edhe një personazh, i cili ndryshoi stilin “kornizë” të televizioneve shqiptare në 1999, në rolin e një të droguari te “Unë, ti dhe Kasandra”. Sot, pas shumë vitesh të një karriere të suksesshme ngaherë në limitin e kohës, e shkëputëm nga ditët e fundit të provave të shfaqjes “Edipi Mbret” në Teatrin Kombëtar. Neri, siç e njohin miqtë e tij, e nisi duke na folur për platoniken, shfaqjen e kompleksitetin e femrës. “Kur je i ri e adoleshent, platonikisht e idealizon femrën”, ndërsa në moshën time, vijon aktori 44-vjeçar, “kërkohet një femër që të plotëson apo më saktë plotësojnë njëri-tjetrin”. “Nëse nuk ekziston dashuria është vështirë të mbijetojë diçka, e asgjë nuk ecën me kompromise, interes, etj, ku nuk ka Zot ta shpëtojë këtë marrëdhënien e të flasim më pas për të qenit, femër!”. Sipas aktorit Liçaj, “Dashuria përsos çdo gjë”. Bashkëshorten e më shumë se një dekade, Holtën, ai e konsideron mike apo si shoqe, apo “ajo që të qëndron pranë duke biseduar çdo gjë”. Me Holtën më ndodh shpesh, vijon ai rrëfimin “ti them: shpirt, jam krenar për ty! Kur e shoh në sy… ndodh të mos ngopem dot me frymë”. Ndërsa, teksa e pyet si “ia bën tashmë shpirti i tij”, ndërkohë që Neri po merret me shfaqjen, mbushet me frymë e më tej e nxjerr… duke lëvizur duart, nis e shpjegon se “asaj tashmë i bie barra më e rëndë, pasi kur kthehem pas provave të Teatrit gjej një gjellë të ngrohtë, përpos rritjes së fëmijëve që këto kohë Holtës i bie barra trefish e rëndë…”. Por vijon Liçaj, “…duhet të dish të ndash gjërat, pasi unë nuk kam marrë një skllave, por siç thuhet edhe vetë nga fjala bashkë- shorte…për më tepër në këtë realitet të zymtë e të vështirë shqiptar”. Teksa mbaron provat pasditeve këto ditë, ai i drejtohet direkt shtëpisë ku gjendet ajo, “shpirti i tij”, si dhe frytet e kësaj marrëdhënieje, dy fëmijët e tyre. “Gjysma e mashkullit është femra”, përgjigjet Liçaj, teksa e pyet mbi një koncept “ideal” mbi femrën. “Jo veçse në atë fiziologjik”, vijon, “por edhe në gjendjen shpirtërore, psikologjike e atë emocionale”. Për të, 16 vitet si familjar janë vite të kaluara nga një nevojë e brendshme, ndërsa kalon tek krahasimet duke thënë se “në Shqipëri kjo marrëdhënie bëhet si e obliguar (detyrueshme) nga situata e shoqëria, e pikërisht kjo është arsyeja pse familja shqiptare çedon shpesh”.
Botuar në revistën Psikologji, nr.70
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.