Në fokus

March 10, 2016 | 12:12

Nevila Nika: Profesioni s’më pengoi në mëmësi

3Duket se jetën e ka të lidhur me institucionin e Arkivit të Shtetit, aty ku ka 45 vite përvojë. Sakaq pjesë e rëndësishme, por pa i cenuar karrierën, për të është edhe familja. Janë dy shtylla të forta prej të cilave ruan një ekuilibër komod, duke iu përkushtuar maksimalisht e duke transmetuar tek secila modelin e duhur. Sa i takon mëmësisë, te drejtuesja e Arkivit Qendror Shtetëror ky rol ka ardhur në zgjimin e natyrshëm të instinkteve duke përcjellë, siç vlerëson Nevila Nika, ndjesi krejtësisht të reja e të papërsëritshme. “Mbaj mend se krejt natyrshëm u mësova me gjendjen e re, të qenit nënë. Që nga ajo ditë gjithçka u bë në përshtatje të më të mirës për fëmijët e mi”. E në këtë raport, përgjatë viteve, Nevila e klasifikon veten në kategorinë e nënave që përpiqen t’i mësojnë fëmijët me rregulla, pa harruar se ata kanë nevojë edhe për përkëdhelje. “U kam qëndruar afër në çdo kohë e për gjithçka, por gjithnjë duke e mbajtur veten nën kontroll për të mos u shndërruar në tipin e nënës që ndërhyn për çdo gjë ose që do të bëhet si thotë ajo. Nuk kam përdorur kurrë forcën, që do të thotë dhunën fizike, por kam menduar se fjala qoftë edhe me tone pak më të larta bën më shumë efekt. Derisa arritën moshën madhore, unë u jam përshtatur nevojave e kërkesave të tyre, dhe për këtë nuk jam aspak e penduar”. Të qenit e angazhuar me profesionin, sigurisht që në periudha të veçanta ka përbërë edhe një lloj ngarkese. Por, për drejtuesen e Arkivit Qendror të Shtetit, llogaritë kanë qenë “të qëruara” për të mos penguar zhvillimin e asnjërës. “Profesioni nuk më ka penguar aspak. Puna në këtë institucion shumë të rëndësishëm e të veçantë më detyronte që të punoja edhe në shtëpi. Dita ime kishte një orar veprimesh për vite të tëra; punë në Arkiv, fëmijët, punë shtëpie dhe punë shkencore në shtëpi. Ka qenë një zgjedhje e ndërgjegjshme e bërë nga ana ime. Ndoshta kjo mund të ketë dëmtuar karrierën time, por unë nuk jam penduar për këtë. Nuk mendoj se një karrierë, cilado qoftë ajo, vlen më shumë se fëmija yt. Jam e parimit se për një prind, sidomos për nënën, nuk ka karrierë më të mirë sesa të rrisë fëmijë të mbarë. Periudhat më të gjata që s’kam qenë pranë fëmijëve kanë qenë një herë 3 muaj dhe dy herë nga 15 ditë. Pastaj, nga 1 deri 5 ditë besoj që nuk kanë përbërë ndonjë problem, pasi gjithsesi kanë pasur pranë bashkëshortin, pra babanë”. Fëmijët e saj tashmë janë të rritur. Djali i madh është diplomuar për histori, zgjedhje krejtësisht e tija, ndërsa vajza për shkenca komunikimi dhe media në Athinë. E udhëhequr nga modeli i nënës së saj dhe gjyshes, për Nevila Nikën ato kanë qenë shembulli më i mirë, por jo gjithçka të përsëritur si shabllon. Drejtoresha e Arkivit të Shtetit i mëshon faktit që në këtë pjekuri të rritjes së fëmijëve, ajo që e ushqen këtë marrëdhënie janë disa rregulla. “Personalisht kam qenë gjithnjë afër tyre në çdo kohë e për çdo gjë, por me disa ndryshime në varësi të moshës. Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës kam qenë sa kërkuese në drejtim të formimit të tyre të përgjithshëm, aq edhe e butë ndaj ndonjë kërkese të tyre, por asnjëherë kur e kuptoja që ishte tekë a përkëdheli e tyre. Tashmë që janë të rritur e kanë dalë në jetë, mendoj se jam shndërruar më shumë në një shoqe të mirë, edhe pse mbetem gjithnjë Ma-ja e dashur për ta”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.66

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top