Neuroedukimi është më shumë se një mjet, është një qasje tjetër, një ndjeshmëri e re, më e hapur dhe intuitive për zhvillimin cerebral dhe emocional të fëmijës.
Funksioni ynë nuk është edukimi i fëmijëve të barabartë, por të veçantë, të aftë dhe të lirë për të luftuar çdo ditë për lumturinë e tyre. Kjo qasje është bërë shumë aktuale. Fusha e shumë disiplinave është e hapur për kontribute të reja dhe interesante për t’u bërë i vetëdijshëm për një aspekt esencial dhe të mrekullueshëm: është e nevojshme të kuptojmë funksionimin e trurit njerëzor për të jetuar më mirë, për të qenë më produktiv, për të udhëhequr një jetë më në përputhje me emocionet tona dhe me aftësitë e jashtëzakonshme që secili në vetvete ka.
Në ditët e sotme, është e përgjithshme të ndeshesh me terma si “neuromarketing”, “neuroekonomi”, “neurokulturë”, “neuropsikologji”, dhe natyrisht, “neuroedukim”. Ka të bëjë me të kuptuarit se cilat faza të zhvillimit kalojnë fëmijët tanë, dhe të njohim para së gjithash çfarë mund të bëjmë për të marrë potencialin maksimal në ato faza “kyçe” në të cilat fëmija gëzon më shumë se kurrë plasticitetin e pamasë të trurit. Në realitet, çdo baba apo nënë e mirë nuk kanë si qëllim kryesor atë të të pasurit një fëmijë gjeni në shtëpi që të shoqërojë evolucionin psikologjik dhe emocional të fëmijës së tyre. Por, të pasurit objektivin e formimit të një adoleshenti e më pas të rrituri të sigurt, pozitiv, të aftë të lundrojë në ujëra shpesh të turbullta të jetës.
Ja 5 principet thelbësore:
Emocioni dhe dija ecin së bashku | Me siguri secili prej nesh e ka përjetuar më shumë se një herë: kur ndiheni mirë dhe shijoni qetësinë dhe kënaqësitë që ju vijnë, jeni më të hapur për gjithçka ju rrethon. Zhvillimi i ndjenjave emocionale në bazë të besimit stimulojnë rrjedhimisht aktivitetin kognitiv dhe të mësuarit të fëmijës.
Është e nevojshme të kuptohet truri i fëmijës | Ka një gabim në të cilin biem shpesh: të menduarit se një 3-vjeçar mund të fillojë me sukses leximin, shkrimin dhe ushtrimet e matematikës. Mendojmë se duke përshpejtuar aftësitë, ne rrisim cilësinë e inteligjencës së fëmijëve, duke i furnizuar me mjete të dobishme për suksesin. Ky është një gabim i madh! Stimulimi është i rëndësishëm, por gjithmonë me vëmendje ndaj moshave dhe fazave të secilit fëmijë.
Neuroplasticiteti neuronal | Plasticiteti i trurit i referohet aftësisë së sistemit nervor për të ndryshuar strukturën dhe funksionimin e tij në rrjedhën e jetës, si një reagim ndaj disa stimujve që favorizojnë mjedisin. Fëmijët nga mosha 0 deri në 6 vjeç tregojnë një neuroplasticitet të mrekullueshëm që duhet të shoqërohet dhe të forcohet në mënyrë të përshtatshme.
Truri i fëmijës mëson në mënyra të ndryshme | Fëmijët tanë nuk mësojnë thjesht ulur në tavolinë. E bëjnë ekskluzivisht kur uleni para tyre dhe u mësoni të flasin, të lexojnë, të bëjnë detyrat e shtëpisë së matematikës etj. Truri është një organ shumëformësh me shumë lloje të inteligjencës. Nga ajo muzikore te fizika, dhe secila prej tyre është thelbësore.
Bëhuni një neuroedukator! | Mësoni të edukoni njerëz të lumtur dhe të kualifikuar, pavarësisht nga aftësitë e tyre njohëse ose rezultatet e tyre të menjëhershme. Ndonjëherë nuk mjafton “të besosh se di gjithçka”. Për të edukuar duhet të dini se si të kujdeseni për botën emocionale të fëmijës dhe të dini se si të lidheni me të nëpërmjet ndjeshmërisë, afërsisë dhe besimit.
Neuroedukimi është një propozim i mrekullueshëm, që meriton të merret në konsideratë në mënyrë të përditshme me fëmijët tanë, por sidomos tek ata që shkojnë në shkollë. Sepse risia në arsim është një mënyrë për të qenë më të ndjeshëm ndaj nevojave reale dhe, mbi të gjitha, t’i japësh botës njerëz më të aftë për ta bërë këtë realitet një skenar shumë më të mirë.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.