LIBRI I HISTORISË HAPET…
Për mua libri i historisë është hapur qysh në fëmijëri, tek dëgjoja për gjyshërit e mi Hoxha Kadri Prishtinën dhe Ismet Toton, veçanërisht për veprimtarinë e tyre patriotike.
JEHONA E GJYSHËRVE MBËRRIN
Nuk i kam njohur gjyshërit e mi, por kam njohur gjyshet, të cilat kanë jetuar deri vonë, që më kanë rrëfyer për ta. Ndërkaq, kam pasur fatin të njoh pjesëtarë të familjeve të mëdha që kanë bërë historinë e këtij vendi: familjen e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sulejman Delvinës, Sulejman Vokshit etj. Kanë qenë pjesë e jetës sime të përditshme. Në kujtesën time kam ende ato gra që me shumë dinjitet përballonin jetën, ndoshta sepse kishin emra të mëdhenj.
BALLAFAQIMI
Sakaq, shumë ngjarje historike i kisha dëgjuar në shtëpi nga gjyshet e mia, ashtu sikundër dhe për krizën e bukës, e urisë. Mbaj mend që vajza e madhe e Bajram Currit tregonte që një periudhë kohe nuk mund të siguronin një simite për mëngjes. Për këtë i ati kishte mësuar një lloj loje me letra se kush fitonte, do hante simiten. Unë mësoja histori në shkollë, por në një formë tjetër të treguari. Gjyshja ime nga nëna bashkë me të motrën e kishte përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare me të gjitha mundësitë. Qarkori i Tiranës, ilegalët, rrinin në shtëpinë e tyre. Por ato prapëseprapë u arrestuan më 4 shkurt dhe përfunduan në burg. Gjyshja ime as shpërblimin prej 100 lekësh të luftës nuk e merrte, për shkak se xhaxhai i saj, deputet i Parlamentit të parë shqiptar pluralist, pas luftës u ekzekutua ngaqë nuk ishte komunist. Ai në fakt kishte qenë krijuesi i parë i Institutit të Shkencave, pararendës i Akademisë sot. Të gjitha këto mua më jepnin kënaqësinë e të diturit më shumë dhe trishtimin që nuk mund t’i lexoja askund. Krijohej një lloj dyzimi vetvetiu. Për këtë u jam mirënjohëse prindërve, sidomos babait, që kurrë nuk më tha “Mos fol”. Ai më la në dispozicion bibliotekën e tij që unë të lexoja çfarë të doja, të merrja atë lloj informacioni që koha ta ndrydhte.
PROFESIONI
Ishte e natyrshme në rastin tim që të përfshihesha në histori, tashmë si profesioniste. Kam qenë nxënëse e mirë në shkollë të mesme dhe kam mbaruar me mesatare 9.8, por më shumë them se jam ndikuar në zgjedhjen e kësaj dege e ndikuar nga dy mësueset e mia, ajo e tetëvjeçares, Afërdita Tutulani, dhe e gjimnazit Elima Libohova, të cilat kërkonin t’ua riprodhoje lëndën sipas gjykimit vetjak. Mënyra e të rrëfyerit ndryshe më jepte kënaqësi. Por edhe të jetuarit në një mjedis ku vazhdimisht tregohej nga një gjë prej së kaluarës ka ndikuar. Gjysheve u jam mirënjohëse, pasi ato kur mblidheshin ishin një libër historie i gjallë.
OSMANOLOGJIA
Në universitet kam mësuar në lëndën turke rreth temave historike dhe gjeografike, turqishten e vjetër dhe në fund të fakultetit, osmanishten. Ishte një problem i madh, pasi nuk mund të siguroje literaturë. Njëherë në doganë më mbajtën tri botime të sjella nga Turqia. Kontaktet me këtë shtet na u prenë. Të vetmet mundësi ishin leksionet e pedagogut Shaban Çollaku. Të mësoje këtë degë duhej dhjetë vjet të paktën. Ishte diçka sureale, për mungesë librash. Më e keqja është se ne e kryem fakultetin, edhe pse ishte siguruar një kërkesë e Akademisë së Shkencave që të futeshim në Institut. Neve, mua dhe kolegut Ferid Duka, na u refuzua. Mbetëm jetimë. Na emëruan në Arkivin e Shtetit më tej. Këtu pësuam një lloj devijimi në rrugën tonë. Në sektorin ku unë punoja duhej të dije italishten, frëngjishten, anglishten më pak. Duke njohur dhe dialektin e veriut, që do të duhej për leximet e dorëshkrimeve të vjetra, u konvertova nga myslimane në e krishterë të mirë. Kam filluar punë në ’67. Kam qenë me fat, pasi kam pasur në zyrë një grumbull njerëzish të jashtëzakonshëm. Kam pasur fatin të punoj me drejtorin e parë të statistikës të Shqipërisë.
ARKIVI
Kam 34 vjet në këtë detyrë dhe nuk më ka bërë aspak keq. Në fillim, kur shkela, dëgjova të thuhej: “Këtu ka punë dhe vetëm punë, nuk ka shkencë”. Më ka ardhur shumë keq. Nuk ishte zgjedhja ime që të isha vajza e një profesori universiteti, apo mbesa e një njeriu të njohur. Kjo krijonte një lloj pështjellimi, pasi më njihnin nga cila familje vija. Qaja nga mërzia. Për 6 muaj bashkë me Feridin kemi punuar në depon e fundit të Arkivit, pranë një muri të hollë që na ndante me pjesën e burgut dhe qentë roje. Fillimisht kemi ngjitur me zamkë etiketa në regjistrat e periudhës së hershme turke. Pas kësaj periudhe mynxyrë, ku pisllëku dhe pluhuri i letrave na e bënte më të vështirë punën, na sollën në zyrat sipër. I kam kaluar të gjitha fazat dhe proceset në këtë institucion. Bashkë me profesor Kristaq Priftin kemi bërë një katalog, përkthime të vogla. Nuk kam përtuar asnjëherë të bëj punën, madje kam mbajtur arka, kam pastruar dosje e skedarë, kam përkthyer paralelisht. Po të më kishin trajtuar si e bija e profesorit, nuk do të kisha mësuar kaq shumë gjëra. Për këtë i jam tejet mirënjohëse edhe Eleni Duka Theodhosit, një arkiviste e madhe, e cila ma futi në gjak punën e arkivit, kënaqësinë e të lexuarit, të mësuarit të fakteve të reja. Aq sa kur shkoja në shtëpi thosha, sot di një gjë më shumë. Ndihesha një shkallë më sipër. Pastaj, është edhe kënaqësi kur përballesh me njohuri apo ndihmesë dokumentesh për të tjerët. Për shembull, është kënaqësi kur lexon letrën e gjyshit tënd. Ne e kemi sjellë si fond të plotë në Arkivin e Shtetit. Ç’vlerë kanë thesaret nëse i mban të mbyllur. Apo në ’93 kur një prift erdhi dhe kërkoi jetën e tij, pasi kishte dalë nga burgu. Në dosjen që i takonte gjeti foton ku kishte dalë me nënën. U mallëngjye dhe më puthi duart.
FAMILJA
Me bashkëshortin jemi dy profesione të ndryshme, unë historiane e ai inxhinier metalesh. Por kemi plotësuar njëritjetrin. Në 31 vjet martesë interesat i kemi pasur të përbashkëta. Çdo gjë apo vendim e kemi marrë bashkë. Them se mund të shkosh mjaft mirë duke lëshuar pe. Jam mësuar me gjyshe në shtëpi, në të njëjtën kohë grua e prind dhe kjo më ka dhënë kënaqësi. Kam qenë unazë lidhëse. Nisur edhe nga origjina e familjes, s’e kam ndjerë veten keq. Im shoq është nga jugu, sikundër unë me të parët e mi përkatësisht nga jugu e veriu. Sa u takon fëmijëve, djali i madh është diplomuar për histori. Ishte zgjedhja e tij. Ai ka qenë më shumë pranë tim eti dhe ka mësuar po kaq. Vajza është diplomuar për shkenca komunikimi dhe media në Athinë. Sa i takon historisë bisedat tona janë të lira, po kaq dhe në tema të tjera. Ngacmohemi, po pa lënduar njeri. Jam përpjekur të jem si im atë. T’u sugjeroj një bibliotekë të hapur, por pa i imponuar në zgjedhjet e tyre.
Psikologji Nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.